Favoritët e Ligës së Parë kërkojnë fitore

E diela si zakonisht është termin i rezervuar për ekipet e Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë, e ku sot do të luhen ndeshjet e xhiros së tretë, ndërsa skuadrat favorite kërkojnë të konfirmojnë epitetin e tyre.

Shkëndija e Tetovës pas disfatës që pësoi në derbin me Vardarin, këtë javë vjen në Shkup, ku do të luajë si mysafire e Metalurgut, duke kërkuar fitore për të treguar se dështimi i javës së kaluar ishte vetëm një ditë e dobët.

Ndërkohë skuadra nga Çairi, ajo e Shkupit do të udhëtojë drejt Shtipit. Edhe shkupjanët dëshirojnë të vazhdojnë serinë pa disfatë, por kësaj radhe do të tentojnë të shijojnë fitoren, pasi në dy xhirot e para kanë barazuar. Shkupi në Shtip luan si mysafire e Bregallnicës.

Vardari në Gjorçe Petrov ndeshet me anëtarin e ri të Ligës së Parë, Mlladost Carev Dvor, ndërsa Horizont Turnova e pret liderin e renditjes Sileksin, skuadër kjo që deri më tani ka marrë pikë maksimale pas dy xhirove të para.

Takimi Rabotniçki-Renova është shtyrë, me kërkesë të vendasve nga Shkupi, pasi që dëshirojnë të shfrytëzojnë këtë periudhë për përgatitje sa më të mirë për ndeshjen e kthimit me Rubin Kazanin në kuadër të play-offit të Ligës sëEvropës. Katër takimet që zhvillohen sot, do të nisin në orën 16:30.
Dyshet e xhiros së tretë: Bregallnica-Shkupi, Metalurgu-Shkëndija, Vardari-Mladost C.D., Horizont T.-Sileksi, Rabotniçki-Renova. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button