ANALIZË, BORXHET: Paratë harxhohen tani, e kush do t’i kthejë?

Për tre vjet e gjysmë, qeveria dukshëm e rriti saldon e borxhit të brendshëm që do të kthehet për pesë, dhjetë ose pesëmbëdhjetë vjet. Portalb mëson se në mesin e kreditorëve më të mëdhenj të shtetit, përveç bankave dhe kompanive të sigurimit, janë edhe qytetarët nëpërmjet fondeve pensionale. Çfarë borxhe u krijuan në periudhën që kaloi dhe si do të kthehen?

Qeveria planifikon marrje të borxheve në vlerë prej pothuajse 400 milionë eurosh…

Vetëm këtë vit, sipas rebalancit të buxhetit, qeveria nga kreditorët e brendshëm planifikon të marrë hua prej 383,6 milionë eurosh, që është për 300 milionë euro më shumë se sa që planifikonte në versionin fillestar të buxhetit për vitin 2015. Borxhi i brendshëm këtë vit pritet të rritet në mënyrë dramatike, në llogari të borxhit të jashtëm, i cili pritet të zvogëlohet. Në pako me rritjen e borxheve të brendshme, qeveria dukshëm e ndryshoi strukturën e tyre, gjegjësisht gjithnjë e më tepër rriten borxhet që do të kthehen për pesë, dhjetë ose pesëmbëdhjetë vjet. Еkonomistët për Portalb thonë se ky trend ka filluar para disa vitesh.

“Gjatë këtyre tre viteve e gjysmë, ose prej janarit të vitit 2012, me të vërtetë ka pasur një ndryshim dramatik strukturor në afatet e borxhit të brendshëm shtetëror. Për shembull, në janar të vitit 2012, letrat shtetërore me vlerë me afat të maturimit prej mbi 1 vit kanë marrë pjesë me 5,2%m ndërsa për tre vjetë e gjysmë pjesëmarrja e tyre është rritur në 58%, që është me të vërtetë një ndryshim i madh për një periudhë relativisht të shkurtër”, sqaron për Portalb profesori universitar, Vlladimir Filipovski.

Analiza e numrave, të cilën e bëri “Portalb”-i, tregon se gjatë disa viteve të kaluara qeveria dukshëm e ka rritur saldon e borxhit afatgjatë në terren vendor. Kështu, deri në fund të gjysmës së parë të këtij viti, borxhi që do të kthehet për 5, 10 dhe 15 vjet arriti në 435,3 milionë euro ose më shumë se një e treta e borxhit të përgjithshëm të brendshëm.

LSDM-ja opozitare, vlerësoi se shumica parlamentare, përsëri votoi buxhet pa opozitën, i cili është në dëm të qytetarëve dhe të firmave, tani në pako edhe me rritjen e konsiderueshme të huave të brendshme.

“Me rebalancin, qeveria planifikon dukshëm ta rrisë marrjen e huave në tregun e brendshëm për një përqindje marramendëse prej 454% ose 302 milionë euro. I gjithë publiku ishte dëshmitar se si gjatë emetimit të eurokambialit të fundit në vlerë prej 500 milionë eurosh, edhe ministrat edhe Gruevski jepnin deklarata se me emetimin e tij do të zvogëlohet marrja e huave në terren të brendshëm, dhe do t’u lihen më tepër para bankave për kreditimin e ekonomisë, që u tregua se nuk ishte e vërtetë”, deklaroi për Portalb Marjanço Nikollov, deputet i LSDM-së.

Nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet u përgjigjën se kjo qeveri në vazhdimësi i rrit pensionet dhe rrogat.

“LSDM-ja e kaloi në gjumë rebalancin e buxhetit, i cili në Kuvend gjendet që nga muaji korrik. Në qoftë se LSDM-ja shprehte dëshirë që më parë për të debatuar për rebalancin, do t’ua dërgonim në Greqi, që ta shfletojnë deri sa janë duke u rrezitur në plazhet greke. Mirëpo, do të kenë përsëri mundësi dhe me padurim i presim në Kuvend në debatin për buxhetin e vitit 2016”, theksojnë për Portalb nga partia në pushtet.

