Vlera Hetemi: Vullneti është ai që çan edhe malet (Intervistë)

Me Vlerën jemi takuar në një trajnim për leadership dhe me formulimin e idesë #VIZIONE mendova se Vlera është një ndër ato gurrët e çmuar që do ta bënin misionin tonë të shkëlqejë. Vlera është shkëlqimi i 32 i #VIZIONE. Ajo tregon se si arrihet kur ka vullnet. Thjesht, Vlerën mund ta quajmë wonder kid. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe tjerët! 

Intervistoi: Venhar Ramadani 

Vlera, si ndjeheni kur ju them se per juve kemi marrë më së shumti propozime për të ju intervistuar?

Më vjen shumë mirë të dëgjoj këto fjalë. Besoj se nuk ka kënaqësi më të madhe se sa kur të vlerësohet puna.

Ju jeni duke udhëhequr shkëlqyeshëm me dy fakultete? Na trego si e bën të mundur?

V.Hetemi: Ndoshta mund të tingëllojë sikur klishe, por me të vërtetë vullneti është ai që çan edhe malet. Puna e palodhshme dhe përkushtimi i vazhdueshëm ndoshta edhe mund të duken paksa të mundimshme nganjëherë, por krejtësisht varet se sa me pasion studiojmë apo punojmë në fushën e caktuar.
Për vete, kam zgjedhur dy fusha studimi, Ekonominë dhe Shkencat Politike, të cilat e komplementojnë njëra tjetrën dhe të cilat i kam studiuar në njëfarë mënyre indirekte që nga më heret përmes pjesëmarrjes në mbi 50 sesione dhe trajnime të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, nga të cilat edhe kam zbuluar pasionin tim për këto dy degë. Që atëherë, ia kam vënë vetes si synim përfundimin e këtyre dy fakulteteve me sukses maksimal, e fatmirësisht kam pasur edhe përkrahje të jashtëzakonshme nga familja qoftë kur u avansova për një klasë, qoftë tani apo edhe në çfarëdo situate tjetër. Natyrisht se duhet shumë punë, por në fund të fundit sa më e vështirë beteja, aq më të ëmbëla fitoret dhe sukseset.

57 çertifikata të marra deri tani dhe jeni vetëm 17 vjeç. Cilat janë planet e Vlerës për 10 vitet e ardhëshme?

V.Hetemi: Hm..pyetje mjaft komplekse. 🙂 Qysh si fëmijë, dëshira ime më e madhe në aspektin profesional ka qenë të bëhem guvernatore. Tash që studioj ekonominë dhe politikat makroekonomike të qeverisë dhe BQK-së, gjithnjë e më shumë e kuptoj dhe më pëlqen ky profesion. Ndoshta edhe vetë dëshira për të arritur këtë synim ka qenë një shtysë shumë e fuqishme që të arrij ato që kam dëshiruar deri më tani.

Deri pas 10 vitesh, nuk e di sa do të jem në gjendje të arrij këtë qëllim, por gjithsesi do të mundohem maksimalisht që të jem aty diku, si Analiste e Ekonomisë, apo ndoshta si ndonje Ambasadore ose Deputete. I cek këto qëllime, sepse mendoj se me njohuritë që kam dhe që pres të fitoj edhe në të ardhmen, do të mund të isha shumë produktive dhe shtet-kontribuese e fuqishme në sferat e lartpërmendura, andaj vullneti dhe përkushtimi për ti arritur këto synime, shpresoj të më sjellin deri në këto nivele të dëshiruara.

Në anën tjetër, çfarëdo pune të cilës vendos ti përkushtohem, do të mundohem maksimalisht që të mos lë anash pjesëmarrjen dhe organizimin e sesioneve të ndryshme, ngaqë ato janë si lloj melmesash të cilat do ti shtonin edhe më shumë kuptim karrierës time e do të ndihmonin përveq meje, ashtu edhe komunitetin.

Në Sloveni gjatë vitit 2013 keni marrë çmim me futjen tuaj në top 10-tshin e debatuesve në gjithë botën. A është ky një sinjal që pas disa viteve ju do të futeni edhe në politikë?

V.Hetemi: Me debat jam marrë profesionalisht që nga shkolla e mesme e vazhdoj të mirrem edhe tash e tutje përmes punës sime si Trajnere, Gazetare dhe Delegate në sesione të ndryshme ndërkombëtare të Parlamentit Europian të të Rinjëve (EYP) në Gjermani, Zvicër, Turqi, Ballkan dhe shtete tjera.

Suksesi në Slloveni padyshim se ka qenë një qelës për shumë eksperienca tjera si top-debatere edhe në shumë turnamente tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Të gjitha këto eksperienca shumë të vlefshme më kanë ndihmuar ti përmirësoj aftësitë e mia retorike, të hulumtoj shumë çështje të ndryshme me interes, ti konfrontoj idetë e mia me idetë e profesionistëve të ndryshëm ndërkombëtar dhe në përgjithësi më kanë ngritur profesionalisht.

