ANALIZË: Maqedoni, statistika të errëta: doktorë, profesionistë largohen nga vendi

Punësimi rritet, papunësia zvogëlohet. Qeveria jep subvencione dhe realizon programe të ndryshme për punësim, veçanërisht për të rinjtë që janë të aftë për punë, ndërsa nga ana tjetër “murtaja e bardhë” e faros vendin. Hulumtimi i fundit i statistikës shtetërore tregon se në dhjetë vitet e fundit nuk ka të ndalur trendi i migrimit nga Maqedonia, trabsmeton Portalb. Vendin e lëshojnë jo vetëm punëtorët me kualifikim të ulët, por edhe mjekë, profesionistë, magjistra. Nga pjesa perëndimore e Maqedonisë, sipas numrit të atyre që largohen, udhëheqin Tetova dhe Ohri. Në të njëjtën kohë, Shkupi bëhet gjithnjë e më i ngushtë – rritet migrimi prej fshatit në qytet.

Ekzodusi migrues – të rinjtë largohen nga Maqedonia!

Amerika kaloi në vend të parë – ajo është destinacioni kryesor për emigrim, gjegjësisht për shpërngulje të qytetarëve të Maqedonisë. Pas SHBA-ve, gjendet Australia, e cila tradicionalisht vlen si destinacion për “kurbet”. Pasojnë vendet evropiane, Gjermania dhe Zvicra. Hulumtimi i ri për migrimin, të cilin e realizoi Enti shtetëror i statistikës, evidentoi nëntë mijë persona të shpërngulur, ndërsa vetëm vitin e kaluar, vendin e kanë lëshuar pothuajse 900. Hulumtimi tregon se në periudhën prej vitit 2004 deri në vitin 2014 vërehet rritje kontinuale e numrit të qytetarëve të shpërngulur. Sipas analistëve, mu ky hulumtim zbulon tregues seriozë për migrimin e qytetarëve.

Si arsye kryesore për shpërngulje në vendin e parë janë shkaqet familjare, pason punësimi, e më pas vënia e kurorës, gjegjësisht martesa. Sa i përket strukturës së moshës, më shumë se gjysma e të shpërngulurve janë të moshës prej 15 deri në 64 vjet, që sipas analistëve është tregues se vendin e lëshon popullata që është e aftë për punë.

“Është e qartë se në luftën për jetë, standard dhe perspektivë më të mirë, qytetarët, veçanërisht më të rinjtë dhe kuadrot e arsimuara, në qoftë se kanë mundësi, largohen nga Maqedonia. Kjo shpërngulje e kësaj kategorie të qytetarëve mund të ketë ndikim mbi gjendjen e tregut të punës në vend. Në fakt, me zvogëlimin e numrit të popullatës së aftë për punë zvogëlohet edhe baza në bazë të të cilës llogaritet përqindja e punësimit dhe papunësisë, që ndikon në krijimin e pasqyrës për gjendjen e përgjithshme në vend”, sqarojnë për Portalb, ekonomistët.

Hulumtimi i Entit shtetëror për statistikë zbulon se vetëm vitin e kaluar Maqedoninë e kanë lëshuar 47 profesionistë, 31 teknikë dhe 47 persona me profesione për mënyrë joindustriale të punës në prodhimtari. Nga profesionet e tjera, vendin e kanë lëshuar 45 punëtorë nga veprimtaritë shërbyese, rreth 108 punëtorë të llojeve të tjera, 17 nëpunës dhe 8 anëtarë të organeve ligjdhënëse, funksionarë, drejtorë. Përderisa nga njëra anë numrat tregojnë rritje të shpërnguljes nga vendi, nga ana tjetër në vazhdimësi realizohen programe qeveritare për zvogëlimin e papunësisë, që është njëra nga shkaqet kryesore për largim nga Maqedonia.

“Investimet e huaja të cilat qeveria u përpoq t’i paraqesë si një lloj bumi ekonomik në vend, nuk kontribuan për zvogëlimin e papunësisë, e as të migrimit. Kushtet johumane dhe joprofesionale për punë të punëtorëve të fabrikave, të cilat dolën në sipërfaqe, e prishën fotografinë ideale të cilën u përpoq ta krijojë qeveria me reklamimin e investimeve. Rrogat e ulëta, marrëveshja e fundit e qeverisë me punëdhënësit që të mos paguhet K-15, i mbajnë peng punëtorët për shkak se nuk mund të gjejnë punë tjetër. Edhe pse në fillim të vjeshtës, në rrethinën e Velesit do të hapet fabrika e re gjermane “Markart”, rrogat do të jenë në nivel të minimumit të Maqedonisë, që është një lloj shantazhi i punëtorëve. Ose pranoni ose shkoni dhe gjeni diçka më të mirë. E kjo situatë ndikon drejtpërdrejt për rritjen e migrimit drejt vendeve të huaja. Fotografia reale për migrimin e qytetarëve të Maqedonisë nuk mund të fitohet edhe për shkak të mosrealizimit të regjistrimit të popullsisë, për shkak të të cilit nuk ka qasje në rrjedhat e vërteta financiare dhe populluese në vend”, sqaron për Portalb analistja, politikologia, Sonja Stojadinoviq.

