Tragjedi kolektive

Një tregim oriental përshkruan udhëtimin e një predikuesi fetar për në qytetin Kamir. Pas dy ditë udhëtimi nëpër shkretinë, ja në dukje qyteti. Por, për habi para portës hyrëse të këtij qyteti, udhëtari i lodhur vërejti një gjelbërim tejet ekzotik përplot me lule që i jepte një pamje parajsë. I mahnitur nuk mundi e të mos hyjë brenda. Por, mbeti i shastisur kur pa se sa shumë gurë të bardhë kishte në të, ku shkruante diçka. Filloj të lexojë – “Abdel Tareg, ka jetuar 8 vite, 6 muaj e 3 ditë”. Më tutje – “Jahmir Kahlib, ka jetuar 5 vite, 8 muaj e 9 ditë”! Shpirti iu dridh kur pa qindra e mijëra mbishkrime të ngjashme. Më gjatë që dikush kishte jetuar ishin 9 vite, 3 muaj e 6 ditë. A thua çfarë tragjedie kolektive mund t’u ketë ndodhur këtyre fëmijëve të mjerë që aq masovisht paskan vdekur!? – pyeti në vete predikuesi. Derisa qau me zë e lotët i shkonin rrëke, u afrua roja e varrezave duke i thënë – mos u trondit njeri i Zotit, pasi sipas traditës sonë lokale secili person gjatë jetës së vet shkruan vetëm ditët e lumtura që ka jetuar. Në fund ato mblidhen dhe shndërrohen në vite muaj dhe ditë. Vetëm atë kohë e llogarisim si jetesë, kurse tjetrën si kohë të humbur apo si ndëshkim e vuajtje.

Kaluan 14 vite udhëheqje nga një strukturë e ndërtuar nga ideale të lyera me gjak, e cila shembi jetën e qindra mijë personave. Tani ata që dhanë jetën rrotullohen në varr, kurse këta të gjallit sillen rreth e rrotull, pasi gjithë këta vite vështirë se mund të shndërrohen në një muaj jetesë. U derdhë gjaku i shumë idealistëve për një jetë më të bardhë, por të cilën prijësit e tyre e këmbyen me paratë e zeza. Vite me radhë njerëzit mashtruan veten duke u besuar më shumë veshëve se sa syve. Pasuruan hajdut me veshje kombëtare. Tragjedi është kur njerëzit shndërrohen në aso figurash që gjithherë kanë premtuar se kurrë nuk do të jenë. Varfëruan veten duke pasuruar ata që aq shumë kujdesen për dinjitetin e kryeministrit, i cili pamëshirshëm vite me radhë shkeli dinjitetin tonë. Të përkujtojmë enciklopedinë famëkeqe të ASHAM; ligjin mbi natalitetin; rrahjet nëpër shtëpi e autobusë; likuidimin e shumë personave; Shkupin 2014; montazhet politike; investimet e njëanshme; diskriminimi buxhetor, ofendimet e thjeshta; e gjer te tragjedia e Kumanovës. Si duket të gjitha këta paskan më pak peshë se dinjiteti i kryeministrit!

Tani duhet të qajmë me zë e lotët të na shkojnë rrëke, ngase mbi 150 mijë shqiptarë=6- janë larguar nga vendlindja. Pushtetarët bënë që këtyre të mjerëve çdo kund t’u jetë më mirë se sa në vendin e vet, e kur të vdesin në ndonjë gurë do t’u shkruajnë – lindi në Maqedoni dhe vdiq s’di ku! Shkollat u zbrazën që dikush t’i mbush xhepat. Tani serish oferta emocionale – gjuha, flamuri, Skënderbeu…, të cilat faza faza i kemi pas që nga 1945. Shpresohet në harresën e shpejtë për NATO (brenda 6 muajve), për njërin nga tre funksionet kyç (që edhe në komunizëm e kishim), për kandidatin konsenzual (mashtrimi për të fituar Ivanovi), gjuha (që s’flet)… Por, ishim të gatshëm që t’i votojmë luanin e VMRO-së dhe ndryshimet kushtetuese për larjen e parave përmes zonave ndërkombëtare financiare. Fakt është se Gruevski vazhdimisht ia ka djegur listën e kërkesave BDI-së përmes rasteve të Hagës (të cilat as vjetërsohen e as shuhen me ligj apo interpretime). Por, edhe duke i korruptuar dhe kushtëzuar. Pastaj lehtë e kishte që kur t’i kujtohej t’i hedhë nga avioni pa parashuta. Çka është më e keqja, akoma në BDI se kuptojnë se Gruevski vite me radhë ata i ka detyruar që mbrapsht t’i hypin kalit të tërbuar.

