Djalli numëron votat!?

Nikita Hrushçov e pat zëvendësuar Stalinin pas vdekjes. Ai kishte mbajtur një fjalim para një mase të madhe njerëzish duke e kritikuar ashpër politikën e liderit paraprak –Stalinit. Pas fjalimit kishte mundësuar të parashtrohen pyetje. Dikush kishte diçka tejet provokative, e ajo ishte – “Ku ishit ju atëherë zoti president kur Stalini i kishte bërë gjithë këto punë të këqija”? Hrushçovi, dukshëm i nervozuar pat pyetur – “Kush është ai që ka parashtrua këso pyetje”? Në sallë qetësi e madhe. Në fund Hrushçova përgjigjet – “Unë atëherë isha atje ku tani është ai që ka parashtruar pyetjen”.

Tri herë kemi ndryshuar modelin zgjedhor me argumentime – shmangia e incidenteve, zvogëlimi i shpenzimeve, efektuimi i çdo vote etj. Por, tani shohim se modeli ekzistues i listave të mbyllura edhe më shumë i ka larguar të zgjedhurit e popullit dhe pushtetin nga qytetarët. Madje, ky model sikur ka ndihmuar në ndërtimin e sistemit mafioz në shtet. Modeli ekzistues dukshëm ka forcuar pozitën e liderëve partiak, të cilët në shumicën e rasteve sipas bindjeve të veta hartojnë listat e kandidatëve duke preferuar më të dëgjueshmit. Kjo dukshëm ka dëmtuar demokracinë brendapartiake edhe ashtu të cunguar, duke koncentruar pushtetin partiak ekskluzivisht tek liderët e në dëm të mekanizmave kontrollues brendapartiak. Kështu që tani partiakët hyjnë te lideri me mendim të vetin, kurse të dalin me mendim të tij.

Fakt është se edhe pas kaq vite jetë plurale, partitë politike e si bartëse kryesore të jetës politike në vend, akoma janë shumë larg kapacitetit të duhur demokratik. E gjithë kjo negativisht reflektohet edhe në ambientin e gjithmbarshëm demokratik dhe zhvillimor në shtet. Prej këtu edhe stagnimi i përgjithshëm në të gjitha sferat, pasi për një zhvillim të qëndrueshëm duhen institucione efikase dhe profesionale, e para së gjithash sundim të së drejtës. Kurse te ne, po të keni zënë një hajdut pushteti dhe të njëjtin e keni dërguar para gjykatës, ajo do t’u detyroj vjedhësin ta kompensoni me shumë të majme, pasi e keni ofenduar. Demokracia e vërtetë nuk mund të realizohet vetëm me proklamim formal të saj, por këtu nevojitet fuqizim efektiv i kapaciteteve profesionale dhe përgjegjësi në kuadër të vet partive politike si bartëse kryesore të jetës demokratike në shtet. Për ndryshe do të vazhdojmë të jetojmë me kualifikimin se demokracia është një proces që garanton se me ne nuk do të udhëhiqet më mirë se sa që meritojmë.

Parashtrohet pyetja – çka duhet ndryshuar që sistemi të filloj të shëroj organizmin e sëmur të vetin? Këtu mund shumë të ndihmoj ndryshimi i modelit zgjedhor në drejtim të seleksionimit sa më demokratik të të zgjedhurve të popullit. Për këtë çështje, disa herë Instituti Nacional demokratik (NDI), ka organizuar shtjellime kushtuar modeleve zgjedhore. Përkundër qëndrimit dominant të ekspertëve se në shtet duhet aplikuar modelin proporcional me lista të hapura, aktorët kryesor politik në vend këtë fuqishëm e kundërshtojnë.

Fakt është se përmes listave të hapura zgjedhjet do të fitonin dukshëm në legjitimitet, kurse rezultatet nga zgjedhjet do të ishin shumë afër vullnetit të votuesve. Kjo do t’u mundësonte qytetarëve që të ndikojnë në rezultatin zgjedhor përmes seleksionimit të drejtpërdrejtë të kandidatëve të propozuar. Te ky model, votuesi pos që voton për një parti politike, ai mund të rrethon edhe emra të kandidatëve në listën e propozuar. Nga kjo edhe bëhet rangimi definitiv i të kandiduarve në listë drejtpërdrejtë nga votuesit. Pra, qytetarët janë ata që bëjnë rangimin e të zgjedhurve e jo liderët partiak. Në fakt kjo duhet të jetë ashtu pasi sovraniteti buron nga vet qytetarët.

Përparësitë e listave të hapura janë:

1)Motivim më i madh për dalje në zgjedhje, pasi çdokush preferon dikënd;

2)Secila votë personalisht efektuohet;

3)Në mënyrë preventive ndikohet që të dekurajohen së kandiduari personat me kredibilitet të ulët moral, të vetëdijshëm se drejtpërdrejtë do të duhet të ndeshen me votuesit;

4)Partitë politike të ndikuara nga konkurrenca e fuqishme e kandidatëve nga parti tjera, do të kandidonin persona shumë më kualitativ dhe profesional, me çka do të rritej roli i parlamentit si institucion tepër i rëndësishëm në shtet;

5)Në masë të madhe do të eliminoheshin personat që përkundër veprimeve të tyre të paligjshme mbeten imun ndaj organeve të ndjekjes, kurse praktika ka treguar se mu këta persona më së shumti arrijnë të imponohen në liderët partiak;

6)Listat e hapura drejtpërdrejtë do të ndikonin edhe në reformimin e vet partive politike, pasi vështirë se lartë do rangoheshin liderë të korruptuar, me çka pozicioni i tyre dukshëm do të dobësohej dhe do të hapej rruga për ndryshime lideriste.

Por, para së gjithash duhet organizuar qasur zhvillimit të kulturës elektorale. Nuk mund t’i ndihmohet vetes me mos dalje në zgjedhje. Përkundrazi, udhëheqësit e këqij zgjidhen duke u falënderuar qytetarëve të mirë që nuk dalin në zgjedhje. Duhet të kuptojmë se nëse diçka përkrahim pa arsye, do të duhet të paguajmë me shumë arsye. Vite me radhë shpresojmë në një gram të vërtete, kurse fitojmë me tona mashtrime. Definitivisht duhet të kuptojmë se me zgjedhje të këqija nuk mund të fitohet pushtet i mirë.

Sa u përket njësive zgjedhore, modeli më i drejtë zgjedhor është ai me vetëm një njësi zgjedhore me prag sa më të ultë. Kjo me kusht që të jetë fjala është për lista të mbyllura. Por, nëse kemi lista të hapura, atëherë më i preferuar është sistemi i dy (eventualisht tre) njësive zgjedhore, por me ndarje të barabartë. Kjo për arsye se te te listat e hapura me një njësi zakonisht dominojnë emra të njohur të cilët njihen në mbarë shtetin, duke margjinalizuar kuadrot e reja të cilët edhe pse mund të kenë kapacitete, vështirë se kalojnë sepse janë anonim në suaza mbarshtetërore. Kjo do të pengonte ndryshimet dhe reformat, si ata brendapartiake ashtu edhe ata shoqërore. Por, sidoqoftë sistemin ekzistues me gjashtë njësi zgjedhore duhet lëshuar.

Megjithatë, para së gjithash, duhet pastruar listën zgjedhore, ku me gjasa ka rreth 150 mijë votues fiktiv që nënkupton rreth 18 deputet gratis VMRO-së. Kjo çështje madje është shumë më me peshë se sa çështja e modeleve zgjedhore. Kështu siç është siç duket – populli voton kurse djalli numëron.

Lajme të ngjashme

Back to top button