Stemat private-familjare shqiptare

Lexo pjesën paraprake: Stema territoriale në Shqipëri (FOTO)

Prej stemave private-familjare shqiptare hasen vetëm stemat e familjeve feudale Kastrioti dhe Dukagjini. Stema të familjeve të tjera feudale shqiptare, si kanë qenë Topia, Gropaj, Arianiti, Jonimi etj. ose nuk ka, ose nuk janë zbuluar, ose autorit të këtij artikulli nuk i janë të njohura. Me siguri dihet vetëm se familja Muzaka në letërsi ka shumë të dhëna. Kështu Kondakov dhe Mirkoviqi vërtetojnë se stemë e familje Muzaka ka qenë shqiponja dykrerëshe pa përmendur ngjyrat.[1] Solovjevi jep të dhëna për stemën e Muzakës dhe thotë se ajo ka qenë “shqiponjë e kurorëzuar dykrerëshe me yll”.[2] Megjithëse me siguri mund të thuhet se stema e familjes Muzaka ka ekzistuar, autori i këtij artikulli nuk ka mundur të gjejë burim heraldik prej kah do ta fotografonte e do ta sillte në këtë artikull.

Në këtë studim janë paraqitur 18 stema private-familjare nga periudha të ndryshme, 11 të familjes Kastrioti dhe 7 të familjes Dukagjini.

  1. a) Stemat e familjes Kastrioti

Për shkak se të popullaritetit të madh që kishte Skënderbeu – Gjergj Kastrioti qysh në kohën kur ka jetuar, në tërë Evropën ku donin ta paraqitnin si luftëtar kundër islamit, stemat e kësaj familjeje vizatoheshin, shtypeshin ose ribotoheshin në koleksione të ndryshme e libra. Po ashtu shkruheshin libra ku paraqitej jeta dhe lufta e Gjergj Kastriotit, e në ata libra vihej edhe stema e atyre familjeve.

Prej të gjitha burimeve heraldike, shihet se stema e Kastriotëve ka qenë e qëndrueshme, elementet themelore të saj po ashtu, e sidomos emblema që ishte vazhdimisht shqiponjë dykrerëshe e zezë me fletë të hapura.

Prej të gjitha stemave të Kastriotëve, më së shumti gjendet mburoja me formë varjaze pak e prerë në anën e majtë Anen e majte, stemat (fig. 2, 3, 8, 10, 13, 19), vetëm në fig. 16 e 25 mburoja nuk është e cunguar. Mburoja që është e cunguar ose e prerë nga ana e majtë heraldike shënon se ajo familje posaçërisht është dalluar me trimëri. Vetëm një mburojë ka formë katërkëndëshe ose francezeFig 7  (fig. 7), një formë katrore ose spanjolle  (fig. 24) dhe një stemë nuk ka mburojë, por emblema është vendosur në rreth, d.m.th. është në formë vule (fig. 1).

Në stemat e Kastriotit dominon ngjyra e artë dhe e verdhë e mburojës (fig. 2, 3, 7, 8, 16, 19, 25), në dy raste mburoja ka ngjyrë të bardhë (fig. 10 e 24) dhe vetëm në një rast të zezë (fig. 1)

Shqiponja e zezë me fletë të hapura dominon si emblemë në stemat e Kastriotëve (fig. 2, 3, 7, 8, 10, 13, 16, 19 e 25). Vetëm një herë shqiponja është e bardhë (fig. 1) dhe një herë në vend të shqiponjës, ka emblemë tjetër, d.m.th. dorë me pallë (fig. 24). Si thamë dora me pallë të shtrembër ka qenë stema e Gjergj Kastriotit si patrik (fisnik) venedikas.[3]

Në të gjitha stemat e Kastriotëve që janë paraqitur këtu ka helmeta, madje të ndryshme. Vetëm tri stema nuk kanë helmeta (fig. 1, 12, 24).

