Lamtumirë Europë, pjesa 2

Kur dy vite e ca më parë Maqedonia në Hagë fitoi procesin gjyqësor kundër Greqisë, në vend fryu një erë e re optimizmi se mbase çështja e emrit mund të zgjidhej së shpejti, me çka do të zhbllokoheshim edhe integrimet e ngrira euroatlantike. Dy vite më vonë, pas një morie shëtitjesh nëpër kryeqytete europiane, takimesh, bisedimesh, mesazhesh, raportesh e samitesh të EU-së e NATO-s, po bëhet gjithnjë e më e qartë se asgjë nuk ka lëvizur nga pika fillestare dhe se problemi me emrin, e me të edhe integrimet, vazhdojnë të jenë në gjendje pa rrugëdalje. Optimizmi është zëvendësuar me një dozë të fortë realizmi, pse jo edhe pesimizmi, që qeveritarët më as që tentojnë t’a fshehin, përderisa ndjenja pesimiste është përhapur gjithnjë e më tepër edhe në opinion më të gjerë. Me përjashtim të “cirkut shëtitës” monti-pajtonesk të BDI-së askush më nuk beson se emri mund të zgjidhet dhe se integrimet mund të vazhdojnë së shpejti. “Rruga drejt Europës” është zëvendësuar me “përshëndetje me Europën” dhe me kërkime të kota dhe inatçore të alternativave tjera.

Një zhvillim i këtillë i ngjarjeve nuk është aspak habitës, e madje mund lehtë të parashikohej qysh atëherë. Në një kolumnë të botuar para dy vitesh në gazetën “Koha”, me titull “Lamtumirë Europë”, pata thënë se vendimi i Hagës nuk do të ndryshojë asgjë dhe se madje do të barikadojë edhe më thellë palët në pozicionet e tyre. Kjo pasi vendimi ishte vetëm një fitore legale, në një betejë që në thelb është politike. Poashtu pata thënë se pas vendimit asnjëra palë relevante nuk do të ketë më interes të kërkojë zgjidhje për emrin.

Nëse eventualisht do të gjindej një zgjidhje, ajo padyshim do të merrte formën e një kompromisi. Prandaj atëbotë thashë se për VMRO-në, e cila është faktori kyç nga pala maqedonase, kompromisi nuk ka kurnjë sens politik dhe se pas vendimit të Hagës ajo do t’a ketë edhe më të vështirë të tentojë t’ia shesë atë anëtarësisë dhe votuesve të saj. Për këtë arsye thashë se VMRO do të bëhet edhe më e lëkundur në këtë drejtim dhe se nga ana e saj nuk duhet të pritet asnjë iniciativë sadopak serioze.

Ndërkohë në kohën kur pata shkruar kolumnën Greqia ishte në vlugun e krizës së borxheve dhe kishte një qeveri ekspertësh. E gjithë energjia politike atje ishte koncentruar drejt daljes nga kriza dhe nuk pritej që shteti të tregonte ndonjë interes të posaçëm për çështje të jashtme. Për zgjidhjen e krizës ndërkaq kërkohej unitet dhe konsenzus i gjerë politik dhe prandaj mendoja se askush në Greqi nuk do të kapej për çështje që krijojnë ndasi, siç është çështja e emrit të Maqedonisë. Pata thënë se akti i vetëm që një politikani grek i sjell pikë politike të sigurta është vetoja ndaj Maqedonisë.

Pala e tretë që mund të jepte kontribut të rëndësishëm për zgjidhjen e problemit ishte faktori ndërkombëtar. Mirëpo në Unionin Europian atëbotë mbizotëronte kriza e brendshme me borxhet dhe prandaj llogaritja se as Unioni nuk do të merret më seriozisht me zgjerimin dhe pengesat drejt tij. Poashtu llogaritja se SHBA do të vazhdojë të merret kryesisht me problemet e brendshme dhe se në politikën e jashtme do të jenë më tepër të fokusuara në Lindjen e Mesme dhe në Pacifik. Në Europë mendoja se për SHBA-të prioritet është stabiliteti ekonomik, faktor ky që ndikon direkt edhe në mirëqenien ekonomike të vetë SHBA-ve.

