Kaloi një vit, Naseri u dënua por shqiptarët e dëmtuar ende nuk kanë marrë dëmshpërblimin

Banorët shqiptarë të cilët ishin të dëmtuar nga protestat që u organizuan në lagjen Gjorçe Petrov gjatë vitit të kaluar, ende janë në pritje të dëmshpërblimit edhe pse objektet e dëmtuara i kanë sanuar tani më vetë.

Familja e Kadrush Eminit e cila banon në rrugën kryesorë të komunës së Gjorçe Petrovit, bën të ditur se dëmshpërblim nuk është bërë, madje ankohen se me shumë mund kanë rregulluar dhe sanuar dëmet që i bënë maqedonasit gjatë protestave të organizuara pas vrasjes së Angel Petkovski.

“Askush nuk ka ardhur të bëj vlerësimin e dëmit, në fillim vetëm që erdhën policia dhe asgjë nuk u ndërmor. Askujt nuk i bie më në mend për të na vizituar e të shohin se si jemi”, tha për Portalb, Kadrush Emini.

Ai shtoi se avokati i cili u ka ofruar ndihme, tani është zhdukur me të gjitha dokumentet dhe fotografitë e dëmit.

“Na erdhi një avokat i cili na tha se do na ndihmonte për marrjen e dëmshpërblimit. Ai na i mori të gjitha dokumentacionet dhe fotografitë dhe na bëri me dije që procesi do të zgjasë por që sigurt do të dëmshpërblehemi. Tani ai ka mbyllur telefonin dhe nuk dimë asgjë nga ai, nuk e dimë madje as zyrën ku e ka. Thjesht ishte mashtrues që donte të na humbiste dokumentacionet”, tha Emini.

Dëmi material që iu bë kësaj familje kap vlerën e afër 10 mijë eurove, të cilat ata i kanë siguruar vetë dhe kanë arritur të rregullojnë sado pak dyqanin e tyre, Emini thotë se objektet maqedonase të cilat dëmtohet gjatë protestave menjëherë dëmshpërblehen.

“Neve nuk kemi hesap gjithmonë që maqedonasit na sulmojnë ne t’i riparojmë dëmet vetë. Qytetarët duhet të jenë të mbrojtur me ligj. Por pas asaj që po dëgjojmë nuk e di, ndoshta një qeveri e re do te mundet të na ndihmojë”, shtoi Emini.

Në atë kohë MPB paralajmëroi se mbi 60 persona janë ndaluar nën dyshimin e shkaktimit të incidenteve në lagjen Gjorçe Petrov, mirëpo asnjë pagesë nuk iu është bërë të dëmtuarve shqiptarë.

Ndërkaq, Gjykata Themelore Shkup 1 – Shkup gjykoi me 14 vjet burg 20-vjeçarin Naser Eshtrefi për vrasjen e 18-vjeçarit Angel Petkovski nga Shkupi, ngjarje kjo që shkaktoi protestat.

Gjithashtu edhe në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, banorëve shqiptarë që iu shkatërruan shtëpitë kanë mbeten pa kulm mbi kokë, nuk iu ndanë ndihma të mjaftueshme.

Banorët thonë se janë shpërndarë, disa janë vendosur te familjarët e miqtë, disa banojnë me qira. Qendrat e paraparë për pranim, pra dy hotelet “Kristal” dhe “Kuba” nuk funksionojnë, pasi që nuk janë në gjendje të përshtatshme. Nga Qeveria pati një ndihmë urgjente prej 100.000 denarë por, ajo nuk mjafton për familjet që u është djegur gjithçka që kanë pasur.

Lajme të ngjashme

Back to top button