Shënohet 103 vjetori i Çlirimit të Shkupit

Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, sot shënoi 103 vjetorin e Çlirimit të Shkupit nga ana e kryengritësve shqiptarë. Me këtë rast, para shtatores së Hasan Prishtinës në Shkup, u vendosën kurora lulesh nga Mehmet Prishtina dhe përfaqësues të shoqatës, me në krye Skender Asanin.

Në emër të SHHSHM-së, Baki Halimi tha se është kjo një ditë e veçantë, kur shënohet 12 gushti i vitit 1912, si ditë e hyrjes së mijëra kryengritësve shqiptarë në Shkup, me në krye Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Idriz Seferin, Bajram Daklanin, Zefin e Vogël, e shumë të tjerë. Sipas tij, kjo ngjarje madhore i dha shtytje përfundimit të procesit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që përfundoi me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Mehmet Prishtina, në emër të familjes atdhetare të Hasan Prishtinës, theksoi se ky prëvjetor është një rast i mirë për të nderuar kryengritësit shqiptarë, me në krye ideologun e pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinën. Sipas tij, idetë hasaniste në Shkup janë duke u gjallëruar gjithnjë e më tepër, dhe ato po konkretizohen edhe me idenë madhore për hapjen e universitetit shqip në Shkup.

Ndryshe, Komanda Shqiptare hyri pa luftë në Shkup më 12 gusht 1912, që merret nga diplomatët e kohës si fitore e shkëlqyer e udhëheqjes shqiptare. Kjo hyrje triumfale e mbi 30 000 luftëtarëve shqiptarë në Shkup, i dha një intensitet edhe më të madh kryengritjes në krahinat tjera të Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button