Fotografia

…Po mundohesha të shkrepja një fotografi ilustruese për lajmin që po punoja atë ditë. Sakaq në turmën e njerëzve dallova një grua, e cila nga fytyra dukej e re me moshë, por nga sytë shfaqej e rraskapitur me shqetësime. Ktheu kokën mbrapa e më la të kuptoj se më shumë se ata dy duart që zgjati, ajo i donte dy fëmijët që iu afruan. Ajo ishte një nënë!

Djali i vogël duke më shikuar ecte ngadalë- ngadalë drejt së ëmës, ndërsa mollëzat e faqeve po i skuqeshin nga turpi. U fsheh prej meje, si prej një të huaje e u struk pas më të dashurës, ku gjente siguri. Gruaja u mundua ta shkëpuste nga vetja sepse e mirëpriti qëllimin tim, por ai e përqafonte edhe më fort e nuk e lëshonte dot. Herë pas here më shikonte fshehurazi nga hapësira e gishtave, sikur të luanim symbylltas, por me kokëfortësi refuzonte ta shpaloste fytyrën engjëllore. Sigurisht, ajo pamje prekëse më bëri të harroja pse ndodhesha aty! Mirëpo sa po hiqja dorë nga të fotografuarit, nuk më la e motra që po qëndronte pranë meje.

Ajo flokëzezë, trupvogël, e cila më shumë se me tingujt e ninullave ishte rritur me të krisurat e armëve,  mbase sapo kishte mbushur 8 vjetë! Ajo vogëlushe, e cila para se të bënte pikturën e parë me ngjyra uji, kishte kaluar mbi tokë të përlyer me gjak; ajo, për të cilën topi mund t’i ngjante një bombe vdekjeprurëse, ndërsa kukulla një  kufome pa jetë; ajo, për të cilën eskursioni nënkuptonte braktisjen e dhimbshme të vendlindjes, udhëtim të lodhshëm nëpër rrugë të botës, pa një stacion të përcaktuar… e pavetëdijshme, vuante pasojat e dështimit të njerëzve si qenie politike  dhe e pafajshme, ndëshkohej për krimet e pakuptimta të mizorisë njerëzore. Se “Lufta është e lezetshme vetëm për atë që nuk e ka provuar” (Desiderius Erasmus). Fati i asaj që bota e quan “Emigrante” ma kujtoi tmerrin e 9 Majit dhe më tronditi më shumë se kurrë më parë.

Atë çast, papritur, ajo më fali një buzëqeshje e ma ngrohu zemrën! Ishte mahnitëse e akoma nuk po arrij dot ta kuptoj: ku e mori vogëlushja tërë atë fuqi sa për të më falur dhuratën më të shtrenjtë, që mund të ma linte si kujtim?! Apo vetëm një frymëmarrje në paqe është aq e fuqishme, sa që mund të bëjë mrekulli?!…

Xhamia e Kumanovës, strehë për emigrantët
Xhamia e Kumanovës, strehë për emigrantët (18.06.2015)

 

Lajme të ngjashme

Back to top button