Kush më shumë, e kush më pak klikime (VIDEO)

Një numër i madh projektesh muzikore u publikuan në sezonin më të nxehtë të vitit, shumica prej të cilave erdhën të nxehta po ashtu. Megjithatë, jo krejt prej tyre patën suksesin e njëjtë.

Disa kaluan pa u vërejtur fort, e disa të tjera patën një sukses të madh dhe po vazhdojnë të dëgjohen kudo. Të suksesshme këtë sezon rezultuan bashkëpunimet, dhe realisht ato kanë qenë më të shumta kohët e fundit. Por nuk qenë të pakta as ato këngë solo që shkelën milionëshin me klikime. Dafina Zeqiri, Dhurata Dora, Elvana Gjata, Flori, Adrian Gaxha, Era dhe Ledri, Kida e shumë të tjerë prijnë sa u përket të ardhurave përmes klikimeve, bën të ditur emisioni “Express Summer”, transmeton Koha.net.

1. “Njo si ti”, është kënga që Era Istrefi e solli ende pa filluar nxehti i madh i verës, këngë kjo që menjëherë pas publikimit grumbulloi klikime të shumta, e edhe shpërndarjet në rrjete sociale qenë të mëdha. Kjo këngë aktualisht ka mbi 7 milion klikime dhe kështu adhuruesve të muzikës së saj, Era edhe kësaj radhe u la shije të mirë. Kjo këngë sikur edhe i ndriçoi rrugën projektit të radhës, më saktësisht bashkëpunimit me Ledrin në këngë “Shumë pis”.

Ky projekt zgjoi një interesim të madh te fansat e te dy këngëtarëve, më shumë për atë se çfarë do të mund të sillte kjo dyshe interesante. Njëjtë thuajse eci edhe kënga “Shumë pis” e edhe kritikat qenë të mira po ashtu. Aktualisht bashkëpunimi i Erës dhe Ledrit shënon mbi 4 milionë klikime në Youtube.

2. Mirë me klikime ka ecur edhe Dhurata Dora. Ndonëse nuk ka shumë vjet që është pjesë e skenës muzikore, Dora tanimë ka një numër të madh fansash pas vetes. Të gjitha këngët, por edhe bashkëpunimet që ajo i sjell, po rezultojnë të suksesshme. E njëjta gjë ndodhi edhe me këngën “Ti don”.

Përveç këngës që na erdhi shumë ritmike, përshtypje të mirë la edhe videoklipi i realizuar nga Max Producion. Projekti i fundit i këngëtares aktualisht grumbullon rreth 5 milion klikime. Ndryshe, Dhurata është duke punuar që ta publikoj edhe një këngë e videoklip gjatë kësaj vere.

3. Rre th 5 milionë klikime ka edhe kënga “Nallane” nga Flori Mumajesi e sjell në bashkëpunim me Dj Vickt. Ndonëse u përfol veçanërisht për refrenin dhe fjalinë “Ta du shumë mamin”, kjo këngë u pëlqye mjaftueshëm nga fansat e këngëtarit dhe dëgjuesit e këtij zhanri muzikor në përgjithësi. Kënga me ritme verore po dëgjohet shumë edhe 2 muaj pas publikimit.

4. Në anën tjetër, këngëtarja simpatike Kida, verën e nisi me “Boni zo”, një projekt që e solli atë shumë energjike dhe të gatshme për atë që do të pasonte më pas. Mbi 7 milion klikime ka kënga solo e Kidës, derisa edhe bashkëpunimi me Mozzik nuk është duke ecur më keq, transmeton Koha.net. Edhe miqësia e tyre prej kohësh dhe fakti që janë pjesë e të njëjtës kompani, e ka bërë edhe më produktive punën e tyre të përbashkët. Kënga “Premtimet” e publikuar në fillim të këtij muaji tanimë ka marr 3 milion e gjysmë klikime. Me muzikë të Zap dhe Criss, tekstin e kësaj kënge e ka shkruar vet Moziku.

5. Edhe Projekti i Adrian Gaxhës në bashkëpunim me Lindonin po dëgjohet mjaft. Për faktin se kjo këngë është tipike verore ajo kryesisht po dëgjohet shumë në vende bregdetare, gjithandej ku ka shqiptar. Për faktin se kohët e fundit, Adrianin jemi mësuar që ta shohim vazhdimisht në bashkëpunime me Florianin, prurja me Lindonin zgjoi interesim të madh. Megjithatë edhe ky kombinim publikut iu duk interesant dhe u pëlqye mjaft.