Stemat e familje Kastrioti në raste të shumta kanë drapëri (pëlhurë) që lëshohet nga të dyja anët e stemës. Vetëm stemat në fig. 1, 2, 7, 24 e 25 nuk kanë drapëri, të tjerat kanë. Sipas rregullave heraldike drapëria duhet të ketë ngjyrë të njëjtë me stemën e mburojën. Pikërisht për këtë shkak drapëritë në këto stema janë me ngjyrë të verdhë dhe të zezë (fig. 2, 8, 10, 13, 19). Vetëm në fotografinë 16 drapëria është e kuqe dhe e verdhë, që nga pikëpamja heraldike nuk është e drejtë. Drapëritë zmadhoheshin gradualisht e kështu shndërroheshin në japonxhë që e përfshinte krejt stemën. Japonxha nuk ka qenë pjesë e domosdoshme e stemës. U paraqit në shek. XVI. Në shek. XVII japonxha u stolis me ornamente të ndryshme që shprehnin shijen artistike dhe stilin e epokës. Japonxha fillonte prej ballëzës dhe lëshohej në të dyja anët e mburojës si drapëri. Kështu japonxha paraqitet si lidhje midis helmetës dhe stemës mburojë. Sipas rregullave heraldike, japonxha duhej t’i kishte ngjyrat e mburojës.[4]

Stemat e Kastriotëve zakonisht nuk kanë japonxhë. Për shkak se stemat e Kastriotëve kryesisht thuajse nuk kanë japonxhë, kjo është shenjë se ato janë qysh para shek. XVI. Vetëm stemat në fig. 17 dhe 25 kanë japonxhë, pra janë të një kohe më të vonshme, por stemat e tjera (fig. 1, 2, 3, 8, 10, 13, 16, 19 dhe 24) nuk kanë.

Kurorë nuk ka vetëm stema e fig. 8, të gjitha stemat e tjera kanë kurorë mbi helmeta. Kurora është e artë ose princërore.

Mbi kurorë qëndron mbihelmeta. Në stemat e Kastriotëve mbihelmeta e këtillë është shqiponjë e kuqe dykrerëshe (fig. 3, 7, 8, 10, 13, 25), e vetëm në një rast ka shqiponjë të zezë (fig. 19) e në fig. 1, 2, 16 dhe 24 nuk ka mbihelmeta. Ata kalorës që dalloheshin më shumë herë në turnirë kanë pasur të drejtë të vënë mbihelmetë ballëz ose mbihelmetë si shenjë se janë dalluar në turnir, si shenjë trimërie. [5] Pra, ballëza është stoli që mbahej mbi helmetë për trimërinë e treguar dhe ajo ka mundur të jetë pupël, bri, fletë, flamur, kalë, shpend, njeri ose kafshë. Për shkak se ballëza vihej mbi helmetën quhej edhe “mbihelmetë”.[6] Ballëza ka mbetur prej kohëve të lashta kur ushtarët në vende të ndryshme e stolisnin kokën me sende fantastike që të duken më të tmerrshëm për armikun dhe të kenë një pamje sa më luftarake.[7] Më vonë ballëza u bë pjesë stolisëse e stemës dhe e kishin nëpër stema kalorësit e ndryshëm pa dallim se janë dalluar në turnir ose jo. Ballëza nuk është pjesë e domosdoshme e stemës. Stemat territoriale nuk e kanë pasur këtë.

Mbi shkrimet janë të ndryshme, disa herë janë vendosur mbi , disa herë nën stemë, e vetëm një herë në rreth (fig. 1). Mbishkrimet janë këto:

Georgius Castriot Scendarbigo (fig. 1)

KASTRIOTICH (KASTRIOTIC) (fig. 25)

CASTRIOTICH (fig. 7, 10, 13 dhe 16)

CASTRIOTCK (fig. 3)

CASTRIOTTO (fig. 24)

CASTRIOTCHC (fig. 8 dhe 19)

ПЛЕМЕНА КАСТРНОТН ЦИМЕРН (fig. 3 e 13)

Vetëm në një stemë nuk ka asnjë mbishkrim (fig. 2).

Në stemat e Kastriotëve kryesisht ka shirit ku gjenden shkrimet. Vetëm në stemën në fig. 1, 2, 8, 16, 24 dhe 25 nuk ka asnjë shirit. Shiritat janë katërkëndësh de të lakuar. Gjenden edhe mbi edhe nën stemën e Kastriotëve.


[1] Dr. Lazar Mirković, Mrnjavčevići, “Starinar”organ arheološkog društva u Beogradu. Treća serija, 1. III. Bgd. 125, 23. Kondakov, Makedoni. Sofija, 284.

[2] Solovjev, Istorija srpskog grba, 143.

[3] Bojničić, Der Adel von Kroatien und Slavonien. Nurnberg 1898, 84.

[4] Gl. her. viti I, nr. I, fq. 7.

[5] Novaković, Heraldički običaji kod Srba u primeni i književnosti Godišnjica Nikole Čupića VI-1884, fq. 5,6 dhe 7.

[6] Kamenčeva, v.c. 58.

[7] Aрсеньевъ, v.c. 213.

Lajme të ngjashme

Back to top button