Politika e munguar

Sot ka të rinj e të reja, të zotë, të ditur, të përgjegjshëm, që mund të udhëheqin denjësisht me punët publike.

Mjerisht, sot i dituri dhe i përgjegjshmi përballet me të fortin, të cilit i qëndrojnë pas i rrepti dhe i shkepti.

Sot është përmbysur urtësia e Mithat Frashërit, se i dituri duhet të kujdeset për të paditurin, se i pasuri duhet të kujdeset për të varfrin dhe i shëndoshi për të sëmurin.

Sot i padituri vendos për të diturin, i varfri ja shton pasurinë të pasurit, i sëmuri duhet të kujdeset për shëndetin e të stërshëndoshurit.

Sot është rrënuar sistemi i vlerave, sepse ligjin e bën i veshuri me pushtet.

Sot ka triumfuar filozofia e tmershme e barazisë – barazimi i gjeniut me mediokrin.

Sot secilit ja merr mendja të bëjë politikanin, teksa sheh se kush merret me politikë; me këtë profesion e mision të përgjegjshëm e të vështirë, që kërkon veprimin e matur, por paraprakisht të menduar.

Sot, nëse analizoni kujdesshëm profilin e shumicës së politikanëve, do të arrini në përfundimin se janë të paktë ata që para se të inkuadroheshin në jetën politike, kishin shënuar suksese në profesionet e tyre.

Sot të dështuarit në profesion dhe pa profesion, shkëlqejnë në politikë.

Sot mungesa e sistemit të vlerave dhe kriminalizimi i politikës ka ngjallur ndjenjën e defetizmit – humbjen e besimit te politika.

Kjo është ndjenjë vetëshkatërruese, sepse nuk ka komb të lirë pa politikë dhe se mungesa e politikës e ngulfat dhe e mban peng një komb.

Sot imponohen njerëz nën mesatare, pa mendim e vizion politik dhe luftohen tmerrësisht ata që duan t’ia kthejnë kombit politikën e munguar.

Sot triumfojnë ata që politikën e kuptojnë si pushtet e privilegj dhe luftohen ata që politikën e kuptojnë si princip organizimi të jetës shoqërore dhe shpirtërore.

Sot dhelpërisht janë katapultuar në majat e Olimpit njerëz për të cilët atdheu ka përmasat e oborrit të tyre.

Kur degjenerimi i politikës arrin kulmin, ora e fatkeqësisë troket frikshëm…

Sot nuk ka dallime ndërmjet funksionarit të kohës së monizmit dhe atij të sotmit.

Ata që shitnin moral, duke akuzuar funksionarët e djeshëm, sot nuk dallojnë prej tyre.

Sistem i dikurshëm, në thelb brutal, ka filluar të na duket më i mirë se sa i sotmi. Edhe më keq: na duket mision i vështirë dekriminalizimi i politikës.

Këtij “sistemi” i duhen figura që nuk u lëviz qerpiku kur populli i tyre shkon drejt katandisjes, mjafton të realizojnë nevojat meskine.

I duhen teknokratët që, prej kabineteve të ajrosura, paketojnë dhe shumëfishojnë gënjeshtra për mijëra vende të reja pune, pa na treguar si do të hapen, mjafton që ata të jenë të leverdishme në sezonën e mbledhjes së votave.

Të këtillët, të patrazuar, zhvendosen prej një posti ministror në tjetrin. Janë gjithkund, sepse janë për askund. Janë aq të mirë sa nuk vlejnë asgjë. U ka trokitur fati, për sa kohë janë të heshtur, të dëgjueshëm.

Sot duhet të fillojë procesi i dekriminalizimit të politikës se pa këtë nismë pamundësohet gara politike me mjete politike. Nuk na duhen liderë. Na duhet politikë që funksionon përsosmërisht dhe që ka fytyrë njerëzore. Politikë e shëruar prej krimit.

Na duhen… sa e lehtë për ta thënë, por në realizimin e saj nuk mjafton një shkrim, as qindra shkrime. Duhet që kjo ide të shtrihet në hemisferat e mendjes së atyre që ende nuk janë lodhur prej mashtrimeve…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button