ITSHKSH mbajti tribunë me rastin e 105 vjetorit të lindjes të Nënë Terezës

Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, sot u mbajt tribunë me rastin e 105 vjetorit të lindjes në Shkup të njërës nga personalitetet më të mëdha botërore, figurës universale-Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza.

Në fillim fjalë përshëndetëse mbajti drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Dr. Skender Hasani, i cili tha se ky institucion vazhdimisht ka afirmuar vlerat universale që ka Nënë Tereza dhe se në këtë mënyrë afirmohet edhe populli shqiptar.

Mbi përmasat gjigande të humanistes botërore foli edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoni, z. Ylber Hysa. Don Viktor Sopi, drejtor i Organizatës Humanitare “Caritas Kosova” referoi në temën: “Nënë Tereza në vizionin e personaliteteve botërore”, ndërsa Prof. dr. Nebi Dervishi, i cili gjatë veprimtarisë së tij shkencore ka gjurmuar shumë mbi personalitetin e humanistes së madhe foli në temën “Nënë Tereza – nobelistja shqiptare nga Shkupi”.

“Gonxhe Bojaxhiu – tendencat për zvetënimin e identitetit etnik shqiptar” , ishte tema të cilën e referoi punonjësi shkencor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup. Pas tribunës, u bënë homazhe në vendin ku ishin themelet e shtëpisë ku ka lindur Gonxhe Bojaxhiu, në Sheshin e Shkupit, ndërsa u shpalos edhe nisma për ndërtimin e shtëpisë së saj autentike, pasi në këtë mënyrë do të dëshmohet se kjo figurë që i takon botës, rjedh nga Shkupi dhe nga populli shqiptar. 26.08.2015 Shkup Shërbimi për informim i ITSHKSH-Shkup

Lajme të ngjashme

Back to top button