Kllapitja, egoizmi dhe groposja e intelektualit

Kosova e pasluftës i ngjason një krijese të lodhur, plot rënkim, plot gjak dhe anemi njëkohësisht. Kosova e lirë çuditërisht e tillë gati nuk është, e ka robëruar vetveten në vorbullën e pakëndshme që krijoi vetë. Sikur dikush i vodhi shpirtin dhe e vuri në një kllapitje qëllimshëm. Shumë nga ata që i shkolloi ky vend, janë tërhequr në strehën e komoditetit personal, kurse duhet pranuar se nuk kanë as vullnetin e mjaftueshëm. Frikën e kanë hak gjithashtu, e kjo arsye nuk është, se atdhetari i vërtetë nuk vë asgjë para atdheut.

Në Kosovë, ata që duhet të flasin kryesisht heshtin, kurse zërin ngrijnë vetëm ata që iu vije turp të durojnë më tej e të mos flasin. Apo, flasin edhe ata, që nëse dikush thotë JO ata të thënë PO dhe e kundërta. Të tjerët, grumbullojnë para, janë në garë me vetë jetën, duan të përpijnë çfarëdo që ju del përpara pamëshirshëm dhe ushqejnë egon e tyre. Të tillët përpiqen të kompensojnë pangopësinë ndër vite, e pangopësi nuk ka vetëm nga mungesa e ushqimit.

S’po flas për politikën, e as për ndonjë ngjarje ditore ku na ngacmon ndonjë vendim joracional. Asnjë ngjarje apo vendim i tillë nuk është produkt i një momenti të vetëm, ka një vazhdimësi aty të shtjelluar me vite, dikush e sheh e dikush jo. Por, humbja e vërtetë e Kosovës, është humbja në hapësirë dhe kohë që shkaktohet nga mungesa e vlerave. Këtu janë alivanosur për toke kultura dhe përgjithësisht e mira. Kualiteti i është nënshtruar komercializimit.

Se mos po mbushen sallat e teatrove ? Jo, jo, nuk është në natyrën e Kosovës së pasluftës, por mbushen kafenetë me muzikë “të gjallë” ku orkestrën e përbën vetëm një mjet elektronik i vetëm. Çdo gjë përtej kësaj e komplikon veshin dhe del nga të perceptuarit e shijes, të asaj shije të imponuar nga kompleksi i shkaktuar i të qenit pjesë të sistemit. Se mos po ka Opera në Kosovë ? Jo, jo. Aty ku ishte planifikuar të ndërtohet Opera, ka mbet veçse një gropë e madhe, që simbolizon edhe një gropë më të madhe se kaq, atë nga e cila Kosova ende nuk po mund të dal, e të marr frymë si duhet. Mbetet ëndrra dhe shpresa e këndelljes nga alivanosja.

Intelektual nuk mund të konsiderohet ai i cili nuk guxon të shprehë mendimin e tij, apo edhe ai i cili ka bërë kompromis me frikën. Kosova ka vlerë. Është paguar shtrenjtë. Kjo pak copë toke atdhe që kemi është atdheu më së shtrenjti i paguar. Ku ka përtej kësaj?

Lajme të ngjashme

Back to top button