Përshtypje nga Barcelona

Kam gati tre javë pa shkruar. Më ka munguar shumë; shfryrja emocionale dhe intelektuale e përjavshme përmes bitsave dhe germave. Jam i lumtur që kam fuqinë të shprehem lirshëm dhe të ndaj mendimet me një masë më të gjërë, pa rrotlla. Jam i lumtur sot që kam vënë laptopin përmbi prehër, me dijen që do të ndaj me lexuesit dy javët e fundit të jetës sime. Janë dy javë të mbushura me eksperienca të reja, me njohshmëri, me shokime kulturore dhe me emocione të fuqishme. I inspiruar dhe i pushuar si kurrë më parë dhe qëllimisht i çkyqur për një kohë nga realiteti të cilin e lash pas ditën që u nisa për andej – për në Barcelonë.

Secili e përjeton Barcelonën në mënyrën e vet, ata që e kanë vizituar me siguri kanë përjetime të fuqishmë, ata që nuk e kanë vizituar akoma, jua rekomandoj fuqishëm. Për mua arsyeja e vizitës atje, pwrvec turizmit ishte shumë e qartë: të vizitoja familjarët e mi që kanë një kohë që janë transferuar atje. Por thellë thellë, udhëtimi për në Barcelonë ishte më shumë sesa një vizitë, apo një avanturë turistike. Thellë thellë, ishte edhe një kthim pas në kohë, në vitin 2006 kur për herë të parë me vëllaun tim të ndjerë qëndruam në këtë qytet mahnitës. Një peregrinazh në të kaluarën, një vit pas ndarjes nga ai. Ripërjetim jo vetëm i atyre ditëve, por edhe një përqafim me trashëgiminë e gjakut që la pas ai.

Ishte një eksperiencë e cila len gjurmë të thella shpirtërore, që të zgjeron horizontet mendore dhe kulturore dhe që të bën të ndjehesh pjesë e një bote që është kaq e madhe dhe kaq e larmishme. Të bën të dashurohesh me jetën, të mbush me energji pozitive dhe të bën të kuptosh që bota që ke lënë pas, Maqedonia, s’është gjë tjetër vetëm një zhurmë në komunikimin me jetën.

Gjëja e parë që të bën përshtypje në këtë qytet me popullsi prej pak më shumë se 1,5 miljon banorë është kozmopolitanizmi dhe harmonia. Brenda një viti vetëm qyteti i Barcelonës pranon mbi 8 miljon turistë nga e gjithë bota. Në rrugët e saj i gjen të gjitha racat, i dëgjon të gjitha gjuhët e botës, ndeshesh me të gjitha kulturat. Në Barcelonë ke njerëz të pasur e të varfër, homoseksualë dhe transvestitë që shëtisin lirshëm dhe të pa cënuar nëpër La Rambla, ke emigrantë nga gjithandej, si Maliku nga Pakistani që na shërbente në plazh, ke qytetarë që janë të ëmbël në komunikim dhe nuk përtojnë të të përcjellin po qe nevoja deri në atraksionin e ardhshëm arkitekturor të ndërtuar nga Gaudi.

Në fillim gjithçka të duket e tepruar, dërrmuese sepse receptorët e tu kulturorë janë mësuar me banalitetin e kulturës sonë përjashtuese dhe neglizhuese. Mungesa e byrekëve dhe simit pogaçave të bën përshtypje, por me kalimin e kohës e tejkalon nevojën e trupit për yndyrë dhe fillon e mahnitesh me kuzhinën e larmishme të këtij qyteti. Sepse kuzhina atje është harmonike me qytetin, është e ëmbël dhe e llojllojshme. Nga restorantet e vogla të tapave, hamburgerëve të Makamakës, deri tek restorantet ekskluzive ku duhet të presësh me ditë në listën e pritjes për të shijuar një ushqim të përgatitur bukur dhe shijshëm.

Lajmi i vetëm që e lexova për Maqedoninë atje ishte që ishin rrahur pa faj disa të rinj shqiptarë pas ndeshjes së futbollit mes Shkupit dhe Vardarit. Për një çast, realiteti i vendit ku duhej të kthehesha pas disa ditësh mu duk aq i dhimbshëm saqë dëshirova të mbetem turist tërë jetën. Ndërkohë unë, gruaja ime dhe tre fëmijët (nipi e dy mbesat e mia) përjetonim madhështinë e asaj që në botë njihet si Meka e futbollit – Camp Nou-n e famshëm që atë natë ishte veshur gala, i mbushur me plot 95.000 njerëz të të gjitha kombësive dhe racave. Askund shtyrje, askund sharje, askund rrahje – vetëm mahnitje me spektaklin që ishte organizuar para lojës, dhe kuptohet me golat e Messit, Neymarit dhe Rakitiçit.

Lash pas një pjesë të familjes, të qetë dhe të rilindur; ndërsa morra me vete një përvojë, një mësim mbi multikulturalizmin dhe harmoninë që do ta mbaj mend tërë jetën dhe që desha ta ndaj me ty lexues.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Shume shkrim i bukur, te lumte Parim! Na befaso me shpesh me diskurse te tilla, apolitike dhe te vlefshme.

Back to top button