Shqipëria gati t’i humbet vizat

Rivendosja e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor është alternativa e fundit, por që nuk përjashtohet si masë për të ndalur përfundimisht fluksin e azilkërkuesve në Gjermani
Propozimi këtë herë vjen nga Unioni i Bashkive dhe Komunave gjermane, krerët e së cilës u propozojnë autoriteteve në Berlin, ashpërsimin e politikave për refugjatët, veçanërisht për ata nga Ballkani.

Rikthimi i regjimit të vizave, sipas kësaj shoqate, duhet parë si alternativë nëse shpallja si vende të sigurta origjine e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, ndalimi i rikthimit për azilantët të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, apo masa të tjera, nuk arrijnë të ndalin fluksin e azilkërkuesve në Gjermani.

Unioni ka reaguar pas deklaratës së një dite më parë të Ministrit të Brendshëm Tomas de Mezier, duke shprehur mbështetjen për propozimin e tij, për të vënë në provë nëse është sistemi i pagesave të larta, ai që nxit ardhjen e azilkërkuesve në Gjermani.

De Mezier propozoi gjithashtu që azilkërkuesve në kampe, t’u hiqet pagesa me para në dorë dhe t’u jepen mjete të nevojshme për jetesën e përditshme si ushqime apo veshje, një propozim që ka gjetur mbështetje nga opinioni publik.

Një tjetër propozim vjen nga Ministri i Ekonomisë së shtetit federal gjerman të Hesenit, Tarek Al-Vazir. Në një intervistë për televizionin publik lokal, Al-Vazir propozon që shqiptarëve dhe kosovarëve t’u jepet një perspektivë ligjore emigrimi në Gjermani, në mënyrë që ata të mos marrin mundimin për të kërkuar azil, në një kohë që në vendet e tyre kanë probleme ekonomike.

Kreu i Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët, Manfred Shmit, tha për mediat gjermane se ditët e fundit ka nisur aplikimi i rregullores së re të hyrë në fuqi më 1 Gusht, që u ndalon hyrjen në zonën Shengen azilkërkuesve, të cilëve u është refuzuar azili në Gjermani.

Lajme të ngjashme

Back to top button