Nuland mesazh për Kosovën: Për të ecur përpara duhet ta themeloni Gjykatën Speciale

Ndihmës Sekretarja Amerikane për Cështje të Europës dhe Azisë, Victoria Nuland ka thënë se për të ecur Kosova përpara duhet themeluar Gjykatën Speciale.

Nuland ka thënë se Shteti i Kosovës dhe lidershipi duhet të tregojnë mençuri për të mbyllur edhe këtë kapitull për Kosovës.

Këto komente Nuland i ka bërë në takimin që ka pasur me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Lexojeni të plotë njoftimin e Kuvendit të Kosovës

Kryetari Veseli takoi Victoria Nuland, Ndihmësen për çështje të Evropës dhe Azisë të sekretarit të shtetit, John Kerry.

Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, pati takim me Ndihmësen për çështje të Evropës dhe Azisë të sekretarit të shtetit, John Kerry, znj. Victoria Nuland.

Kryetari Veseli falenderoi znj. Nuland për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria amerikane është duke dhënë për Kosovën në avancimin e proceseve politike dhe ekonomike të saj.

Në takim u theksua nevoja e ecjes përpara të shtetit të Kosovës, në integrimet evroatlantike dhe për këtë, znj.Nuland ofroi mbështetjen e plotë të SHBA-së.

Po ashtu znj. Nuland shprehu nevojën që shteti i Kosovës dhe lidershipi i saj politik të tregojnë mençuri dhe vendosmëri në ballafaqimin me sfidat integruese dhe zhvilluese të Kosovës, siç janë procesi i dialogut me Serbinë dhe gjykata speciale.

Duke u ndalur në këtë të fundit, Znj. Nuland theksoi se është e nevojshme që Kosova me vendosmëri ta mbyllë këtë kapitull në mënyrë që vendi të ecë përpara, ndërsa kryetari Veseli theksoi se Republika e Kosovës do të kapërcej këtë sfidë me përgjegjësi shtetërore në partneritet me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Në takim u bisedua edhe për çështjen e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si parakusht themelor për të ndërtuar një ambient më kredibil për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Znj. Nuland gjithashtu shprehu vlerësimet e Qeverisë amerikane për rolin shumë pozitiv dhe rezultativ që është duke dhënë shteti i Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe ideologjive të tij. Ajo siguroi se edhe në këtë rrafsh mbështetja amerikane për Kosovën do të jetë e plotë.

Lajme të ngjashme

Back to top button