Elton Deda është drejtori i ri artistik i Festivalit të RTSh-së

Këngëtari i mirënjohur, Elton Deda, është zgjedhur drejtor artistik iFestivalit të Këngës, të cilin e organizon RTSh-ja.

Këtë e ka bërë të ditur vet këngëtari Deda në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

“Të dashur miq e kolegë! Dua të iu njoftojë se sivjet unë do të jem drejtor artistik i Festivalit të Radio Televizionit Publik Shqiptar! Sinqerisht e kam marrë si një sfidë dhe angazhim të madh profesional dhe së bashku me kontributin dhe mbështetjen tuaj do mundohem të jap maksimumin për të bërë një festival model dhe pa preferenca miqsh”, ka shkruar ndër të tjera Deda.

Fituesi i këtij festivali çdo vit përfaqëson Shqipërinë në Evrovizion dhe këtu qëndron rëndësia me e madhe e këtij festivali, ndaj Deda është zotuar se do ta kryej detyrën me ndershmëri.

“Nuk kam qenë dhe nuk do jem kurrë vegël e asnjë ndërhyrje apo miklimi monetar e shoqëror, përveçse skllav i përjetshëm i muzikës së mirë e të ndershme. Sinqerisht,Ton Deda”, ka përfunduar shkrimin e tij ai.

Deda njihet për këngët “Na lini të jetojmë”, “Nuk kërkoj tjetër njeri”, “Qyteti i vjetër” etj. Ai viteve të fundit ka qenë edhe panelist i jurisë së talent show-it “The Voice of Albania”.

Lajme të ngjashme

Back to top button