Struga dhe shqiptarët peng i Badinterit

Nga temat pak të debatuara në opinionin publik në Maqedoni janë dhe ato të emërtimit të rrugëve dhe shesheve të qyteteve me shumicë shqiptare me emra nga e kaluara e sistemit të perënduar jugosllav, si sfidë e radhës dhe imperativ i kohës për t’i ndryshuar ato. Çështje problematike kjo, e cila ka bërë që subjektet politike shqiptare të heshtin e t’u shmangen debateve për këtë temë të nxehtë.

Subjekte politike shqiptare si DUI dhe DPA, janë shmangur qëllimisht debateve dhe kërkesave për ndryshime dhe zëvendësime të emrave dhe personaliteteve jugosllave të kohës, të cilët padrejtësisht mbushin rrugët dhe institucionet arsimore me emra antishqiptarësh të dëshmuar.

Një çerek shekulli pas rënies së sistemit komunist jugosllav reliktet e titizmit edhe më tej qëndrojnë si mbeturina të një kohe të shkuar nëpër rrugët dhe sheshet e komunave me shumicë shqiptare. Konkretisht, në komunën e Strugës përkundër dëshirës së shumicës shqiptare, shëtitorja kryesore mban emrin e antishqiptarit dhe “fodullit plak” Mareshali Tito. Emërtime si; JNA, Eduard Kardel e të tjerë si këta, “zbukurojnë” rrugët e qytetit të Strugës. Partitë e bllokut maqedonas VMRO-DPMNE dhe LSDM-ja, mbajnë peng përmes parimit, badinterit, mosndryshimit e riemërimit të rrugëve siç është JNA, e cila nuk është nderi as “roja e nderit” e së kaluarës së popujve të ish-Jugoslavisë, por është përgjegjëse për shkrumbëzimin dhe masakrat të kryera në qytetit të Vukovarit. Janë pjesëtaret e ushtrisë së JNA-së, inspiruesit dhe ekzekutorët në krimet kundër njerëzimit në masakrën e Sebrenicës.

Të vazhdosh të mbrosh të kaluarën me emrin e urryer të një armate që ka kryer krime kundër njerëzimit duke i mbajtur si emra rrugësh, është një rivrasje tjetër për gjithë viktimat e Srebrenicës dhe më gjerë. Njëmijë herë “jazëk” me këto qëndrime bllokut maqedonas duke mbrojtur mortajën e quajtur JNA, si ushtri popullore në mbrojtje të vendit dhe popullit që nuk i përket më, dhe nga ana tjetër aspirojnë për t’u anëtarësuar në strukturat euroatlantike. Ato janë turpi dhe faqja e zezë. Pikërisht, nga këtu duhej të fillonte këmbëngulja e kërkesave dhe kushteve të palës shqiptare në qeveritë e koalicioneve, si shembulli më i mirë i pastrimit të rrugëve dhe shesheve me emra të urryer dhe antishqiptarë nga komunizmi jugosllav, emra të cilët që qëndrojnë ende si fantazma mbi rrugët dhe entet arsimore të komunës së Strugës. Shmangia nga këto kërkesa që subjektet politike shqiptare nuk i parashtruan kurrë për shkak të qëndrimit dhe rolit të tyre të tyre prej vasali në demokracinë maqedonase.

Ishte po ky “Mareshali plak” Tito, përgjegjësi dhe fajtori kryesor për persekutimin dhe keqtrajtimet e shqiptarëve që nga lufta e dytë botërore deri në grahmat e fundit të tij. Ndaj dhe sot, subjektet politike që shohin vetëm leverditë e pushtetit duhet të shohin më parë se si t’i “pastrojnë” edhe këto “merimanga të varura” rrugëve dhe shkollave në komunën e Strugës dhe në të gjitha komunat me shumicë shqiptare në Maqedoni.
Por, partitë politike në këtë çerek shekulli të demokracisë maqedonase më shumë janë shëlluar kolltukëve të pushtetit se sa janë marrë me çështjet shqiptare. Përkundrazi, ata nuk e kanë prishur terezinë, atyre thjesht u kanë shkuar punët mbroth, gjithandej shend dhe verë! Sa i takon kryetarit të komunës dhe kompetencat e tyre në zgjidhje të kësaj problematike, ata bllokohen qëllimisht nga përdorimi i “levës së Badinterit” nga ana e bllokut maqedonas, i cili mbron pakicën nga votimi i shumicës në çështjet që kanë të bëjnë me interesat vitale të pakicës siç thuhet për këtë shpikje gjeniale që u soll për zbatim që nga MO. Kompetencat dhe detyrat që kanë shqiptarët si pushtet vendor në Strugë janë të përqendruara në kompetenca shërbimi siç janë: asfaltimi i rrugëve, pastrim- gjelbërimi, celebrimet martesore, funeralet dhe organizimi i koncerteve.

Si konkluzion, këshilli komunal dhe kryetari komunës kanë “çelësat e kashtës”!

Në zgjedhjet e parakohshme të vitit të ardhshëm partitë politike do të anashkalojnë këto tema sepse ato nuk janë në programet dhe qëndrimet e tyre politike. Fundja shqiptarët nuk i kanë varur shpresat vetëm te partitë e tyre, që për 25 vjet me radhë kanë tradhtuar interesat e tyre. Shqiptarët kërkojnë ndryshime dhe zgjidhje, jo si ato që ofrojnë partitë të afërta me pushtetin. Ata duan një tjetër rregullim shtetëror nga ai që është. Në të ardhmen ata shpresojnë në rininë e tyre studentore, si avangardë në çuarjen përpara të çështjeve të pazgjidhura shqiptare në këto anë. Një ditë do t’ia dalim.

Lajme të ngjashme

Back to top button