Faktori i katërt që mund të ishte katalizator për integrimet ishte BDI. Por që në 2011 pata thënë se mënyra e vetme që BDI të ndikojë rreth kësaj çështje ishte t’i bëjë presion VMRO-së brenda në koalicion, me çka qasja që dëshiron BDI-ja do të bëhej edhe qasje e koalicionit dhe shtetit për problemin e emrit. Por njëkohësisht isha skeptik nëse BDI do të mblidhte forca të bëjë një presion të tillë dhe se partia ose nuk din, ose nuk don të përballet për këtë çështje me partnerin e saj.

Në ndërkohë, dy vitet e fundit të gjitha këto parashikime dhe supozime u treguan të sakta. Në vend që të kërkojë zgjidhje, VMRO vazhdon të kërkojë arsyetime dhe me çdo kusht tenton t’a hedhë fajin te pala greke. Në vend që të tregojë vullnet për kompromis qeveria vazhdon me antikuizim, çështje që ishte shkak fillestar për eskalim të problemit dhe stopim të integrimeve. Në vend se të propozojë zgjidhje eventuale, ajo vazhdon të akuzojë institucionet relevante ndërkombëtare si OKB, EU dhe NATO dhe të propozojë alternativa tjera.

Pala greke ndërkaq vazhdon të jetë e fokusuar te problemet e veta ekonomike dhe në frymën e “inatit ballkanik” vazhdon të bllokojë Maqedoninë kudo dhe kurdo që mundet. As nga kjo palë nuk kemi parë ndonjë qasje konstruktive këto dy vitet e fundit dhe si duket politika e tillë do të vazhdojë edhe një kohë të gjatë. Në të njëjtën kohë faktori ndërkombëtar vërtetë ishte preokupuar me problemet që kisha cekur që në 2011, e këtyre ju shtua edhe “pranvera arabe” dhe përplasja ushtarake në Siri. Në fund as BDI nuk gjeti guxim e dije si të përballet me VMRO-në dhe veprimtarinë aktive në vend e zëvendësoi me fjalë, takime e shëtitje të kota nëpër botë, pa asnjë rezultat konkret.

Qëllimi i kësaj përmbledhje të gjërave që pata shkruar para dy viteve dhe ngjarjeve të mëpasme nuk është të vërtetoj saktësinë e konstatimeve të mia dhe të një numri analistësh tjerë që thonin dhe thonë po të njëjtën gjë. Rrjedha e këtillë e ngjarjeve ishte tejet e dukshme për këdo që nuk është direkt i kyçur në proceset integruese dhe që mendon jashtë skemave të tyre. Përkundrazu qëllimi i përmbledhjes është të shpalosë faktin edhe tani, në vitin 2013, situata vazhdon të jetë identike. Të katër faktorët relevantë vazhdojnë të mbajnë pozicionet e njëjta, që do të thotë se prej tyre nuk mund të pritet gjë prej gjëje as në të ardhmen e afërt.

Prandaj mbetet një faktor i pestë dhe më i rëndësishëm, e këta janë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Qysh nga shpallja e pavarësisë dhe përkundër sfidave me të cilat është përballuar vendi që atëherë, një konstantë dhe konsenzus i vetëm i të gjithë qytetarëve ka qenë vizioni i një shteti të integruar në një Europë të madhe. Por duke marrë parasysh rrethanat e mësipërme, ajo ëndërr tani ndeshet me një pikëpyetje të madhe. Mu për këtë është koha që qytetarët të përballen vetë me pyetjen e madhe: “Çka të bëjmë tani” dhe t’i japin përgjigje direkte pyetjes që edhe ashtu i sillet çdokujt në kokë: “A jemi për ndërrim të emrit nëse ky është kusht për anëtarësim në EU dhe NATO?” Prandaj, sadoqë mund të duket hap politikisht i papjekur dhe me rrezik, ndoshta është më mirë që në mars në vend të zgjedhjeve parlamentare të dalim në referendum për emrin. Të paktën t’a dijmë se çka jemi e ku jemi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button