Pse ata që lexojnë janë më të përshtatshëm për të rënë në dashuri

Ke përfunduar ndonjëherë ndonjë libër? Domethënë të kesh lexuar çdo fjalë, faqe më faqe duke hyrë në mënyrë të pandërgjegjshme në botën e librit.

E gjitha nis me një frymëmarrje të thellë, ndërsa ulesh me librin në duar me një ndjesi kënaqësie e në mënyrë të mendueshme. Ndihesh sikur një pjesë e jotja sapo fiton diçka dhe do ta humbe pas pak. Eksperimenton një ndjesi të thellë, diçka personale, duke përjetuar ndoshta një metamorfozë të përkohshme. Ashtu siç ndodh kur bie në dashuri me një të huaj që kalon dhe e di që nuk do ta shohësh kurrë më.

Ndihesh i trishtuar e njëkohësisht i kënaqur, ndihesh i plotësuar nga eksperienca me lidhjen, pasurimin që vjen nga zhytja në shpirtin e dikujt tjetër. Ndihesh i ngopur, qoftë dhe për pak kohë. Ky tip leximi sipas shkrimit të revistës TIME, të cilin e transmeton atsh, quhet “lexim i thellë” dhe është një praktikë që po shkon drejt zhdukjes me njerëzit që lexojnë gjithnjë e më pak.

Dhe kjo është një shenjë e keqe pasi është vërtetuar se lexuesit janë më të mirë dhe më të zgjuar se njerëzit e zakonshëm dhe ndoshta personat e vetëm që ja vlen të biesh në dashuri me to.

Sipas studimeve të njëpasnjëshme të psikologut Raymond Mar në Universitetin e York-ut në Kanada dhe profesorit Keith Oatley të psikologjisë njohëse në Universitetin e Torontos, është provuar se ata që lexojnë letërsi fiksionale janë më të ndjeshëm dhe më pranë “teorisë së mendjes” që përcakton aftësinë për të kuptuar opinione, besime dhe interesa të ndara nga ato personale.

Ata mund të pranojnë ide të reja pa i refuzuar ato dhe u qëndrojnë besnike ideve të tyre personale. Nuk është surprizuese fakti që lexuesit janë njerëz më të mirë, pasi supozohet që për të kuptuar të gjithë botën e larmishme njerëzore duhet të kesh nivele të ndryshme dije dhe eksperienca sociale të konsiderueshme; mos patja e tyre çon në frustracion dhe në narcizëm.

Për këtë arsye këto tipare janë më të pranishme tek personat që kanë më pak tendencë të jenë lexues. Përjetimi i eksperiencave të personave të tjerë nëpërmjet një syri abstrakt dhe gjithë përfshirës të mëson të kuptosh sesi është të lësh trupin tënd dhe ta shohësh botën nëpërmjet kornizave apo pikëpamjeve të të tjerëve.

Lexuesit (ata që dinë të lexojnë vërtetë) kanë hyrë në shpirtrat e qindra njerëzve dhe kanë mbledhur pak dije nga seicili prej tyre. Ata kanë parë gjëra që ju nuk do t’i kuptonit kurrë dhe kanë përjetuar humbjen e personave që ju kurrë nuk do t’i njihni. Ata kanë mësuar sesi është të jesh një grua, një fëmijë, një i moshuar, një emigrant apo një burrë.

Ata e dinë sesi është të shikosh dikë duke vuajtur. Ata bëhen gjithnjë e më të zgjuar e të ndjeshëm përgjatë viteve. Sepse leximi është diçka që të pjek dhe i jep diçka karakterit tuaj. Çdo triumf, leksion, dhimbje, humbje e protagonistëve bëhet gjithashtu e lexuesit duke jetuar jetët e tyre dhe duke mësuar nga seicila prej tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button