Për Ruhiun dhe Kezharovskin

Për triumfin e të keqes nevojitet vetëm një gjë – heshtja e njerëzve të mirë (Edmond Burke) 

Nuk e kam njohur as Ruhi Bakiun dhe as Tomisllav Kezharovskin. Edhe nëse i kam parë në medie, nuk do t’i kisha mbajtur mend po të mos e kishin fatin e pësuar. Në fakt, ky shkrim i trajton këto raste si dukuri dhe rehatine tonë kolektive ndaj asaj që nuk na prek në lëkurë.

Vdekja e të parit kaloi në heshtje, me dy-tre shkrime në mediet shqipe dhe pothuajse injorim të plotë në ato maqedonase. Për një javë nuk dihej me siguri as emri i viktimës, thuajse jetojmë në Kinë dhe jo në një vend ku gjysmën e mëhallës e njohim me breza. Në fund, edhe kur u identifikua trupi, lajmi u tret ne makinerinë e krijimit të realitetit me skandale të reja. 
         
Pa e hetuar mirë vdekjen e profesorit tetovar, erdhi goditja e radhës, me dënimin paprecedent për gazetarin e ditores Nova Makedonija. Teza për krimin dhe dënimin ka plot, teori konspirative me bollëk. Në një vend si ky i joni, ku as rastësia nuk ndodh lirshëm, është vështirë të besohet një vdekje natyrale, fatkeqesia e rastit ose krimi që duhet ndëshkuar. 

Nuk ka si të jetë ndryshe, për një vend ku të paraburgosurit vetë-mbyten në kova uji dhe kjo kalon si normale. Është e pamundur, kur një adoleshent vritet në shkollën e mesme ndërtimore në mbrojtje të shokut, ndërsa vrasësi shëtitë i lirë. Më parë, vrasja mizore e një të riu nga forcat policore në shesh as që u diskutua nga deputetët qeverisës në Kuvend, sepse nuk e panë të udhës të kërkojnë përgjegjësi institucionale. Deri sot, as që dihet numri i fëmijëve që kanë pësuar rrugëve nga bandat e dirigjuara për të ndjelljur frikë… 

Ndërlidhja e rasteve të cekura, atij të Ruhiut dhe Kezharovskit është pjesë e monedhës së njëjtë – relativizimit dhe mbylljes së syve para fatkeqësive që nuk na prekin në lëkurë. Krejt kjo e kombinuar me shoqërinë e ndarë etnike dhe grushtin ë fuqishëm partiak mbi gjithçka. 

Shteti që vret dhe burgos kuturu nuk u krijua sot. Segregimi etnik dhe social vetëm se po kalon në një nivel më të lartë, duke i ndjekur kundërshtarët e klikës partiake. Shqiptarët mbase nuk tronditen aq shumë, për arsyen e vetme se kanë përvojë me dhunën dhe krimet institucionale. Duke u ndeshur për herë të parë me shtetin, maqedonasit janë kapur në befasi dhe nuk dinë si të veprojnë, tashmë kur ballafaqohen me kurthet gjyqësore dhe policore.

Vite me radhë, herë njëra anë dhe herë tjetra (etnike apo politike) mashtrohet se ndërtojmë shoqëri dhe shtet, pa çarë kokën për sundimin e ligjit dhe fuqinë e institucioneve. Akoma nuk është kuptuar se nuk mund të ketë shtet për disa, ndërsa jo për të tjerët. Me parë ndarja bëhej në baze etnike, tani me kute partiake. Heshtja e thellë ndaj krimeve që i bëheshin pakicës etnike, tani aktualizohen meqë i kthehen bumerang edhe shumicës që është pakicë politike. Esenca është krejt e njëjtë – qeverisja jo përmes ligjeve, por me forcë dhe shtypje. 
Konformizmin shoqëror dhe përfitimet momentale të prindërve do t’i paguajnë fëmijët e tyre në kot-shkolla dhe me mjekë që dinë hiçgjë. Pretendimi i jetës finlandeze nuk do të na shpëtojë nga çmimi i tmerrshëm, meqë makina e urrejtjes dhe zhbërjes vazhdimisht kërkon mish të ri. Ky qark nuk i kursen as ata që bëjnë be në nënën parti dhe babën lider, kur i shohin bashkëveprimtarët partiakë me pranga në duar, krejt në emër të pastrimit të krimit. 

Futja e kokës në zall, ashiqare nuk sjell rezultate. Gajreti se pa u bë keq nuk bëhet mirë nuk ka skaj, meqë gjithmonë ka edhe më keq. Pritja që diçka të ndryshojë vetë ose falë presionit evropian është e kotë. Me këtë ecuri, shteti herët ose vonë do të degjenerojë në dhunë të hapur, meqë nuk ka institucione që mund ta kanalizojnë urrejtjen e akumuluar, ndërkohë që pushteti i shfrenuar ka krijuar pafund shumë njerëz që nuk kanë asgjë për të humbur. 

Për ta kuptuar epilogun, ia vlen të shihet ngritja e neo-nazizmit në Greqi. Ajo që dukej margjinë dhe kanosje vetëm për të huajt, për një moment u shndërrua në problem kryesor për të gjithë. Modeli është i njëjtë – legjitimimi i dhunës dhe pastrimit të kundërshtarëve (fillimisht etnikë, pastaj edhe politikë) duke e kthyer kokën anash, sot ose nesër i bie në qafë të gjithëve, veçanërisht atyre që mendojnë se do të përbirohen duke e ulur kokën.  

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button