I varfër jam, zotëri

Zotëri, unë jam i uritur! Zotëri, unë jam mësues i papunë, i varfër dhe i uritur, dhe nuk më vjen turp ta pohoj. Jam dhe djalë i një familjeje punëtore tashmë të dalë në pension, që për dekada me radhë ndërtoi këtë m. . shtet me punë rraskapitëse dhe thuajse vullnetare. Jam edhe shok i sa e sa të papunëve, të uriturve, të varfërve, me familje punëtore e të papuna, që rrojnë me një asistencë sociale dhe zgjidhjen e kërkojnë nga bastet nëpër skedina.

Po Zotëri, jam i uritur dhe i varfër. Po, jemi të uritur dhe të varfër. Ndokush mund të mos e besojë se, në shekullin ku jetojmë, në shekullin e çokollatës dhe demokracisë, ekzistojnë njerëzit e uritur. Dhe jo pak, me qindra e me mijëra. Por po, ekzistojnë. Të jesh i uritur do të thotë të shtrydhesh bubullimat e barkut me byrekë, dhe ndonjë sandviç çmimkripur.

Por Zotëri, edhe pse të varfër e të uritur mendojmë se dymijë denari nuk është e vetmja mundësi e jona, sepse prindërit tanë kishin prodhuar goxha pasuri publike: universitete, qytete e institucione, ku ne do të drejtoheshim pa e vrarë mendjen. Me pak fjalë kishin ngritur një Shtet ku njeriu ka të drejtë të arsimohet, të punojë e të jetojë i lirë pavarësisht thellësisë së xhepave. Por pamë se të mirat publike kushtonin, edhe atë shumë më shtrenjtë, nuk janë më të popullit, qyteti ka rrugë sa ke para ne xhep, dija shitet si në tregun e gjësë së gjallë. Në këtë pikë, Vendi ynë ka rënë!

Zotëri, unë jam i uritur, i varfër dhe republikan! Diçka dua të them. Republika nuk mbahet në këmbë me qytetarë të shtypur e të uritur. Republika është rend politiko-shoqëror që lindi si reagim kundër urisë dhe shtypjes, nga të uriturit dhe të shtypurit, për një jetë më të mirë

Zotër, ne jemi shumë, megjithëse zor se mund të reduktohemi në shifër statistikore. Sa më shumë që jemi aq më pak peshojmë. Ne jemi “skota” të përhumburish në kërkim të riprodhimit të të përditshmes. Vetëdija jonë ngërthen fatalizmin më vetëbllokues me voluntarizmin më shkurrajues. Ne, si objekt i gjykimit të fatlumëve, jemi produkt i një fataliteti shoqëror që e konsideron varfërinë të pashmangshme, se “të varfër ka pasur dhe do të ketë gjithmonë”. Ata janë produkt i vullnetit të Zotit, dhe kur “Zoti e ka shkruajtur, Zoti të dhashtë!”.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button