I kujt është faji?

Miku im më jep shpesh kurajo të shkruaj me emra konkretë politikanësh të pahajër, sa herë që trajtoj temën e dhimbshme shqiptare dhe statusin tonë prej pakice, sa herë që them se, për shkak të këtij statusi, për shkak të qenies sonë të copëzuar, për mungesë të një qendreje të vetme që trason udhë serioze kah e ardhmja…, nuk kemi pasur dhe nuk do të kemi edhe gjatë kohë mundësi reale për të zgjidhur çështjet e mëdha, që do t’na bëjnë ta shohim pak më qartë të nesërmen.

Ndoshta kërkesa e mikut tim është e drejtë, sepse ai nuk është dokushdo, por, për sa kohë mendoj se E KEQJA JONË ËSHTË DUKURIA, JO RASTI, do të vazhdoj të shkruaj ashtu si ma thotë mendja, i bindur se brenda shkrimeve të mia kushtuar fenomeneve të dhimbshme, që rëndojnë mbi kurrizin e stërdurueshëm popullor, janë dhe emrat e politikanëve të këqinj, të atyre që paguhen për t’na shpënë përtej llofkave të së shkuarës, jo për t’na shndërruar në rajë kurkushësh. Pra: arsyeja përse sfidoj dukuritë, jo individët e caktuar me mandate politike, sigurisht nuk është punë frike, po lidhet me bindjen e paluhatshme se jemi këtu ku jemi shkaku i papjekurisë sonë dhe takatit të vogël në të gjitha dimensionet e mundshme.

Ka dhe një arsye tjetër përse nuk merrem me emra dhe kjo lidhet me shumësinë e atyre që sot merren me emra e që ndaj gërdive të jetës reagojnë me palcë kurrizore dhe vetëm atëherë kur nuk u shkojnë për interesi rrjedhat e gjërave, kur pandehin se po dobësohen ata që janë të fuqishëm aktualisht, kur duan të pozicionohen në formacionet e atyre që kërkojnë pushtet, kur gjykojnë se erdhi momenti për të brohoritur jermshëm, jo pas mendësisë së re, po pas prijsve të rinj, pa analizuar fare gjërat që mund t’na detyrojnë të çajmë drunj me gunga shumë më gjatë se na e pret mendja.

Vini re si shkruanin dje dhe si shkruajnë sot disa prej atyre që e kanë profesion jete shpërfaqjen e të vërtetave të dhimbshme. Të kujtohet ndonjë që ka shkruar me të njëjtin guxim qytetar edhe për rastin e Brodecit edhe për rastin e pasqaruar me fund të Harun Aliut? Nuk ka të tillë, natryrisht. Ashtu siç nuk ka asish që merren me patundshmëritë marramendëse të sfrutuesve që aderojnë në

të gjitha subjektet politike dhe në të gjitha kolonat e 5-sta që shiten si shpëtimtarë të etnisë. Kush shkruan për emra konkretë mercenarësh dhe minjshë brejtës të substancës sonë, që ashiqare janë vënë në lëvizje me paratë e armiqve tanë? A kompensohet kjo duke nunurisur opinionin vetëm me përmendje emrash të liderëve politikë, në një kohë kur nuk i kanoset kujt asnjë rrezik nga kjo gjë. Të merremi vesh: nuk them se emrat e politikanëve duhet kursyer kritikash, sepse ata merren me fatin tim, tëndin, tonin, sepse janë persona që gjenden në vitrinë për t’i gjykuar kushdo, ama, më shumë se për këtë lloj heroizmi, ne kemi nevojë për ta njohur mirëfilli iletin që na bën të ndjehemi një dajm rob, rajë e pakënaqur.

Pararendësit tanë janë përpjekur ta bëjnë këtë pa tretur kot energjitë. Ideatori i neshqiptarizmës – Branko Merxhani, gati para një shekulli, shtroi pyetjen: “I kujt është vallë faji historik: i një kombi që mban nën zgjedhë një tjetër komb apo i kombit që rri nën zgjedhë të një kombi tjetër? Rasti i parë tregon një ngadhnjim, i dyti një servilitet. Është një çështje shumë e thellë historie dhe psikologjie kjo, dhe hëpërhë e lëmë me kaq. Ne, në qoftëse dëshirojmë të gjejmë, benda në dekadencën tonë të tanishme, udhët e sigurta që do t’na shpiejnë në një t’ardhme shpëtimi dhe përparimi, para çdo gjëje duhet të gjejmë a dimë shkaqet historike, shoqërore dhe psikologjike të kësaj dekadence”.

Branko Merxhani mendon se për ta bërë këtë popullit i duhen njerëz të mëdhenj, personalitete që nuk mbijnë nga toka, por që i krijon një fuqi njerëzore…, mobilizimi për pushtime morale, që nis me sistemin arsimor, shkrimtarët, poetët, mentarët…, të cilët e kuptojnë përpara të tjerëve se për të siguruar rrojtjen dhe lartësimin e popullit…, duhet më parë jeta të fitojë vlera kombëtare…

Unë e besoj këtë, dhe e ndjej se gjithçka tjetër na lë peng udhësh të vëtërlashkta dhe përsëritjesh që përsëriten përsëri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button