ANALIZË: Dy prokurorë – një rast, kush do ta udhëheqë hetimin për “bombat”?

Ka shumë pengesa juridike dhe ligjore në rrugën për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos. Еkspertët thonë se edhe pse në marrëveshjen ndërmjet katër liderëve potencohet formimi i prokurorisë speciale, përkundër asaj aktuales në krye me Zvërlevskin, megjithatë deri më 15 shtator, deri kur duhet të formohet prokuroria “paralele”, ka një numër të madh dilemash, mirëpo edhe pengesash serioze juridike që do të duhet të tejkalohen dhe të zgjidhen, veçanërisht pasi në ndërkohë, Prokuroria publike njoftoi se ka filluar hetimin për rastin e LSDM-së – “Bombat politike”.

Si do të transferohen rastet “Bombat” dhe “Puçi”?
“Po” për prokurorinë speciale e cila në mënyrë objektive edhe të paanshme do ta udhëheqë procedurën për rastet “Materialet e përgjuara” dhe “Puç”, mirëpo parashtrohet pyetja si do të formohet ajo, si do të veprojë dhe si do të reagojë. Këto, sipas ekspertëve, janë vetëm një pjesë e dilemave që kanë të bëjnë me formimin e organit të ri që do të formohet me qëllim të caktuar dhe do të merret rreptësisht vetëm me këto dy raste. Si do të funksionojë prokuroria e re dhe a do të ballafaqohet me obstruksion akoma pa u formuar? Kjo çështje u hap pasi Prokuroria publike nëpërmjet komunikatës me shkrim, njoftoi se ka filluar hetim për rastin “Bombat politike”. Sipas ekspertëve, njëra nga pengesat e para juridike për funksionimin e “prokurorisë speciale” është ajo se legjislacioni vendor aspak nuk e parasheh ekzistimin e instancës së këtillë gjyqësore.

“Së pari, në bazë të Ligjit për prokurorë publikë, në vend aspak nuk parashihet ekzistimi i “prokurorisë speciale”. Kjo zgjidhje hap edhe shumë dilema, së pari, cilat do të jenë kompetencat e saj, gjegjësisht në cilin domen do të ketë autorizime kjo prokurori dhe si do të veprojë. Dihet se kjo prokurori speciale duhet t’i shqyrtojë rastet për materialet e përgjuara dhe “Puç”-in. Që të realizohet ideja për prokurorinë speciale do të duhet të ndryshohen disa akte të përgjithshme, mirëpo konsideroj se prokuroria, gjegjësisht prokurori duhet të ketë autorizim të plotë, në përputhje me ligjin, që të mund t’i ndërmarrë edhe veprimet përkatëse. Prandaj, propozimi për prokuror publik ka shumë paqartësi”, thotë njëri nga prokurorët e mëparshëm, Jovan Tërpenovski.

Në marrëveshjen e Përzhinos, të cilën e mbështetën të katër liderët, thuhet:

“Deri më 15 shtator 2015 do të ketë prokuror të ri special publik me autonomi të plotë të zhvillojë hetime që kanë lidhje me dhe që dalin nga përgjimi i komunikimeve. Prokurori special do të emërohet me marrëveshje të palëve të nënshkruara më poshtë”.

Mu kjo dispozitë, me të cilën më 15 korrik u kompletua pika 6 e Marrëveshjes së 2 qershorit, konsiderohet si njëra nga më të rëndësishmet që u arritën në takimin e liderëve, për shkak se nëpërmjet saj duhet të fillojë hetim i pavarur për veprat penale që janë zbuluar me “bombat” dhe gjithçka që është e lidhur me ndjekjen e komunikimeve, duke e përfshirë edhe rastin aktual “Puç”.

Njëkohësisht, prokuroria ishte edhe në fokusin e Raportit të Pribes, prej ku në formë të rekomandimit doli edhe zgjidhja e tanishme. Në Raportin e ekipit të ekspertëve të BE-së theksohej se “Hetimet për veprat penale të zbuluara me bisedat e përgjuara duhet të shqyrtohen seriozisht, pa dyshim dhe pa frikë, në mënyrë joselektive, me ç’rast prioritet duhet të kenë ato me keqpërdorimet më serioze”.
Sipas ekspertëve,dilemë plotësuese është ajo se çka do të ndodhë me procedurat që tashmë kanë filluar në kuadër të prokurorisë aktuale e që kanë të bëjnë me rastet “Puç”-i dhe “Bombat”.

