U derdh vatani, u shkërmoq mileti

Thuhet që në kohë keqësimi nuk bën dobi konstatimi, por Maqedonia si duket ende ka nevojë për potencim të konstatimit se është në një gjendje të keqe dhe me shumë pak perspektivë për të çarë tej në zhvillimin e saj në një shoqëri dhe shtet normal. Kjo pasi shkaku i abuzimit me mediet në Maqedonia viteve të fundit nga ana e klikës qeverisëse, mbylljes të disa medieve dhe frikësimin e shumë të tjerave, percepcioni mes Maqedonisë reale dhe asaj që shfaqet në opinionin e brendshëm në vend është me shumë të çara dhe i pakompletuar.

Maqedonia mbeti e fundit e rajonit në shumë fusha zhvillimore dhe nuk po përparon prej viteve as në proceset integruese në BE. Por, Maqedonia më së shumti ka shkuar prapa në nivelin e funksionimin të sundimit të së drejtës në përgjithësi dhe kapacitetit institucional të shtetit. Vendi ynë, për vendin e fundit, së fundmi garonte me Bosnjë dhe Hercegovinën, por pasi kjo e fundit ia doli të kryen censusit e popullatës tani edhe simbolikisht ndodhet përmbi neve në listën për funksionalitet të shtetit dhe institucioneve.

Përveç për shkak të medieve dhe opinionit konstatimi i keqësimit ka nevojë të theksohet edhe shkaku i ndryshueshmërisë së saj brenda vendit. Ashtu shqiptarët dhe popullata shumicë, si në shumë çka tjetër,  janë të ndryshëm edhe në këtë gjendje të keqe.  Ashtu fjalia e shkurtë, por jo më pak e saktë, për përshkrimin e gjendjes dhe gjendjes së keqe të ndryshme brenda shtetit do ishte: maqedonasve para syve po u derdhet shteti, e shqiptarëve mileti.

Të parët çdo ditë e më shumë po arrijnë të shohin se sa pak vlejnë si shtet jashtë, me atë që rrënojnë brenda, por edhe brenda shtetit kanë rastin të njihen drejtpërsëdrejti me pasojat e uzurpimit të shtetit vetëm për vete dhe për të vetit. Ka shumë për tu thënë si përgjigje në pyetjen e maqedonasve se si është e mundur pas aq investimeve të tyre në ndërtimin e shtetit ai kështu lehtë të mund të uzurpohet vetëm nga një parti politike, bile në disa raste të përdoret për të mirën e vetëm një rrethi të caktuar të njerëzve dhe vetëm një kushërinie. Ndonëse këtu nuk arrijmë dot të tregojmë shumë nuk duhet lënë e pakta pa e thënë: pas aq orvatjeve për të zbatuar shtet, ligj dhe drejtësi të pjesshme dhe vetëm për vete, tani erdhi radha praktikisht të mësojnë se jo vetëm drejtësia, por as padrejtësia nuk janë të pjesshme në një shtet. 

Kurse shqiptarët si të dytët dhe të ndryshmit në këtë shtet mbetën në: as me te e as pa te. Ashtu pas Po-së që ia dhanë shtetit Maqedoni pas Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, patën rastin që këtë PO politikisht ta artikulojnë disa njerëz që doli se ishin intelektualisht të hendikepuar dhe pa shumë ngjizje, me vetë shqiptarët e Maqedonisë të cilëve nuk u ofruan zgjidhje. Përkatësia periferike e dy prej tre vendimmarrësve politik të shqiptarëve gjatë këtij dhjetëvjeçari simbolikisht u përçua si gjendje konstante për shqiptarët e këtushëm në raport me institucionet. Ata në mes qeverisë dhe komunave mbetën si në thënien kosovare: as me shehër, as me Barilevë. Ashtu kur shqiptarët shpiheshin për ka qeveria qendrore atëherë bëheshin dhe shkurtoheshin ligjet dhe ndarjet e komunave, kurse kur tani ato shpihen ka komunat, në praktikë ndodh centralizim i hatashëm i ekzekutimit politik në vetëm dy ose tre persona, që janë ose kushëri ose kumbarë mes vete. 

Vështirësitë në të cilat has komuna e re e Kërçovës, fitores të së cilës aq shumë ju gëzuan shqiptarët, mjafton si dëshmi për këtë gjë. Ndonëse kjo komunë udhëhiqet nga kuadër prej partisë qeverisëse BDI, asaj të njëjtës, me dhjetëra herë i kthehen prapë planet urbanistike dhe gati çdo iniciativë për të bërë ndonjë punë në atë komunë.

Por, për të dëshmuar fjalën se shqiptarëve para syve u derdhet mileti do duhet të kujtohemi edhe në mospërfaqësimin politik që edhe në nivelin bazik është shumë i madh. Ashtu në nivelin, vetëm për të votuar në zgjedhje, viteve të fundit, gjithmonë dalin më pak se gjysma e shqiptarëve të Maqedonisë. Por të kujtohemi edhe në migracionin dhe integrimin vetanak që bëjnë shqiptarët në Evropë apo tani rishtazi edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo pasi shkaku i mosfunksionalitetit të institucioneve paraqitet edhe, i ashtuquajturi, migracion i afërt, ku shqiptarë të këtushëm, për punë ose shkollim elementar, shkojnë edhe në Kosovë dhe Shqipëri. E nëse krejt kësaj ia shtojmë edhe gjendjen e përgjithshme në shoqërinë shqiptare prej funksionimit të institucioneve fetare e deri te ato arsimore, nuk është edhe aq i ashpër konstatimi se po derdhet mileti, në kuptimin e ç’thurjes dhe dezintegrimit si një tërësi politike.

Përputhja momentale e këtyre dy të këqijave të ndryshme dhe aktuale mund që për Maqedoninë të jetë fatale. Kjo shkaku i faktit se të qenurit e shqiptarëve një tërësi politike e vetëdijshme është dhe ka qenë një prej shtyllave të ekzistencës së Maqedonisë. Maqedoninë e ka bërë dhe vazhdon ta mbajë si shtet të qenurit e shqiptarëve të këtushëm milet. Në atë moment që shqiptarët si tërësi politike dhe komb shmangin interesin apo edhe marrjen me Maqedoninë, ajo edhe si shtet humb shumë, në mos edhe një nga arsyet esenciale të qenësisë së saj shtet. Më pas mund edhe të vazhdojë, por është e mundimshme, sikur ndonjë martesë ose lidhje që mbahet vetëm për hatër, prej pa çaresë ose nga inati.
  
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button