Kumanovë: Rritja e temperaturave, rriti numrin e pacientëve

Me rritjen e temperaturave ditore është rritur dukshëm edhe numri i pacientëve nëpër reparte të ndryshme të spitalit të Kumanovës, respektivisht në Qendrën Urgjente dhe Repartin Kirurgjik. Mjekët e konsultuar, për Portalb deklaruan se vala e të nxehtit u bë shkak për shumë të moshuar me sëmundje kronike, punëtorë ndërtimi që humbin vetëdijen, të rinj që digjen në diell dhe lëndohen nëpër pishina, këmbësorë e drejtues automjetesh… të kërkojnë ndihmë mjekësore.

Nga Qendra Urgjente për Portalb foli Lejla Radoniq: “Tepër është i rritur numri i pacientëve. Nuk është paraqitur ndonjë virus i veçantë, por për këtë duhet të merren disa masa: të mos dilet në kohë të nxehtë, nga ora 11 deri në 5 pasdite asesi të mos dilet; të konsumohen më shumë lëngje, së paku 3 litër në ditë që të kompenzohen elektrolitet e humbura nga i nxehti; ushqimi të jetë më i lehtë, të bazohet më shumë në perime, pemë. Përndryshe kur pacientët vijnë te ne, vijnë tërësisht të djegur, u paraqitet vjellje, marramendje… veçanërisht si pacientë të rregullt i kemi punëtorët, që punojnë në vende të hapura. Aq sa mundemi ne i trajtojmë në mënyrë adekuate dhe bëhen më mirë pas terapive, por gjithsesi vetë pacientët do të duhet të marrin masa parandaluese, të jenë ‘të edukuar’ ashtu siç duhet.”

“Më së shumti kemi pacientë të moshur, nga sëmundje kronike të cilët nuk e përballojnë të nxehtin. Por nga ana tjetër edhe të rinjë, te të cilët tani me hapjen e pishinave paraqiten reagime alergjike nga dielli, sepse i ekspozohen rrezeve të diellit në kohë të nxehtë, pa përdorur asnjë lloj kremi mbrojtës. Ja edhe tani momentalisht po e trajtojmë një pacient të tillë, të djegur nga dielli! Terapia është kryesisht e bazuar në lëngje, por nëse ka paraqitje të alergjisë atëherë përdorim terapi anti-alergjike.”-deklaroi Radoniq, specializante për kardiologji.

Po, është rritur numri i pacientëve”- thotë Lubinka Damjanoska Krstiq nga Reparti Kirurgjik. Sipas saj, është rritur numri i aksidenteve në trafik: me vetura e motora. Poashtu shumë është rritur numri i pacientëve këmbësorë, sepse siç thotë ajo, “Nga i nxehti këmbësorët nuk shohin, drejtuesit e veturave nuk kanë kujdes”.

“Më së shumti kemi pacientë të rinj, të cilët lëndohen në kokë e në kurriz, gjatë kërcimit nëpër pishina. Poashtu edhe shumë punëtorë ndërtimi, të cilët nga i nxehti humbin vetëdijen dhe bijnë nga lartësi të ndryshme.”- deklaroi Krstiq, specialiste e kirurgjisë.

Nga ana tjetër nuk ka paraqitje të ndonjë virusi apo rritje të sulmeve në tru, por sërish i nxehti mbetet rrezik dhe mjekët sugjerojnë masa preventive.

“Sa i përket repartit neurologjik numri i pacientëve nuk është rritur gjatë valës së nxehtë, por përkundrazi është zvogëluar. Sulmet në tru te njerëzit paraqiten më shumë gjatë dimrit. Mirëpo ata që veçmë kanë sulm në tru, është normal se nuk mund ta përballojnë të nxehtin dhe kështu kanë çrregullime në shtypjen e gjakut.”- tha specialisti neurologjik, D-r. Vanjo Tasevski.

“Nuk është rritur numri i pacientëve, përkundrazi ndoshta mund të them se është zvogëluar. Është e zakonshme që në këto kohëra të nxehta të paraqiten viruse të lukthit, me vjellje e jashqitje, të cilat i trajtojmë me terapi varësisht simptomave. Mirëpo për momentin nuk është situata alarmante.”- deklaroi mejku i përgjithshëm, D-r Ali Riza Osmani, nga reparti ‘Sëmundjet infektive dhe parazitare’.

Ai për Portalb theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ushqimi adekuat, si masë parandaluese. “Duhet të hahet ushqim adekuat, i lehtë (supë, kos), i zier, të pihen sa më shumë lëngje, por rekomandoj largim nga ushqimet e fërguara, me yndyrë dhe largim prej temperaturave të larta mundësisht.”-tha Osmani. Sipas tij, problemet më të mëdha paraqiten atëherë kur fillojnë dasmat. Sepse pikërisht atëherë, siç thotë mjeku me përvojë pune 16 vjeçare, për shkak të ushqimit joadekuat paraqiten sëmundje infektive dhe parazitare./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button