Gruevski vet serish aktivizon makinerinë për të dëshmuar se populli akoma është me të edhe përkundër skandaleve për të cilat brenda ditës shkohet në burg. Opozita maqedonase nuk diti të shfrytëzojë masën kritike të studentëve, nxënësve dhe shumë shtresave tjera duke besuar në të palogjikshmen, se faktori i jashtëm do t’ia heq kokën Gruevskit përmes ndonjë formule magjike. S’kuptonte se s’ka faktor nga jashtë që do t’u thotë përdorni revolucionin. Atë duhet ta bëni vet duke marrë rrezikun mbi vete. Tani DPMNE tallet me Marrëveshjen dhe për këtë ka përkrahjen edhe të përfaqësuesve shqiptar të cilët tallen me popullin. E kjo nuk mund të përfundojë ndryshe pos me destabilizim, i cili do të duhet të ndodhë muajve në vijim po që se vazhdohet me të njëjtën.

Gabim krucial bënë Komisioni Evropian, por edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizës, kur vazhdimisht potenconin se dialogu me Gruevskin është i domosdoshëm që të mos kemi destabilizim. Pra, duhet dialoguar me krimin e organizuar, me privatizuesit e shtetit, me shkelësit e çdo vlere, me keqpërdoruesit në masë, të pavetëdijshëm se mu këto struktura në vete përmbajnë kapacitet serioz destabilizues. Opozita edhe këtu ishte naive. Askush s’mund ta kuptojë se angazhimet për demokraci, drejtësi e barazi mund të jenë burim destabilizimi. Përkundrazi, tolerimi i krimit dhe shumë shkeljeve çojnë në destabilizim. Mbeten shpresat e fundit te prokurori special, i cili po të pengohet të funksionoj, e sigurt është se vjeshta do të jetë shumë më e nxehtë se sa vera.

Po ashtu është jashtë çdo logjike të pritet nga këta persona ta reformojnë gjyqësorin. Ata që krijojnë problem nuk zgjidhin problem. Kjo nuk është punë e njerëzve të vegjël që rrethohen nga persona akoma më të vegjël, por e njerëzve të mëdhenj të rrethuar me akoma më të mëdhenj. Nuk bisedohet me dhelprën me shpresë se do ta bindni se s’bën më të hajë pula. Vjedhje marramendëse nga “Makedonska banka”, “Aktor”, “Sinohidro”, “Sahara Group”, banesat luksoze të funksionarëve të VMRO-së, tenderët qind milionësh, placet për vila e hacienda në Vodno, firmat në Belize, e panumërt keqpërdorimesh. Sistemet funksionale tani më kanë futur në burg shkelësit – Babolisin (e Aktor-it), Subratën (e 20 mijë lopëve) dhe Jeremiqin (e larjes së statujave), por ne me këta tanët bisedojmë! Duhet t’ua ruajmë autoritetin e dinjitetin! Mazohizëm i përmasave historike. Por, ja që sistemi pa certifikatë mjekësore s’lejon që të drejtoni madje as një traktor, por lejon që të drejtoni një shtet!
Tani kur na sollën buzë greminës, kthehen dhe vrasin edhe ata pak idealistë që kanë mbetur. Por, fundi i zi është i pashmangshëm. Lehtë mund t’u ikim njerëzve që na kërkojnë vetëm me sy, por s’mund t’u ikim atyre që na kërkojnë edhe me fuqinë e shpirtit. Sa më jetë e gjatë për këtë strukturë aq më jetë e shkurtër për të gjithë ne. Fakt është se vetëm amatorë inordiner mund të mendojnë se pas gjithë këtyre peripecive serish të njëjtët do të mbeten në pushtet. Por, fakt se çmimi do të paguhet, madje edhe jashtë vullnetit të faktorit të jashtëm. Fundja edhe ata s’do të kishin harxhuar kaq energji që serisht të njëjtët të mbeten në pushtet. Si të tillë jemi edhe rrezik rajonal. Madje edhe kohët ndryshojnë. Kush para 14 viteve ka menduar se s’duhet përkrahur këtë strukturë – s’ka pasur zemër, por kush akoma mendon se duhet përkrahur kjo strukturë – s’ka tru. Fakt është se këtu përgjegjësinë më të madhe kanë dy partitë e reja të cilat kanë okupuar terrenin e fituesit. Po të mos ta realizojnë këtë, ata do të mbeten të evidentuar si varrosës të kufomave që kanë vrarë këta të tanishmit. Për këtë duhet shumë punë dhe shumë ndryshe.

Lajme të ngjashme

Back to top button