Në fund – Festa

 …po, ke të drejtë mikja ime, meshkujt në raste zhgënjimi (disfatë në dashuri, profesion apo në rast të ndonjë hendeku tjetër në jetë) nuk e menaxhojne krizën në mënyrën në të cilën femrat e bëjnë atë, shtoja kësaj edhe krizën e moshës së mesme kur kanë mjaft gjasa për t’u çfrenuar dhe nisin e bëjnë çka s’kanë bërë deri atëherë për të dëshmuar, në mënyrë subkoshiente para vetes shpesh edhe para tjerëve se akoma janë të rinj, akoma potentë. Është kjo koha e shenjave të para të dobësimit të maskulinitetit, prandaj nevoja për të potencuar forcën është aq e shprehur, ndonjëherë edhe karikaturale: përkujtohu vetëm në Të huajin e Kamysë, a nuk bënte dashuri ditën e varrimit të së ëmës!?

…puna e punës është që njeriu mos mbërthehet në relacionin që, nëse jo diçka tjetër, as edhe qetësinë nuk ia mundëson më; mandej me kalimin e kohës, pasi zbehja e dashurisë do të thotë zbehje e tolerancës, marrëdhëniet vijnë duke u përkeqësuar, rrallë përmirësohen…Mungesa e guximit është eufemizëm për “Ikje nga liria” në të cilën ideja bazë e E.Fromit është se liria nuk është për secilin. Kështu më bie ndërmend sindromi i Stokholmit që shkencërisht dëshmon rastin kur njeriu e don maltretuesin e vet: një grup të pafajshëm kidnapohen me të gjitha keqtrajtimet tipike, por kur e tëra përfundon dhe u jepet rasti për denoncim gjyqësor, një pjesë e tyre ndjejnë keqardhje, madje prononcohen se gjatë kohës së matretimeve psikike kanë filluar, si të them, emocionalisht të lidhen me  kidnapuesit…dhe beteri i kësaj: a nuk njeh historia raste kur të internuarit në kampe u thurrnin vargje rojtarëve të kampit!? 
Siq m’a ke thënë në një letër, s’ka krijesë më të çuditshme se njeriu, ec e merre vesh njeriun…

…si më tutje? Si të lëvizësh nga kjo pikë ku je mbërthyer se po ndejte më gjatë aty është problem, e di se kuptohemi. E, këtu kam një nasihat që mund te duket i vështire kur është në pyetje dashuria, por është rruga e vetme, e them nga përvoja. Mundohu mos t’i paraqitesh, mos bësh tentim afrimi se është kundërproduktive…thjesht lëre “në ler” se ndonjëherë emocionet më shumë se për gjithçka tjetër kanë nevojë për kohë që ajo të destilojë dhe të qartësojë: a ia vlen apo jo, a është për ty apo vetëm të është dukur ashtu, kur e verbëruar nga dashuria ke qenë…

…shyqyr që verbërohemi ngaherë! E eviton plakjen dhe dëshmon dëshirën për jetë pasi plakemi kur na shterren dëshirat. Mjafton mos harrohemi shumë, mos dalldisemi deri në shkallë të humbasim sensin; dhe kuptohet ndihmon nëse tepricën emotive  e kthejmë në motiv për punë, se puna ashtu si vetë koha, është ilaçi më i mire, superterapi. Plaken ose bëhen të bezdisshëm ata që harrojnë të kënaqen në punën e vet.   

…eh, shopingu. Edhe kjo është terapi si s’qenka!? Femrat e dijmë, dhe hala më shumë qejf ka kur je në vend të panjohur, në të njëjtën kohë njohtohesh edhe me qytetin, edhe me mallrat që të buzëqeshin nga vitrinat, bën kafe-pauzë, vazhdon tutje, hyn mandej në librari apo music shop sa për pak baraspeshë…Tash mos u ngushto, vetëm më lejo të të dërgoj pak buxhet me Western Union. Bleji disa gjëra të bukura dhe m’a lejo kënaqësinë të jem pjesë e kësaj.

…të kuptoj kur flet për pauzën dhe vështirësinë e kthimit të kondicionit të “para pauzes”. Më e mira është të shkosh dikund nja një javë, të punosh atje me orarin 8 orësh, pjesën tjetër pushon, mendon, eksploron qytetin, celularin e mban pa zë. E di nga përvoja ime dhe e tjerëve: më shumë të bren mendimi se duhet të ulesh se sa puna kur ulesh dhe e bën. Elaboratin e doktoraturës ja po të them se e kam menduar tërë verës, çdo ditë në ndërdije ajo gajle mbi kokë, ndërsa e shkrova ditën e fundit të afatit për disa orë, përfshirë dhe  pauzat për cigare në Irish pub. Kështu më ndodh me shumë punë tjera. Edhe me kolumnat poashtu, Grumar dhe Elida e dijnë…
Fakti që të kam shtytëse dhe konsultante është rrethanë e favorshme dhe, të shprehem si në ato ftesat e dasmave, do t’ia shtojë gëzimin punës që më kismet duhet kryer edhe formalisht deri në Vitin e ri.

Se i kam premtuar Vanjës, mikut që m’a mendon më të mirën.
Ai është këmbëngulës aq sa të vjen t’a kryesh punën dhe të kryhet maltretimi.
Sa herë që takohemi më pyet si ec puna, sa faqe deri tash, edhe sa duhet, çka thotë Qulavkova.

Përgjigjet i mban mend dhe në takimin e ardhshëm niset prej tyre dhe prap pyet detajisht.
Vanja, miku im i shtrenjtë, më ngjan me poezinë e S.Salihut “Me plakun Santiago të Hemingueit”, Vanja si i dalë nga vargu i Hazirit “…muri i mbështetjes në rrugën me glasa pëllumbash”. 
Si u njohëm, si ndërtohej besimi dhe cilët janë mësimet mbi jetën që m’i rrëfen me thjeshtësinë e atij që i ka gjërat e qarta pasi i ka kryesisht të provuara, këto tjetër herë.

…është një festë në qytetit tonë.
Ekspozita e 8 me rradhë personale e piktores Afërdita Kiki.
Gjatë mund të flas për artisten dhe artin e saj, magjinë që krijon, por e ka thënë Heminguei se kur më së tepërmi të shkruhet atëherë është koha të ndalesh.
Ekspozita në Çifte hamam në Çarshinë e vjetër është një nga ngjarjet e vitit 2013 në artin figurativ në Maqedoni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button