Paratë harxhohen tani, e do t’i kthejnë gjeneratat e ardhshme…

Sipas ekonomistëve, është trend evropian dhe botëror të ketë zvogëlim të kamatës themelore të bonove të thesarit, masë kjo e cila duhet t’i nxisë kreditorët që paratë e tyre t’i orientojnë kah financimi, veçanërisht i sektorit privat. Në Maqedoni, edhe pse tashmë një periudhë të gjatë qeveria dhe Banka Popullore ofrojnë kamata të ulëta, interesi për letrat shtetërore me vlerë nuk bie. Njëkohësisht, qeveria morri hua edhe nga kreditorët e brendshëm, bankat, kompanitë e sigurimit, fondet pensionale, që do të kthehen gjatë viteve të ardhshme.

Në këtë mënyrë, qeveria siguron para që do të harxhohen tani, e nuk do të ketë obligim t’i kthejë në afat të shkurtër, thonë ekonomistët.

“Çka mund të jetë shkaku për këtë? Në kushte kur kemi përqindje relativisht të ulëta të kamatave, për shkak se pas krizës financiare të gjitha vendet e zhvilluara caktuan përqindje të ulëta të kamatave, në një ambient të tillë, shteti apo cilido qoftë borxhli tjetër, do ta kishte më mirë dhe më racionale që të marrë borxhe për periudha më të gjata, për shkak se në atë mënyrë i fikson përqindjet e kamatave në nivel të ulët, sikurse edhe shpenzimet e tyre të kamatave për periudhë më të gjatë kohore. Mu kjo mund të jetë njëri nga shkaqet për ndryshimin e afatit të borxhit”, thotë për Portalb profesori Filipovski dhe shton:

“Shkaku i dytë është kur, për shembull, shteti merr hua për një periudhë më të gjatë kohore, atëherë edhe rreziku për pamundësi të kthimit të borxhit zvogëlohet, se sa nëse ka obligime afatshkurta, dhe në këtë kuptim, ky ndoshta edhe ka qenë motivi i shtetit tonë që të marrë hua me afate më të gjata të kthimit”.

Në mesin e kreditorëve më të mëdhenj të qeverisë janë bankat, kompanitë e sigurmit dhe qytetarët nëpërmjet fondeve pensionale.

“Te bankat, të dhënat tregojnë se gjatë kësaj periudhe prej tre vjetë e gjysmë, vlera e letrave shtetërore me vlerë të cilat i posedojnë bankat është rritur për 2,5 herë, dhe para 3,5 vitesh bankat kanë marrë pjesë me 65% në borxhin e përgjithshëm publik, ndërsa sot kjo është 47%. Domethënë, te bankat ka një zvogëlim të caktuar strukturor. Mirëpo, megjithatë ka rritje të vlerës. Interesi i shtuar i bankave për letrat shtetërore me vlerë duhet të kërkohet në atë se ato vlerësojnë se letrat shtetërore me vlerë u ofrojnë kushte më të mira, gjegjësisht rrezik më të vogël, se sa të japin kredi, gjegjësisht ta financojnë sektorin privat, apo biznesin ose qytetarët. Në këtë kuptim, ka të ngjarë që vlerësimet e bankave janë se në këtë moment, kombimin më të mirë të të ardhurave dhe të rrezikut u sjellin letrat shtetërore me vlerë, për të cilat kanë pritje më të vogla për të ardhura, mirëpo edhe rreziqe më të vogla”, thotë për Portalb  profesori Filipovski.

Sipas ekonomistëve, një moment interesant janë fondet pensionale, te të cilat për këtë periudhë trevjeçare ka pasur rritje të vlerës së letrave shtetërore me vlerë 21,5 herë, që është një rritje shumë e madhe. E shprehur në përqindje, pjesëmarrja strukturore është rritur prej 5% në 30%, thonë ekonomistët dhe vlerësojnë se kjo praktikisht nënkupton se me mjetet e të siguruarve pensionalë në njëfarë mënyre përsëri financohet shteti.

Deri në fund të qershorit, borxhi i brendshëm është 1,2 miliardë euro, ndërsa borxhi i përgjithshëm publik është 3,9 miliardë euro ose 43,7% e PBB-së./ Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button