Ministria ndan bursa në vitin shkollor 2013-2014

Qeveria e Republikës së Maqedonisë përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës edhe këtë vit shkollor 2013-2014 vazhdon me ndarjen e 737 bursa në gjashtë kategori të ndryshme.

Do të ndahen 400 bursa për mbështetje sociale të nxënësve, 80 për nxënës me status të fëmijëve pa prindër, 50 bursa për nxënës me nevoja të veçanta, 150 për nxënës të talentuar-sportiv, 50 për nxënës të talentuar dhe 7 për nxënës nga drejtimi hotelierik-turistik.

Në konferencën e sotme për shtyp ministri i Arsimit dhe Shkencës Spiro Ristovski informon se bursat janë dedikuar për nxënës të rregullt në shkollat e mesme publike dhe private në Maqedoni të cilët nuk kanë përsëritur vit në arsim dhe nuk kanë shfrytëzuar bursë nga institucione tjera.
Kandidatët, potencoi ai, duhet të plotësojnë kushte shtesë të specifikuara në konkurset për secilën nga kategoritë.

Konkurset do të shpallen në mediat për shtyp dhe në faqen e internetit të MASH-it, të hënën, ndërsa aplikimi do të zgjasë dy javë.

Ministri Ristovski theksoi se të gjitha dokumentet e dorëzuara me shkrim dhe në mënyrë elektronike, do të kontrollohen në mënyrë të detajuar me qëllim të përcaktimit të drejtë dhe korrekt të bursave.

Lajme të ngjashme

Back to top button