1 muaj pa ujë, reportazhë nga fshati Rramanli, Kumanovë (VIDEO)

Rritja e temperaturave ditore po e shton nevojën e qytetarëve për ujë, mirëpo banorët e fshatit Rramanli të Kumanovës kaluan një muaj në mungesë të ujit.

“Të mërkurën po bëhen pesë javë që nuk kemi ujë.”- tha për Portalb Nazmije Emini, banore e fshatit.  “Mbrëmë pas kaq kohe e lëshuan pak në kohën e syfyrit, por sërish e ndalën. Tërë verën pa ujë na lanë. Ne jemi gjindur disi për shkak se kemi bunar, por shumë familje të tjera nuk kanë. E  sidomos tani në Ramazan është shumë më vështirë. Kur ka ujë punët e shtëpisë kryhen më heret, por kështu 24 orë mbetemi të angazhuar. Në përgjithësi nuk është njësoj si me ujë e si pa ujë. Këtë vit edhe gjatë dimrit e kanë ndalur shpeshë. Më shumë nuk ka pasur ujë se sa që ka pasur. ”-sqaroi amvisja 46 vjeҫare.

Ajo tha se ka vite të tëra që paguajnë rregullisht ujë, por nuk janë të kënaqur si banorë. Sipas saj, bashkësia lokale nuk është fare e kujdesshme në këtë aspekt.

“Siҫ duket është bërë traditë që për ҫdo vit gjatë verës ta ndalin ujin, por këtë vit e kanë tepruar. Në ҫdo shtëpi është të paktën një kopsht i vogël, po me ҫka të ujitet!? Pastaj ka shumë fshatarë që miren me bagëti e për ta është shumë më problem.”- shtoi Shefki Emini.

Ndërsa një banore tjetër tha: “Pa ujë është shumë vështirë. Ne nuk kemi bunar andaj gjatë tërë kësaj kohe kemi mbushur ujë nëpër të afërm e fqinjë.”

Orhan Ameti, kryetar i bashkësisë lokale deklaroi “Fshati furnizohet nga burim i gjallë, që ndodhet në fund të fshatit. Ky burim ka shumë ujë, aq shumë sa ndoshta do të mjaftonte edhe për ta furnizuar tërë qytetin. Miëpo ja, s’ka pasur ujë për më shumë se një muaj, sepse u dogj motori”  Ai pranoi se bashkësia lokale është përgjegjëse për sistemin e ujit por se nuk ka kompetenca të mjaftueshme për ta mirëmbajtur. “Shteti i ka marrë të gjitha ingerencat e bashkësisë lokale. Banorët nuk e paguajnë ujin duke u arsyetuar se sistemi i ujitjes në vitin 2004 është regulluar nga një donacion prej ambasadës së SHBA-ve dhe Holandës, me vlerë mbi 600 000$. Jo vetëm që nuk e paguajnë, por 70 % e popullatës e vjedhin ujin, ndërsa ne si përgjegjës nga bashkësia lokale nuk mund t’i kontrollojmë, nuk kemi të drejtë t’i padisim në gjykatë për mos-pagesë e as nuk kemi xhirollogari, që si bashkësi lokale të grumbullojmë pagesat… ndërsa mbi 70.000 denarë harxhohet rrymë për ҫdo muaj. Kemi bërë kërkesë te komuna e Kumanovës që ta marrin përsipër mirëbajtjen e ujësjellësit, por nga komuna na thanë se kanë shumë punë në qytet dhe nuk mund ta menaxhojnë edhe fshatin tonë.”- u shpreh Ameti.

“Sot e lëshuam ujin, sepse arritëm të blejmë një motor të ri i cili kushtonte 1700 euro. Paratë i grumbulluam nga popullata: ato që kanë paguar rregullisht dhanë para për motorin e ri dhe 800 euro për instalimin e të njëjtit.”- shtoi ai dhe theksoi se problemi i ujit u zgjidh por vetëm përkohësisht, sepse pavarësisht cilësisë së motorit të ri, fakti që ai punon 24 orë pa u ndalur nënkupton mundësinë që të digjet sërish dhe  se do të jetë problem deri sa të blihet tjetri.

Për mungesën e ujit në fshat flet edhe 85 vjeҫari, haxhi Murat Bajrami, i njohur për pajtimin e gjaqeve dhe i respektuar nga banorët tjerë si një nga “Pleqtë e fshatit”. Sipas tij, donacioni i huaj për ndërtimin e ujësjellësit është keqpërdorur me mos-pagesën vijuese të banorëve, në mesin e të cilëve, sipas tij, janë edhe vetë personat përgjegjës për mirëmbajtjen e të njejtit.

Për Portalb foli edhe Asip Ajdini, shërbëtor në shkollën fillore të fshatit. “Ka ndodhur që të ndalet uji edhe gjatë vitit shkollor e nxënësit merrnin ujë prej shtëpive. Po është fat i madh që tani që nuk pati ujë më shumë se një muaj nxënësit ishin në pushim. Sepse është problem i madh që 400 nxënës t’i lësh pa ujë.”- tha ai dhe shtoi: “Ka 22 vite që punoj në këtë shkollë. Para 8 viteve ka pasur investim nga Qeveria Japoneze dhe komuna e Kumanovës dhe dukshëm janë permirësuar kushtet. Por përveҫ problemit me ujin kjo shkollë ka problem edhe me ngrohjen gjatë dimrit.”

Rramanli, Kumanove

Rramanli, Kumanove

“Mendoj se në të kaluarën ka qenë më mirë, ka pasur më shumë disciplinë, nxënësit kanë mësuar më shumë se tani.”-tha Ajdini. Shkolla mbanë emrin “Kirili dhe Metodij”, ndërsa për të Ajdini sqaron “Rastësisht, nga disa dokumente një ditë kuptova se para 70-80 viteve kjo shkollë është quajtur “Ismail Qemajli”.

Rramanli, Kumanove

Rramanli, Kumanove

Në fshatin Rramanli nuk funksionon ambulanta shtetërore, kështu që për banorët shërbimin e vetëm mjekësor e ofron ordinanca e përgjithshme, private “Dr-Minuri”, edhe atë me orar pune prej 08-15.

Rramanli, Kumanovë

Gjithsesi, pavarësisht kushteve jo të përsosura, banorët e pyetur deklaruan se nuk kanë asnjë problem ndëretnik e ndrfetar. Ndërsa vendndodhja e xhamisë dhe kishës pranë njëra-tjetrës janë simboli më i mirë i bashkëjetesës së harmonishme të banorëve të këtij fshati. Në videon e mëposhtme mund të shihni sa afër që janë./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Back to top button