Kështu fliste Iliri

Pauzat përherë e marrin tatimin e vet: kështu ndodh me punën, me miqësinë ku ka hyrë largësia, me dashurinë që kemi harruar ti bëjmë “hyzmet”.

E flisnim këtë me Snopçen. Mbrëmje e nxehtë verore, tjerët flejnë, ne kuvendojmë me mallin e mungesës së gjatë. I posaardhur nga Rio-ja ku ligjëron matematikën para amfiteatrove të mbushura fund e majë, i shkojnë edhe studentët e grupeve tjera që ta shijojnë enigmën e profesorit ndër më të dashurit në Univerzitet, kështu flasin statistikat interne…Përveç ligjërimit, vazhdon edhe kërkimet shkencore dhe bashkëpunimet me hulumtues më me zë, Brazili është i njohur me investimet që motivojnë emra të spikatur, përfshirë dhe fitues të medaljes së Fildsit, të zhvillojnë pikërisht këtu një pjesë të karrierave të veta të shkëlqyera. Në mungesë të çmimit Nobël për matematikë, medalja e Fildsit konsiderohet si shpërblim më i madh matematikor, emëruar sipas matematikanit kanadez Xhon Filds dhe nga viti 1950 ndahet çdo katër vjet për dy, tre apo katër për matematicientë nën moshën 40 vjeçare. Këto janë të dhënat, kurse muhabeti, me pak fjalë:

-Më duket sikur bisedat televizive përpara (si gazetare) më dilnin më entuziastike.

-Normale është kjo Lendush. Maqedonia e vitit 2000 nuk është e njëjta me këtë në 2015.

Vazhdon të më flasë se njerëzit kanë qenë më optimistë përpara, përfshirë dhe ata të fushës së kulturës. Besimin e kanë pasur më të fortë: në vete, në të tjerët, në shoqërinë, kurse besimi në sukses është gjysma e suksesit. Janë mbështetur në potencialin e vet, nisur nga logjika se delli krijues, posaçërisht në vend të vogël me treg të vogël, nuk mund të mos regjistrohet, vlerësohet, afirmohet. Sot më të aftit i ke jashtë vendit, kurse të mbeturit këtu o të pashfrytëzuar o të zhgënjyer nga mënyra se si (keq)përdoren. Përgjithësisht njerëzit përpara kanë shikuar më çiltër, kurse dipotria përcakton pamjen e botës në sytë e tua, rrjedhimisht ta dikton tempon e ecjes.

Mos prit mysafirët në emision të rrezatojnë pozitivisht si dikur, se pozitivitet ka shumë më pak sot se dje, thotë Iliri. E dëgjoj me kujdes, jo vetëm për koeficientin që ka, por edhe për faktin se tash sa vjet, si shumë supertalentë tjerë, jeton jashtë, dhe kur vjen për pushime i detekton gjërat më saktë se ne që mësohemi edhe me shëmtitë, edhe me marritë, ndaj daljet nga binarët vijnë duke na u bërë si pjesë normaliteti…

Mandej flasim për publikun televiziv sot.

Një pjesë bukur e madhe të qepur pas serialeve turke, kush i shikon jepet pas shumë epizodeve në ditë, s’mbetet realisht as kohë as inspirim për përmbajtje tjera.

Të rinjtë që përcjellin formate kryesisht të huaja televizive në celularë, emisionet kulturore sigurisht nuk i kanë të memoruar në aparatet e shtrenjta.

Një pjesë e publikut normalisht të kthyer kah sinjalet televizive të Shqipërisë apo Kosovës, kur duan të dëgjojnë dhe shikojnë shqip.

Iliri përkujtohet se si pas bisedës që kam zhvilluar me të për TVM-në para një dekade e ca, të njohur e të panjohur e përshëndetkan kalimthi, citokan pjesë nga intervista. Sa veta do ta kishin ndaluar sot në rrugë ngaqë e kanë parë në emision të një televizioni vendas në gjuhën shqipe?

Shumë gjëra që sikur i dija m’u përvijuan më qartë dhe do i mbaj mend gjatë nga biseda me kushëririn e dashur, në mbrëmjen e nxehtë verore kur gjithë tjerët flenin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button