Vetëm vitin e kaluar, vendin e kanë lëshuar 82 kuadro me arsim të lartë, magjistra dhe doktorë.

Migrimi prej fshati në qytet…

Së bashku me trendin e shpërnguljes nga Maqedonia, statistika regjistroi edhe një gjendje alarmante, migrimin masovik nga vendbanimet rurale në qytete.

Në vitin 2014, numri i përgjithshëm i personave që kanë migruar prej vendbanimit rural në mjedis urban është rritur për 14.2% në krahasim me vitin e kaluar. Numri i personave të moshës 15-29 vjet që kanë migruar është rritur për 12.8%, si dhe i personave që janë në moshë të aftë për punë (30-64 vjet) për 21.7%, që sipas ekpertëve flet për atë se mjediset rurale i lëshojnë personat e aftë për punë.

“Në vitin 2014 vazhdon trendi i rritjes së migrimit nga cilido mjedis në atë urban, veçanërisht në kryeqytet, në Shkup, ku janë shpërngulur më shumë se gjysma e të shpërngulurve”, njoftoi Enti shtetëror i statistikave.
Edhe për këtë gjendje, shkaku duhet të kërkohet në pozitën ekonomike-sociale të qytetarëve, thonë për Portalb, politikologët.

“Migrimet fshat/qytet në Maqedoni, edhe pse janë dukuri normale, rrjedhat e tyre dhe shkalla e intensifikimit gjithmonë janë të kushtëzuara nga gjendja ekonomike e vendit. Shpërngulja e shtuar e qytetarëve prej fshatit në qytet në 10 vitet e fundit më së shumti është e kushtëzuar nga gjendja ekonomike, e cila nga ana tjetër, më së shumti i godet mjediset rurale dhe ato të qytetit që janë më larg kryeqytetit, veçanërisht në Maqedoninë Lindore”, thotë Stojadinoviq dhe shton:

“Qytetet kufitare në vend kanë bashkëpunim më të madh me komunat kufitare të vendeve fqinje se sa me qendrën, gjegjësisht Shkupin, mirëpo ato bashkëpunime ekonomike nuk kontribuojnë në shkallë të madhe për zhvillimin е tyre që të pengohet ose së paku të zvogëlohet shpërngulja. Vetë centralizimi i rrjedhave ekonomike në Shkup dhe centralizimi i pjesërishëm i procesit të marrjes së vendimeve politike dhe ekonomike ndikon negativisht mbi pavarësinë financiare dhe politike të migrimit prej fshatit në qytet, e poashtu edhe jashtë vendit”.

Përveç numrit të qytetarëve të shpërngulur jashtë Maqedonisë dhe prej fshatit në qytet, të dhënat tregojnë edhe lëvizje të tjera negative demografike. Sa i përket strukturës së moshës, popullsia e Maqedonisë gjithnjë e më shumë plaket. Në periudhën prej vitit 2004 deri në vitin 2014, pjesëmarrja e popullatës së re, deri në 14 vjet, në popullsinë e përgjithshme është zvogëluar prej 20% në 16.8%, ndërsа pjesëmarrja e popullatës së vjetër, mbi 65 vjet, është rritur 10.9 % në 12.7%.”

Sipas të dhënave të fundit që janë në dispozicion nga Banka Botërore, vendi tashmë ballafaqohet me largim dramatik të qytetarëve. Prej vitit 1998 deri në vitin 2011 janë shpërngulur 230.000 banorë, gjegjësisht 10 për qind e popullatës së përgjithshme. Nëse vazhdon kjo tempo, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore deri në vitin 2030 vendi do të ketë më pak se 1,8 milionë banorë, kundrej 2.1 milionëve aktualë. Një pjesë e madhe e të shpërngulurve jo vetëm që janë të aftë për punë, por kryesisht janë edhe njerëz me arsim të lartë, të cilët në kërkim të ekzistencës dhe kualitetit më të mirë të jetës, për çdo ditë e lëshojnë vendin./ Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Po po a nuk e shifni ju gazetar se cfar loparesh jan ba doktor po merni e shifni ne cfar gjendje eshte spitali Tetoves prej lopareve dhe prej barive vetem shkoni e shifni cfar kuaj jan ba doktora

Back to top button