Kënga u publikua para një muaji ndërsa deri më tani shënon më shumë se 4 milion klikime. Ndryshe, projekti i radhës i Lindonit do të jetë solo dhe atëherë do të mund të flasim për suksesin e tij si këngëtar, pasi punën e Adrianit publiku e njeh mjaft mirë.

6. Keq nuk ka ecur edhe kënga “Te ti” e Dafina Zeqirit por që suksesin e njëjtë me atë “Shumë qef” sa u përket klikimeve, nuk e ka as për së afërmi. “Shumë qef” i mori mbi 5 milionë klikime në youtube ndërsa projekti i fundit i Dafinës me titull “Te ti” i ka marrë 2 milionë klikime. Por sigurisht edhe periudha kohore e lansimit e bëri të veten pasi kënga “Shumë qef” qe publikuar në shkurt të këtij viti.

E gjatë kësaj vere, të paktën edhe një projekt do të vijë nga Dafina Zeqiri, mirëpo ajo kësaj radhe do e sjell një bashkëpunim me këngëtarin po ashtu të pëlqyer, Yong Zerka. Kënga me videoklip pritet të publikohet së shpejti pasi edhe xhirimet kanë përfunduar.

7. Sukses këtë verë shënoi edhe këngëtarja nga Shqipëria, Xhensila Myrtezaj. “Ring the Alarm” është kënga e publikuar krejt në fund të muajit maj, por që po dëgjohet mjaft edhe sot. Me tekst të Endrit Mumajesit, kjo këngë e solli shumë fuqishëm Xhensilën derisa edhe videoklipi që ia kanë realizuar erdhi veror e i veçantë. Mbi 3 milionë klikime ka aktualisht projekti i fundit i kësaj këngëtareje simpatike.

8. Edhe projekti i Lyrical Son me titull “A thu kush” bën pjesë te këngët më të dëgjuara këtë verë. Kënga me temë dashurie u prit mirë nga adhuruesit e muzikës së Festimit. Realisht një gjë e tillë nuk është se nuk është pritur edhe para publikimit të projektit, pasi që vet adhuruesit e tij i patën kërkuar që kjo këngë të realizohet me videoklip.

9. Një tjetër këngëtare që sërish bombardoi këtë verë është Enca Haxhia. Ajo para dy javësh e publikoi këngën e saj të re me titull “Soul Killa”, e cila si duket u mirëprit nga adhuruesit e Encës të cilët e kanë klikuar atë më shumë se 2 milion herë në kanalin youtube. Por megjithatë suksesi i këtij projekti të Encës nuk krahasohet me hitin e saj të kaluar, “A po t’pëlqen”, i cili deri më tani i ka shënuar mbi 17 milion klikime.

10. E në këtë listë s’ka si të mos bëjë pjesë edhe këngëtarja shumë e dashur për publikun shqiptar, Elvana Gjata. Ajo së fundmi solli këngën “Love me” në bashkëpunim me Brunon, e cila qysh pas publikimit po pëlqehet mjaft, transmeton Koha.net. Është herët të flitet për klikimet e marra pasi ka vetëm një javë që është lansuar, megjithatë nga shumë kush kritikat qenë pozitive dhe po dëgjohet mjaft.

Kënga “Love me” Elvanën e solli më ndryshe si në interpretim ashtu edhe në stil, por edhe kjo gjë u prit mirë në përgjithësi… Vlen të përmendet që edhe klikimet luajnë rol të rëndësishëm të një projekt muzikor, pasi një pjesë e të ardhurave të këngëtarëve varen prej tyre. Megjithatë, jo domosdoshmërish klikimet janë instrument matës i vlerave të një kënge.

Gazetari Nderim Neziri thotë të ketë pritur më shumë nga këngëtarët tanë, dhe sipas tij të gjitha projektet e publikuara deri më tani janë, siç i quan ai “Limonadë”.
“Ai përfundoi se deri në fund të kësaj vere pret të ketë këngë më të mira se sa këto që janë publikuar deri më tani”.

Ndryshe ka edhe prej atyre që edhe përkundër përpjekjeve të mëdha nuk arritën të zgjojnë interesim të madh te publiku. Këtu pa dyshim hyn Tuna me projektin e fundit, “Nobody There”, të publikuar para një muaji.

Ndonëse marketingu për këtë këngët qe shumë i madh para publikimit, “Nobody there” e përjashtoi Tunën nga gara për këtë verë. Por sezoni veror është i gjatë, dhe kështu ka edhe shumë projekte të tjera që pritet të publikohen në muajt në vazhdim.

Lajme të ngjashme

Back to top button