ANALIZË: Buxhet zgjedhor, ku do të jepen paratë, sa është real?

Sipas qeverisë, buxheti i rebalancuar do ta ruajë stabilitetin ekonomik dhe do të sigurojë zhvillim të mëtutjeshëm. Opozita akuzon se bëhet fjalë për “rebalans të fryrë”, i cili do ta konfirmojë se “nuk kemi para për bukë e harxhojmë për çokolladë”. Еkonomistët që konsultoi Portalb, hapin një sërë dilemash. Si është e mundur që të priten të hyra më të mëdha buxhetore kur ka rënie të rritjes ekonomike, çka në qoftë se ekonomia nuk arrin ta mbushë arkën buxhetore ashtu siç planifikon tani qeveria, a çon kjon në huazime të reja në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare?

Më shumë para për rroga, fonde, kontribute sociale…

Qeveria i ka rritur edhe të ardhurat edhe shpenzimet, mirëpo deri në fund të vitit përsëri do ta thellojë edhe deficitin buxhetor. Këtë vit do të harxhohet buxheti më i madh në historinë e vendit prej 3 miliardë eurosh. Në pjesën e të ardhurave është planifikuar të sigurohen të hyra prej 2,7 miliardë euro. Teprica e parave që janë mbledhur në gjashtë muajt e parë të këtij viti do të harxhohen për rroga, veçanërisht për policinë, në Ministrinë për punë dhe politikë sociale dhe për transfere deri te fondet shtetërore. Një pjesë e afaristëve dhe e ekonomistëve konsiderojnë se ky veprim është i shpejtuar, dhe është në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Me vetë faktin se ky rebalans është miratuar në kohë kur opozita akoma nuk është kthyer në parlament, i gjithë ky veprim është pak i çuditshëm. Nga ana tjetër, rabalanci i miratuar nga ana e qeverisë, si vlerë është më i larti në historinë e vendit prej 3 miliardë eurosh. Në këtë rast kemi disa parametra që tregojnë se shpenzimet në raport me të ardhurat janë më të mëdha, mirëpo edhe shpenzimet edhe të ardhurat në krahasim me buxhetin paraprak janë më të larta, që do të thotë se ka rrezik për marrje të huave të reja”, thotë për Portalb, Nebi Hoxha, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Përpilues i buxhetit të rebalancuar konsideron se me pozitat e reja do të ruhet stabiliteti ekonomik.

“Për herë të parë kemi tepricë të të hyrave në buxhet në krahasim me atë që është planifikuar dhe kjo duhet të shndërrohet në politika, masa dhe aktivitete që do të sigurojnë shfrytëzim të atyre mjeteve, e me këtë rast të ruhet stabiliteti i pozitës buxhetore. Kemi 6 për qind të hyra më të larta se sa projektimet për këtë periudhë. Për këtë arsye, ky rebalans bëhet me kohë që ato të ardhura të shpërndahen në pjesën e shpenzimeve”, deklaroi për Portalb ministri për financa, Zoran Stavreski.

Përderisa qeveria planifikon dhe pret rritje të të ardhurave, nga ana tjetër e zvogëloi projektimin për rritjen ekonomike prej 4% në 3,5%.

“Të zvogëlohet përqindja e rritjes ekonomike e të priten të hyra më të larta është e palogjikshme. Mendoj se vendimi për rebalans është i shpejtuar. Në fakt, kriza politike në vend, rreziqet që vijnë nga jashtë, rreziqet për të cilat pralajmëron BPM-ja, mirëpo edhe sinjalet nga Odat ekonomike, thjesht flasin për gjendje negative. E gjithë kjo nuk ofron ndonjë bazë se të ardhurat nga tatimet, në kushte të këtilla, do të rriten, posaçërisht nëse kihet parasysh edhe fakti se u revidua edhe përqindja për rritjen e PBB-së. Mendoj se do të ishte më mirë që të pritej të kalojë kjo periudhë dhe të ndiqet situata me vëmendje të shtuar dhe të ketë një nivel më të lartë të transparencës, veçanërisht pasi tani është i rëndësishëm edhe kthimi i opozitës në Kuvend, ku nëpërmjet një debati transparent do të arriheshin zgjidhje të pranuara nga të gjithë”, thotë për Portalb, Dimko Kokaroski, profesor universitar dhe ish-funksionar në Ministrinë për Financa.

Nga LSDM-ja opozitare thonë se ky është “buxhet i fryrë”, i cili nuk mund të realizohet.

“Me rebalancin vazhdon shtrydhja ekonomike e qytetarëve dhe e afaristëve”, thuhet në komunikatë. Sikurse edhe gjatë gjithë viteve të kaluara, Stavreski, sipas asaj që edhe vetë e ka pranuar, gjë që mund ta dëgjojë i gjithë opinioni nëpërmjet projektit “E vërteta për Maqedoninë”, në mënyrë artificiale i fryn të ardhurat, me qëllim që në mënyrë të rrejshme ta projektojë deficitin i cili rritet për çdo vit, e me këtë rriten edhe borxhet e vendit”, thonë në LSDM, dhe konsiderojnë se projektimet aktuale do të dështojnë.

“Vetëm Stavreski dhe Gruevski mund të propozojnë rebalans ku e zvogëlojnë përqindjen e rritjes për më shumë se 10 për qind, e njëkohësisht projektojnë rritje të të ardhurave; Stavreski dhe Gruevski manipulojnë se në vitin 2015 të ardhurat mund të arrijnë deri në vlerë fantastike prej 167 miliardë denarësh. Në qoftë se ruhet mesatarja aktuale mujore e të ardhurave, ato nuk do ta tejkalojnë vlerën prej 160 miliardë denarësh. Kjo nënkupton deficit të ri prej 6 miliardë denarësh, që së bashku me deficitin e planifikuar do të arrijë vlerën prej mbi 430 milionë euro!”, vlerësojnë nga partia opozitare.

Еkonomistët thonë për Portalb se në vend të rritjes së harxhimeve joproduktive, të cilat do të duhet t’i financojë sektori privat, qeveria duhet kalojë në shkurtimin e projekteve “jovitale”.

“Mendojmë se qeveria duhet veprojë me shumë kujdes kur e përcakton, gjegjësisht kur e planifikon buxhetin. Deficiti në arkën shtetërore do të rritet prej 300 në 320 milionë euro, ndërsa nga ana tjetër rritja ekonomike prej 4% u zvogëlua në 3,5%. Ne nuk themi se nuk duhet të financohen shpenzimet aktuale, mirëpo patjetër duhe të shkurtohen projektet që janë joprofitabile dhe jozhvillimore”, thotë Hoxha nga OEMVP.

Propozim-rebalanci i buxhetit tashmë është në procedurë kuvendore. Pritet që ai të miratohet para se të kthehet opozita në ulëset parlamentare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button