Kultura ‘fast food’ dhe brezi i ‘touch-it’

Po e nis këtë artikull me xixën e një kujtimi të gjeneratave para nesh dhe raportin e asaj kohe më këtë tonën. Që gjërat kanë ndryshuar kjo as që diskutohet, por më bën përshtypje momenti i kalimit nga një frymë romantike tek ajo moderne dhe post saj, quaje edhe globalizuese po deshe. Nuk besoj se ka njeri i cili nuk pëlqen romancën, dua të them dashurinë në mes njerëzve, por jo këtë formë të të dashuruarit, por atë të moçmen, të Helenës me Paridin, apo edhe të Romeos me Zhulietën, për t’u stacionuar tek Naimi i cili thurte vargje poezie për të dashurën e tij, por që kurrë nuk e takoi atë, ajo ishte vetëm produkt i imagjinatës së tij. Si duket kjo energji për të dashuruar po zbehet. Ja po e çojmë deri te Kadareja me vargjet e famshme: “jetojmë të dy në një qytet dhe rrallë shihemi sa rrallë. ca pika shiu ranë mbi qelq, e unë për ty seç ndjeva mall”.
Nuk më jepet të vazhdoj më tej, sepse shoh një mjegullnajë të kësaj ndjenje kaq të natyrshme. Ose thënë më saktë këto përshkrime nuk vlejnë më, nuk ke mall për njeri sot jo. Po, kjo epokë na solli shumë risi e lehtësi, bashkoi mbarë botën e jashtme, por si duket rrezikon të ndajë atë të brendshmen. Sot nuk ka vlerë më letërkëmbimi, as koha me shi, e as loti që del pa patur nevojë. Kjo nuk frymon më. Sigurisht që ne nuk e kemi përjetuar të moçmen, por duke jetuar të sotmen, çuditërisht, e ndjejmë mungesën e të kaluarës, pa e njohur atë! 

Termi “fast food” në këtë rast, nuk kufizohet vetëm me të ngrënit e ushqimit të shpejtë, por shpjegohet si një kulture universale e kësaj forme të të jetuarit apo edhe të të parit të gjërave. Pra kjo është mënyra që ne sot ndërveprojmë, që ne sot dashurojmë, ndjejmë, përjetojmë, por edhe vuajmë! Çdo gjë ndodh në mënyrë të shpejtë dhe të shkurtër, pa shumë ndjesi dhe pa shije. Ky brez përballet me dëshirën për të pasur diçka të çastit dhe më pas e harron atë, duke i lindur po kaq shpejt dëshira tjetër, jo më e vlefshme se e para.

“Fast food” reflektohet edhe te komunikimi i dashurisë. A është kjo mënyra më e mirë? Këtë nuk di t’a them, sepse si duket shumicës i pëlqen kjo, ndërsa pakica, pjesë e së cilës jam dhe unë, është irrelevante në këtë rast. I gjithë ky trumpetim që i bëhet jetës reale, kalon në kakafoni që vetëm se e rëndon veshin me të gjitha shqisat tjera pas. Atëherë, pse gjithë ky entuziazëm për të qenë “fast-food-ist”?! Meqë lidhet me këtë, këtij brezi, i ka ikur dhe shija për një specialitet ushqimi.
Mjafton një McDonald’s për të tërë. Aty i gjen të gjitha. Nuk ka rëndësi kualiteti, por përfytyrimi i tij. Deshe s’deshe, është luks kjo, sepse qan goca 21 vjeçare për një hamburger mishi i të cilit përbën çdo gjë pos mishit! Pastaj fshin lotët dhe kap ”touch-in” për të ndarë me shoqërinë dhimbjen e madhe që ka në gji! E harron këtë, sepse ja tërheq vëmendjen fotoja e një plazhi të bukur emrin e të cilit e ngatërron, por nuk e vëren, sepse e ka fiksim plazhin! Më vonë i teket të shtypë “play” këngën e re të Rihanna-s “Pour it up”, videoklipin e së cilës je naiv nëse e quan vetëm erotik! Duke e parë me vëmendje, e kap fantazia të jetë në vendin e Rihanna-s, përsëri duke harruar se atë e duan biliona fansa por ajo vetë ka harruar të dojë veten e saj, pa çka se për botën ngelet një “superstar”! Nejse e kalon edhe këtë, sepse ja ku paraqitet ishi në chat për t’i kërkuar falje dhe për t’a lutur t’i japë edhe një shans… Djemve mos t’ju vijë për të qeshur historia e gocës, sepse ajo e djemve është dyfish më dëshpëruese! 

Filozofi i njohur gjerman dhe kritiku shoqëror i pasluftës së Dytë Botërore, Theodor W. Adorno, në librin e tij “Teoria e gjysmanalfabetizmit”, lidhur me një segment të kësaj çështjeje thotë: “Nga Perëndimi i egër, masmediat kanë përgaditur një mitologji rezervë, të cilën askush nuk e vë përballë me faktet e një të kaluare aspak të largët. Yjet e kinemasë, këngëtarët, përpiluesit e teksteve dhe titujt e këngëve po e dhurojnë një shkëlqim të ngjashëm të kalkuluar.”
Problemi tjetër që aspak nuk është i ndarë nga i pari, përkundrazi, është ai i “touch-it”, aty ku çdo gjë posedon, pa të drejtën e pronës, ku çdo gjë sheh “qartë” pa mos iu afruar, ku çdo gjë është e ndërthurur pastaj shpërndahet, zhduket dhe prapë ribëhet. Është kjo bota të cilën të gjithë pretendojmë se e njohim dhe në momentin kur mendojmë kështu, lind pyetja thelbësore: “Sa e njohim veten tonë”?! E gjithë kjo panoramë, kompleksiteti i së cilës kap çdo mikroorganizëm të qenies tonë, në fakt është një ëndërr e cila sa herë që duam na rishfaqet, qoftë identike, qoftë e modifikuar sipas dëshirës tonë, por mos harrojmë ama se ajo ngelet vetëm një ëndërr.
Duhet të kuptojmë këtë gjë se virtualiteti nuk është pasqyrim i realitetit por një reportazh i shkurtër i tij. Pra është një botë ku ke gjithçka dhe s’ke asgjë. Por çuditërisht vazhdon të na pëlqejë. Madje dita ditës po e sofistikojmë dhe e bëjmë sa më të pranishme në jetën tonë! Tani lind pyetja: “Çdo me thënë të jeshë “In”?” Sipas asaj që shoh unë, i bie të jeshë i manipuluar por jo vetëm kaq, të jeshë edhe mirënjohës për këtë dhunë psikologjike që dikush ushtron ndaj teje. Nuk është paradoks, i thonë sado-mazoizëm!

E nisa dhe e përmbyll me dashurinë, vetëm për të kujtuar rininë se ata edhe mund të jenë të sinqertë në atë që thonë por rrugën nëpërmjet së cilës e shfaqin atë, e kanë sureale. Ky surealizëm e varfëron manifestin, e shton pasivitetin edhe atë nëpërmjet të qenurit hiperaktiv!  
Janë halucinacione që neve na pamundësojnë të pamurit pa dioptri. Është interesant se shkaktimi i kësaj miopie nuk diagnostifikohet, ngase media na tërheq vëmendjen duke na ofruar shikim të largët, por jo deri aty sa të vërejmë shkurtpamësinë tonë!     

Lajme të ngjashme

Back to top button