E sa i përket inkuadrimit në politikë, një gjë e tillë është shumë probabile dhe e dëshirueshme nga ana ime, për këtë arsye edhe kam zgjedhur të studioj këtë lëmi. E kur them e dëshirueshme, kjo sepse do të mundohesha që të gjitha njohuritë e fituara nga këto eksperienca shumë të vlefshme ndërkombëtare ti përdor për nxjerrjen dhe implementimin e politikave sa më profitable si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë social, të cilat potencialisht do ti shëronin shumë nga ‘sëmundjet makroekonomike’ nga të cilat vuan vendi ynë.

Çka duhet të bëjë një i ri për të arritur nivelin profesional ku je ti?

V.Hetemi:

  1. Mundohuni ti shihni gjërat sa më pozitivisht edhe në rastet kur situata nuk duket shumë e favorshme. Kjo është ajo që unë bej çdo ditë. Qesh vazhdimisht, jam shumë optimiste dhe mundohem që ti shoh gjërat në mënyrë sa më pozitive. Kështu, gjëra të mira më ndodhin, sepse ashtu siq thotë i famshmi Ligj i Tërheqjes, “i ngjashmi tërheq të ngjashmin”. Në mënyrë analoge, përmes të menduarit pozitiv, gjithmonë tërheq gjëra pozitive në jetën time.
  2. Gjeni një role-model tuajin. Asesi mos u mundoni të bëheni sikur ai/ajo, sepse kështu ju vetëm do të bëheni kopje e dikujt tjeter, duke mos lënë asgjë unike tuajën dhe duke kufizuar kreativitetin tuaj, gjëra që seriozisht do ta dëmtonin karrierën e çdokujt. Sidoqoftë, shfrytëzojini storiet e suksesit të atyre rol-modelëve si burime motivimi për të arritur një të mirë çdo herë e më të madhe.
  3. Mos e rrethoni veten me njerëz ‘negativë’, sepse në vend që ata të shohin zgjidhje/mundësi në çdo problem, ata shohin problemin në çdo zgjidhje.
  4. Vini vetes qëllime të menqura, të matshme, të arritshme, realiste dhe të limituara në kohë. Pastaj, punoni dhe ndiqni ato, pamarrëparasysh se çfarë mendojnë të tjerët. Sepse, në fund të fundit kurrë nuk mund të jeni i mirë për të gjithë. 🙂
  5. Ndihmoni së pari veten, sepse vetëm kështu do të jeni në gjendje të ndihmoni edhe të tjerët.
  6. Falenderoni, falenderoni, falenderoni! Sepse vetëm atëherë kur jeni thellësisht falenderues për atë që keni, do të mund të arrini më shumë se aq.
  7. Gjithmonë zgjidhni diçka të cilën e punoni me pasion, sepse kështu edhe orët e tëra të punës do të ju duken sikur të mos kishit punuar fare. Këto pra do të ishin këshillat e mia me pak fjalë. 

A je dorëzuar ndonjëherë nga diçka?

V.Hetemi: Asnjëherë. Përkundrazi, janë pikërisht sukseset që korr në situatat sfiduese, ato që i konsideroj si barometër suksesi. Gjithmonë jam shumë optimiste dhe në situata sfiduese e di se nëse vazhdimisht punoj pamarrëparasysh situatën në të cilën ndodhem, atëherë edhe fati do të më ndihmojë më shumë dhe Universi medoemos do të gjejë një zgjidhje për mua.

A jeni krenare me suksesin tuaj dhe a mendoni se duhet të jenë krenar të rinjtë për suksesin?

V.HetemiÇdoherë i gëzohem sukseseve, sepse secili nga ta më jep impulse për të vazhduar më tutje. E krenarisë “i frikësohem” nganjëherë, sepse na jep një lloj komoditeti e rrjedhimisht mjaft shpejtë dhe lehtë mundë të na verbojë dhe fundosë. Mendoj se në mënyrë të ngjashme duhet të veprojnë edhe të rinjtë, sepse suksesi flet vetë, nuk ka nevojë për dozë krenarie. Në fund të fundit, nuk thonë kot se modestia është virtyt i njeriut të suksesshëm, apo jo?

 A janë startup-et zgjidhje për të zbutur pa punësinë e të rinjve?

V.Hetemi: Varet prej potencialit që kane këto startup-e për zhvillim të mëtutjeshëm. Sidoqoftë, gjithmonë jam pro tyre. Kjo sepse siç kam parë edhe vetë nga puna me disa prej startup-eve dhe App Camps, ku i fundit në të cilin kam marrë pjesë ka qenë Hej! AppCamp në të cilin së bashku me ekipin kemi zhvilluar një aplikacioni të ri mobil të quajtur “Paparazzy” – ku nga 35 ekipet pjesëmarrëse  jemi përzgjedhur si finalistë, është se të pajisin me një eksperiencë praktike (siq thonë amerikanët “hands-on experience”) të cilat medoemos do ti ndihmonin çdokujt në çfarëdo aplikimi për punësim, sepse pikërisht pjesëmarrja dhe njohuritë e fituara në këto punë praktike janë ato që krijojnë diferencen kur vie puna tek punësimi. 

