I kam parë këto fytyra edhe më parë…

Të lodhur e të trishtuar, refugjatët u shfaqen edhe tek muret e një shteti tjetër. Para secilit mur shtetëror e ndjenin se kishin humbur atdheun e tyre. Ishin nisur diku, por adresën nuk e dinin. Fëmijët e lodhur besonin se prindërit e tyre e dinin se ku i çonin. Si çdo fëmijë që i beson verbërish prindit.

Ardhur prej së largu, ikur nga atdheu që çmendej, dikush bartte mbi shpinë ndonjë Ankis. Një tjetër ishte ndarë me dikë që së shpejti do të vdiste. “As kohë nuk pata, as dhembja s’më la të flas”. Vargjet e Virgjilit ishin shkruar për shumë fatkeqë, që kishin humbur Trojën e tyre.

I kam parë këto fytyra të lodhura edhe më parë. Fytyra të rënduara prej rrudhave të dhembjes. I kam parë këto fytyra fëmijësh, grash e pleqsh, që nuk kishin emra, ishin vetëm numra. Ndjeheshin të vetmuar e të braktisur. Po aq sa për bukën e munguar, kishin nevojë për një buzëqeshje të sinqertë e të fisme. Kishin uri për pak shpresë. Kishin nevojë të besonin se në këtë botë të egër dikush ende i trajtonte si njerëz.

I kam parë sytë e zhytur në det zhgënjimi edhe më parë. I kam parë duar që ngriheshin lart si antena për të dërguar sinjale lutjesh drejt qiellit që heshtte. I kam parë e ata mund të kishin qenë të afërmit e mi. Të gjithë të pastrehët, të braktisurit janë të afërmit e mi…

Le të jemi me ata që vuajnë për shkakun e pushteteve dhe për shkakun e marrëzive të të dehurve për krime. Nuk do të kemi shumë, do të kemi gjithçka. Zemra jonë nuk do të rreh vetëm për trupin tonë, por për gjithë njerëzimin.

I kam parë edhe më parë rendet e gjata të njerëzve që shtyheshin për bukën që s’do ta hanin, vetëm që fëmijët t’i mbijetonin urisë. Dhe kam ndjerë dhembje, sikurse sot ndjej dhembje për të gjithë ata që kanë braktisur shtëpitë dhe atdheun e tyre të çmendur. Ecin ata pa adresë në kërkim të një strehe, që asnjëherë nuk do ta ndjejnë si të veten, por së paku t’i shpëtojnë fëmijët e tyre të trishtuar, që kujtimet e trishta do t’ua rëndojnë jetën e nuk do të zbehen deri në frymën e mbramë të tyre. Ata shkojnë diku, por vetëm Zoti e di stacionin e tyre të përkohshëm a të përhershëm.

Te çdo fëmijë të trishtuar le të shohim me sytë e prindit të lënduar nga vuajtjet e fëmijës. Ata nuk janë kafshë. Janë si ne. Mbase më të mirë se sa ne, sepse botën tani e kuptojnë nëpërmjet dhimbjes, vuajtjes e trishtimit. Ata që në strajcat e shpirtit mbartin me vete zhgënjimin, janë bijë të atyre që sillnin prej atje margaritarë të dijes.

I kam parë nënat fytyrëpaqta që abortonin. Ishin mësuar me humbjet e çdoditshme. Lufta i merr jo vetëm të gjallët, por edhe ata që ende nuk kanë lindur. E bashkë me të palindurit shuan shpresat dhe pritjet e atyre që kanë besuar se do t’i gëzoheshin pranisë së foshnjes.

Gjithçka që shoh tani, e kam parë dikur…

I kam parë policët dhe ushtarët e egërsuar, të gatshëm që të vrisnin ata që dukeshin si të vrarë. Silleshin egër me të braktisurit. I paragjykonin viktimat, që kishin humbur gjithçka. Madje nuk besonin te kthimi në Itakën e tyre.

I kam parë së afërmi dhe shpirti ishte si një çerdhe e mbushur me zogj dhembjeje. Prandaj nuk mund të mbyll sytë dhe të shtirem se jam i verbër, kur shoh të njëjtat fytyra që i kam parë dikur… Nuk mund t’i mbyll sytë dhe nuk mund të jem asnjanës, si shumë prej atyre që dikur i shihja me dhimbje. Janë njerëz.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button