Është ndarë nga jeta akademik Esat Stavileci

Është ndarë nga jeta, pasditen e së shtunës, akademik Esat Stavilevci, ka bërë të ditur, nëpërmjet një njoftimi për media, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), e cila vdekjen e akademik Stavilecit e quan humbje të madhe për familjen, për kolegët dhe miqtë e shumtë anë e mbanë Kosovës dhe trojeve shqiptare, si dhe për shkencën dhe akademinë, njofton Kosovalive.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Stavileci, miqve dhe adhuruesve të tij gjithandej Kosovës dhe botës shqiptare.

Njoftohet se një mbledhja komemorative do të mbahet të hënën, më 17 gusht 2015, në orën 10:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa homazhet nga ora 10:30-11:30 do të bëhen në mjediset e e kësaj akademie.

Varrimi i tij do të bëhet të hënën me 17 gusht në varrezat e qytetit të Gjakovë. Akademia përkujtimore dhe homazhet do të bëhen në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë nga ora 14:00.

Esat Stavileci ka lindur më 11 korrik 1942 në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit.

Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974.

Prej vitit 1965 deri në pensionim punoi profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoraturës. Krijimtaria e tij shtrihet në shumë fusha të interesimit shkencor, veçanërisht në ato juridike-kushtetuese, në fushën e sistemeve politike krahasimore, të administratës dhe të administrimit publik në përgjithësi, të metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike dhe në fushën e terminologjisë juridike.

Lajme të ngjashme

Back to top button