A mendoni se prindërit kanë patur ndikim në karrierën tuaj? A duhet të rinjtë të konsultohen me prindërit për hapat në karrierë?

V.Hetemi: Padyshim se po, janë pikërisht prindërit ata që më motivojnë çdo çast dhe role-modelët e mi. Andaj, jam shumë me fat që gjithmonë kam qenë e rrethuar me njerëz intelektualë si në familje, ashtu edhe më gjerë. Nga gjyshërit e mi, të dy ish-profesorë, nga njëri kam përsosur matematikën e nga tjetri letërsinë. E prindwrve u jam borxh tërë jetën sepse nga ta jo vetëm që kam marrë mësime profesionale të çfarëdo lëmie që kam pasur nevojë, por kam fituar edhe shumë leksione jetësore të cilat më kane ndihmuar jashtëzakonisht edhe në formësimin tim personal.
Sa i përket konsultimit me prindër, jam shumë fatlume që edhe pse jam konsultuar me ta për çfarëdo hapi të rëndësishëm që kam ndërmarrë në karrierë, prapë më kanë dhënë autonominë që të vendos vetë. Kjo ka bërë që të analizoj gjithnjë e më thellësisht raportin kosto-benefit të çdo vendimi, kështu duke e përmirësuar në vazhdimësi cilësinë e vendimmarrjës, sepse e kam ditur se në rast të vendimit të gabuar, nuk do të mund ta fajësoj askënd tjetër pos vetes. Mendoj se në mënyre të ngjashme do të duhej të vepronin edhe të rinjtë e prindërit tjerë.

Nëse do të mund t’i jepnit vetes suaj në moshë më të re ndonjë këshillë, cila do ishte ajo? Cila është këshilla që i jepni të rinjëve?

V.Hetemi: Leksioni më i vlefshëm jetësor që kam mësuar, është ai që e dinte edhe Henry Ford kur thoshte: “Edhe nëse mendon se mundesh edhe se nuk mundesh, në të dyja rastet ke të drejtë”  –  që i bie se gjithçka varet nga mënyra jonë e të menduarit dhe parashtrimit të qëllimeve. E dini pse? Pikërisht sepse fuqia hyjnore për realizimin e qëllimeve tona është brenda nesh, mos e kërkoni askund tjetër. E limitimet dhe barrierat nuk janë asgjë tjetër veqse produkte të asaj mendjeje njerëzore që mendon negativisht.

E di se në Kosovë por edhe në shumë shtete tjera akoma ekziston mendimi uniform i shoqërisë se duhet punuar tej mase që të arrijmë diçka të vogël, se puna është e lodhshme por është diqka që na duhet të bëjmë patjetër, e shumë mendime tjera negative të cilat janë rrënjosur e sendimentuar në kokat tona. E fatkeqësisht, pikërisht këto dhe mendimet tjera negative janë mallkimi më i madh për llojin njeri. Kjo sepse mendimet bëhen gjëra, materializohen. Që i bie se ajo çfarë ne jemi sot është pikërisht reflektim i mendimeve tona në të kaluarën. Për këtë arsye, është e rëndësishme të ndërrojmë frekuencën e të menduarit dhe përceptuarit, e normalisht se kjo nuk ndodh brenda 24-orësh, por në momentin që arrini këtë stad, gjërat e mira do të vërshojnë në jetën tuaj.

Në rast se ju duket e vështirë, fillojeni këtë ndryshim me gjërat më të vogla, psh. Në vend se të shihni një provim si diqka stresuese, merreni atë si një mundësi për të treguar aftësitë tuaja. Apo, në vend se të mirrni kritikat si diqka shqetësuese, falenderoni përzemërsisht ata që ju kritikuan dhe mirrni ato kritika si pikënisje për ndryshime pozitive, e shumë të tjera. E shihni se kaq e lehtë është? Andaj, ndryshoni mendimet, që të ndryshoni botën. 

Cili është libri dhe filmi juaj i preferuar?

V.Hetemi: Sa u përket librave, më së shumti lexoj libra psikologjiko-shkencorë të cilët spjegojnë fenomene të ndryshme në mënyrë fascionuese përmes fizikës kuantike. Prej të gjithave sa kam lexuar deri tani, më së shumti impakt ka pasur libri “The Secret” i Rhonda Byrne, të cilin çdoherë që e lexoj më jep energji të pashterrshme dhe vizione të reja për të eksploruar më shumë.

E sa për filma nuk është se i shikoj shumë, pasiqë në TV shpenzoj më pak se 5%  të kohës, gjë për të cilën shpesh-herë marr “kritika” nga shoqëria.

Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button