“Prokuroria duhet të sqarojë se çka do të thotë instalimi i prokurorit special. Çështje tjetër është se çka do të ndodhë me hetimin e deritanishëm për rastin “Puç”-i, a do të ndërpritet, a do të suspendohet, si do të merret përsipër nga prokuroria publike, apo ndoshta do të hapet prej fillimi”, komentojnë për “Portalb”-in ekspertët juridikë.

Para do kohësh, prokurori aktual, Marko Zvërlevski, për këtë çështje deklaroi:

“Bëhet fjalë për marrëveshje politike. Unë si prokuror nuk e di se çka janë marrë vesh partitë dhe për këtë arsye nuk mund të komentoj se çka do të ndodhë. Ne punojmë në bazë të ligjeve”, deklaroi Zvërlevski.

Prokuroria nuk dëshiron ta komentojë formimin e “prokurorisë speciale”, mirëpo në periudhën e zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinos, dërgoi komunikatë ku thuhet se ka filluar me hetimet për materialet e përgjuara. Një pjesë e ekspertëve në këtë veprim panë “shkelje” të marrëveshjes, mirëpo edhe pranim se materialet e përgjuara që i publikoi LSDM-ja opozitare, kanë qenë autentike.

Prokuror publik me kompetenca të plota…

Sipas ekspertëve, krejtësisht përjashtohet mundësia që prokurori publik të jetë i huaj. Kjo zgjidhje është përcaktuar edhe me Kushtetutë edhe me Ligjin për prokurorë publikë.
“Për prokuror publik dhe zëvendës të prokurorit publik mund të emërohet shtetasi i Republikës së Maqedonisë, që i plotëson kushtet e përgjithshme të përcaktuara me ligjin për vendosjen e marrëdhënies së punës në organ shtetëror, jurist i diplomuar me provim të dhënë të jurisprudencës, që ka autoritet për kryerjen e funksionit të prokurorit publik, gjegjësisht të zëvendësit të prokurorit publik”, thuhet në ligj.

Sipas prokurorit të mëparshëm Tërpenoski, vendosja e një njeriu të huaj në krye të prokurorisë speciale krejtësisht përjashtohet si mundësi.

“Shtetasi i huaj nuk mund të jetë në këtë pozitë, Kushtetuta dhe ligjet janë të qarta se ai patjetër duhet të jetë shtetas i Maqedonisë, mirëpo i huaji mund të ketë funksion këshilldhënës”, thotë Tërpenovski, i cili vlerëson se që të fitohet prokuror që do të mund në tërësi të veprojë sipas rregullativës ligjore, nuk ka mundësi tjetër, përveç se nëpërmjet pozitës aktuale të Prokurorit publik.

“Sido që t’i analizojmë gjërat, qëllimi përfundimtar është të ketë prokuror i cili jo vetëm që do t’i hapë këto raste, por edhe do të mund të veprojë në lidhje me to, e kjo është e mundur vetëm nëpërmjet funksionit të Prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë. Prandaj, si përfundim i vetëm është zëvendësimi, gjegjësisht shkarkimi i prokurorit aktual Zvërlevski, dhe emërimi i prokurorit që do të ketë kompetenca të veprojë sipas Ligjit për prokurorinë publike dhe Ligjin për procedurë penale. Konsideroj se lëndët për materialet e përgjuara, të cilat tani janë lënë pas dore, do të hapen. Kjo është e mundur vetëm me shkarkimin e prokurorit aktual”, thotë Tërpenovski.

Sipas ekspertëve, zgjidhjet si kjo për prokuror special nuk janë të panjohura në praktikën evropiane. Analistët e përmendin modelin e USKOK-ut (Zyra për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar) kroat, që e filloi hetimin për ish-kryeministrin, Ivo Sanader. Ky proces përfundoi me aktgjykim kundër tij, ndërsa USKOK-u u bë atribut për hetim të pavarur. Rëndësia për formimin e prokurorisë speciale u theksua edhe në vlerësimet e bashkësisë ndërkombëtare, e cila paralajmëroi monitorim të përforcuar të procesit të zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinos.

Lajme të ngjashme

Back to top button