Mesha lamtumirës e P. Mirash Marinaj

Misionarët françeskan në trevën e Malësisë, kanë lënë gjurmë të thellë në periudha dhe rrethana të ndryshme, shpeshherë mjaft të vështira por gjithherë me përkushtim afër besimtarëve të vet.

Këtë e dëshmojnë vepra të shumta, autor të të cilave janë pothuajse të gjithë meshtarët të cilët kanë shërbyer në këto treva. Edhe pse pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të ardhur nga treva dhe vende tjera, ata me të njëjtin përkushtim kanë vepruar, jo vetëm në pasurimin e jetës shpirtërore por edhe në afirmimin e vlerave të njohura nëpër shekuj në këto hapësira, duke i kultivuar dhe afirmuar ato me punën e vet të përgjithshme.

Ata, po ashtu, me afërsinë e vet me besimtarët, me butësinë dhe dashamirësinë e vet për njerëzit e këtushëm, e kanë dëshmuar se e duan vendin ku veprojnë si misionar, njerëzit dhe vlerat e tyre të përgjithshme njerëzore, kombëtare dhe shpirtërore. E bëra këtë hyrje pas një meshe lamtumirëse të Pater Mirash Marinaj, në Kishën e Zojës Rruzare, në Triesh, më 12 korrik, i cili pas dymbëdhjetë viteve shërbese në këtë famulli, misionin meshtarak do ta vazhdoj në shenjtoren e Laçit , në Shqipëri.

Fjalët e tij falënderuese për besimtarët e këtushëm, ishin sa të zgjedhura po aq emocionuese pasi që gjatë kësaj periudhe, Marinaj, ka bashkëpunuar në projekte të ndryshme me besimtarët trieshjanë të cilët e pritën duar hapur atë, pas vdekjes së meshtarit shumë vjeçar të kësaj famullie, P.Zef Jankaj. Marinaj, duke falënderuar besimtarët për çaste aq të bukura gjithë këtyre viteve, mes tjerash tha se edhe pse vinte nga një trevë e Malësisë, ai si fëmi kishte marrë rrugët e shkollimit por me ardhjen në këtë vend, mësoi shumë për jetën e malësorëve, për historinë dhe virtytet njerëzore të tyre. “Këtu e njoha malësorin e vërtet, besnik dhe të përkushtuar virtyteve më të larta njerëzore, kombëtare e fetare”, tha Marinaj. Besimtarët e pranishëm në këtë meshë shenjte, të moshave të ndryshme, po ashtu, me mjaft emocione e përcjellën meshën lamtumirëse të tij duke e dëshmuar kështu respektin ndaj këtij meshtari të devotshëm të kësaj famullie. Plaku, gati nëntëdhjetëvjeçar, Zef Gjergj Lucaj, e falënderoi meshtarin Marinaj për gjithçka që veproi në këto 12 vite të shërbimit të tij meshtarak në këtë trevë dhe i uroi atij shëndet dhe suksese të mëtejme në kryerjen e misionit të shenjtë të meshtarit. Të rikujtojmë se Marinaj, u emërua famullitar i kësaj famullie para dymbëdhjetë viteve dhe gjatë kësaj periudhe, mes tjerash, ka botuar librin “Krijimtari gojore”, të paraardhësit të tij P.Zef Jankaj, pastaj veprat e shqipëruesit të “Biblës”, monsinjor Dom Simon Filipaj, i cili po ashtu ka shërbyer një kohë të gjatë si meshtar i kësaj famullie. Marinaj, në bashkëpunim me disa trieshjanë të tjerë, ishe organizator i simpoziumit shkencor me rastin e 250 vjetorit të Famullisë së Trieshit, ( 2013), në përgatitjen e të cilit udhëtoi edhe në SHBA, për të takuar mërgimtarët nga kjo famulli dhe të cilët e ndihmuan maksimalisht në shënimin e këtij jubileu të rëndësishëm, jo vetëm për Trieshin por edhe më gjerë. Ai, ishte ndër organizatorët kryesor për ndërtimin e Kryqit në fshatin Delaj, përball kanionit të mrekullueshëm të lumit Cem dhe gjithnjë përkrahës i nismave dhe angazhimeve të rinisë së këtushme trieshjane.

Marinaj, po ashtu, disa vite ishte priori i misionit Françeskan në Malësi. Urojmë që misionin e shenjtë meshtarak ta vazhdoj me sukses edhe në mjedise tjera ku të jetë i nevojshëm veprimi i tij në misionin për të cilin është përcaktuar.

Mesha lamtumirës e P. Mirash Marinaj
Mesha lamtumirës e P. Mirash Marinaj

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Pershendetje per fratin e devotshem P. Mirashin- flmmm shume per sherbimet dhe nismat e shkelqyera qe i bere ne vendin tone… Eshte tragjedi qe po largohesh- po kush do te vije neser-ne cilen gjuhe do te thuhet mesha- e nga keto kam shume dyshime? A thua te humbem nga padija apo nga proceset politike te montuara- se ishe nhe bari e nje patriot e larte- sukseseeee ne jeten baritore dhe shendetsore- e ndoshta nje dite trieshjanet do ta shofin gabimin qe e bene me ju e me fritnit tiere- fali se nuk dine cka bejne…

Back to top button