18 vjeçarja nga Kumanova i bashkangjitet ISIS-it në Irak, flet babai i saj

18vjeçarja Z.K. nga Kumanova është e rekrutuara e fundit nga grupet xhihadiste. Prej disa muajsh ende nuk dihen arsyet e ikjes së saj pa paralajmëruar askënd. Arsyet nuk i di as familja e saj, aq më pak shkolla dhe kujdestari i saj. Tri ditë para se të merrte rrugën për në vendet e Lindjes së Mesme, Z.K. nuk kishte ndjekur plotësisht procesin edukativo-arsimor. Për ato tri ditë, mungesa e saj ishte vërejtur nga mësimdhënësit, por pas tri ditëve, më 13.03.2015, ajo është evidentuar në regjistër. Kjo dyshohet të jetë data e ikjes së saj. Pas informacioneve të konfirmuara, policia posedon informacione se shtetasja në fjalë është rekrutuar, asgjë më tepër nuk është ndërmarrë. Për 4 muaj, familja është në kërkim të saj, transmeton albinfo.ch.

Prindërit nuk kanë besuar së vajza e tyre do të bënte diçka të tillë.

Ajo ishte vajzë e zgjuar dhe shembullore, punëtore dhe e sjellshme, thonë prindërit e saj. Babai Afrim Kadriu, afarist i njohur në qytet, thotë se është e pakuptueshme për atë se si ka mundësi që vajza e tij të bëhet pre e xhihadistëve keqdashës. “Ende nuk mund ta besoj. Pothuaj se çdo ditë e pres se një ditë do të trokasë në derën e shtëpisë dhe do të kërkojë falje për atë që ka bërë. Edhe pse e pamundur, përsëri kam një pikë shprese”. Kadriu shton se është gati të bëjë gjithçka vetëm për ta kthyer vajzën e saj në shtëpi. Gatishmërinë e njëjtë e shpreh edhe e ëma e saj, e cila ishte e pamundur të rrëfehet ngaemocionet. “Zoti është i plotfuqishëm dhe unë pres ndihmë vetëm nga ai”, tha shkurt zonja Kadiu. Prindërit shprehen të hapur për çfarëdo bashkëpunimi që do të çonte në rrugën për gjetjen e bijës së tyre, edhe pse nuk mohojnë se nuk posedojnë së paku pak informacion se ku ndodhet.

Ku ndodhet vajza nga Kumanova Z.K., sipas familjarëve?!

Referuar në atë që rrëfen Afrim Kadriu, babai i Z.K., vajza e tij ndodhet në Irak. “Nga kontaktet e para me policinë, kemi informacione se ajo është në Irak”. Ai mohon të tregojë se si ka arritur  te ky informacion, përveç asaj që i referohet policisë dhe se ai ka informacione më të hollësishme rreth vendndodhjes së vajzës së tij. “Me sa kemi informacion, ajo atje është kurorëzuar me një burrë, për të cilin nuk e kemi idenë se kush është. Nuk e di nëse ka dashur vetë të bëjë një gjë të tillë, ose e ka bërë nga presione që ka mundur të ketë. Një gjë e tillë është e papranueshme për mua”, ka shtuar Afrim Kadriu, babai i të rekrutuarës Z.K.

A ka dyshuar familja në vajzën e tyre?!

Edhe pse sjelljet e saj të fundit ishin të çuditshme, familjarët thonë se nuk i ka shkuar mendja se motra mund të bënte diçka të tillë. Vëllai i saj, i cili nuk dëshiron t’i publikohet identiteti, thotë se shpeshherë e ka hasur duke qëndruar vetë në dhomën e saj dhe në gjendje jo të mirë, agresive dhe nervoze. “Më ka ndodhur dy-tri herë ta shoh shumë nervoze. Rastësisht e kam kërkuar për diçka, më është përgjigjur me agresion dhe është nervozuar me mua. Jam munduar ta qetësoj, por nuk ia kam dalë dot. Thjesht, më urdhëronte ta lija vetëm”.

E ëma e saj, duke mos dashur të jepte konstatime se mund të jetë apo jo dyshim ndryshimi i sjelljeve të vajzës së saj, thotë se nuk ka vërejtur ndryshim edhe aq të madh në raport më atë te vajza e saj. “Ndonjëherë më injoronte, por prapë nuk arrija ta kuptoja çfarë ka. Disa herë nuk ka dashur të bisedojë me mua”, thotë nëna e saj, e cila shton se disa herë ka tentuar të bisedonte me të, pavarësisht injorimeve të tilla.

Mirëpo, vëllai i saj jep detaje edhe më të sakta. “Në “laptopin” e saj kam gjetur video të çuditshme, të cilat i ka shikuar”. Ai shton se videot i përkisnin natyrës xhihadiste.

Veprimet e saj!

“Ishin disa video në të cilat shihej se si preheshin kokat e njerëzve, si vriteshin, keqtrajtoheshin dhe dhunoheshin. Gjatë kohë kishte shikuar video të tilla”, thekson vëllai i saj. Ai shton se një ditë është marrë në telefon nga një mik i saj për t’i rrëfyer për sjelljet e motrës së tij në shkollë dhe rrugë. “Më tha se nuk sillet ashtu si e kemi edukuar”, duke mos dhënë detaje shtesë nga biseda. I pyetur se a tentuar të bisedojë me motrën e tij rreth këtyre sjelljeve të pahijshme të denoncuara nga miq të tij, ai shton: “Nuk ka pranuar. Ka mohuar se ka bërë diçka të tillë”.
Se kur kishin filluar veprimet e tilla të saj, familjarët nuk mund të potencojnë. Ata njëzëri japin dyshime se pas vendosjes së mbulojës, vajza e tyre kishte filluar të ndryshojë sjelljet e saj, madje edhe në raport me familjarët.

Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.

Lajme të ngjashme

Back to top button