Kërkesat për ndryshime në kodin zgjedhor nga ana e LR-PDSH dhe RDK

Koalicioni “Aleanca për shqiptarët” në përbërje të Lëvizjes për Reforma PDSH dhe Rilindjes Demokratike Kombëtare, në kuadër të bisedimeve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, parashtron kërkesat për ndryshime rrënjësore të Kodit Zgjedhor të Maqedonisë, duke marrë për bazë rritjen e nivelit të demokracisë përfaqësuese dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-së për zgjedhjet në Maqedoni:

1) Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KQZ) duhet të ri-formatohet dhe të depolitizohet, duke zgjedhur përfaqësues apartiak në përbërjen e saj. Sa i përket legjitimimit të kandidatëve për anëtar të KQZ-së, kërkojmë që kjo të bëhet duke u votuar me konsenzus në Kuvend, nga të gjitha partitë parlamentare. Në këtë mënyrë do të sigurojmë që në të ardhmen KQZ mos të merr vendime bazuar në interesa partiake apo etnike.

2) Përpilimi i Listës së re Zgjedhore të jetë në kompetencë të KSHZ-së së ri-formatuar dhe asesi në kompetencë të Entit Shtetëror për Statistik (ESHS) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Arsyet për parashtrimin e kësaj kërkese qëndrojnë në atë se: ESHS karakterizohet me punë jo-transparente dhe manipulime. Gjithashtu ky institucion është i papërfaqësuar nga ana e bashkësive etnike jo-shumicë. Ndërsa institucioni tjetër, ai i MPB-së, nuk është aspak i besueshëm për të përpiluar apo mbikqyrur regjistrimin e listës së re të votuesve, përshkak të manipulimeve dhe keq-përdorimeve të shumta që ka bërë në të kaluarën.

3)  Pas pastrimit të listave nga votuesit fiktiv, kërkojmë që në vend të gjashtë njësive zgjedhore, jo të barabartë deri më tani, vendi të  shëndrohet në një njësi zgjedhore. Kjo do të kontribonte për demokratizimin e shoqërisë dhe partive politike dhe do të ishte shprehje më reale e koloritit politik dhe etnik që ka RM-ja. Në kuadër të kësaj, kërkojmë që votimi i kandidatëve për deputet të bëhet me lista të hapura, duke u paraparë edhe prag zgjedhor prej 3%. Me këtë do të rritej cilësia e kandidatëve që konkurojnë për deputetë, do të mundësohej që deputetët të jenë në shërbim të votuesit dhe do të evitonte qasjen poltroniste ndaj liderëve të tyre. Ky model zgjedhor do të siguronte përfaqësim më dinjitoz edhe për bashkësitë më të vogla etnike, të cilat nuk do të kenë nevojë që të ju bashkangjiten koalicioneve të mëdha duke u kushtëzuar dhe keqpërdorur nga ata.

Ndërsa sa i përket Njësive zgjedhore të Diasporës 7,8 dhe 9-të poashtu kërkojmë që ato të unifikohen në një njësi zgjedhore, në të cilën do të zgjidhen gjithsej 2 deputetë, njëri nga bashkësia etnike shqiptare, ndërsa tjetri nga bashkësia etnike maqedonase. Në këtë mënyrë dy bashkësitë etnike me numër më të madh të diasporës do të zgjedhnin përfaqësuesit e vet, në mënyrë korrekte dhe të drejtë.

5) Sa i përket periudhës së nevojshme për ri-regjistrim të votuesve, periudha e paraparë prej 3 muajsh është e pamjaftueshme për regjistrim të mirëfilltë, prandaj kërkojmë që ri-regjistrimi i votuesve të vazhdojë të bëhet në mënyrë aktive, duke evidentuar votuesit derë-më-derë, deri në një muaj përpara fillimit të fushatës zgjedhore.

6) Kërkojmë që Zgjedhja e Presidentit të Republikës të bëhet në Kuvend, me qëllim që kandidati i mundshëm për President të zgjidhet në frymën e konsenzusit mes bashkësive etnike, dhe ky funksion shtetëror në të ardhmen të ju takojë shqiptarëve. Në këtë mënyrë do të siguronim nivel më të lartë të demokracisë përfaqësuese dhe do të pasqyronim karakterin multi-etnik të shtetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button