REVIZIONI I BUXHETIT: Për çka dhe si janë harxhuar paratë?

Me varshmëri gjithnjë e më të madhe të Fondit për sigurim pensional, pensionet më të larta i rritën edhe transferet buxhetore sipas kësaj baze. Ka rritje të harxhimeve për rroga, mirëpo vitin e kaluar në krahasim me vitin 2013 janë zvogëluar shpenzimet kapitale të cilat konsiderohen si pjesë zhvillimore e buxhetit, analizon Portalb. Një pjesë e shfrytëzuesve buxhetorë nuk kanë dorëzuar plane për furnizimet publike, për të punësuarit, për shpenzimet. Këto janë një pjesë e konstatimeve të revizorit shtetëror pas revizionit të kryer mbi buxhetin themelor të vitit 2014.

Si është përgatitur buxheti…

Paratë që nevojiten për financimin e prioriteteve strategjike duhet të parashihen me Strategjinë fiskale, e cilat duhet të miratohet nga qeveria më së voni deri më 31 maj, të vitit aktual, mirëpo sipas revizorit këto afate nuk janë respektuar.

“Ministria për Financa, Propozim-strategjinë fiskale për periudhën 2014-2016 qeverisë ia ka dërguar më 19.09.2013, me vonesë prej katër muajsh”, thuhet në revizion, dhe më pas potencohet se shumat e mjeteve të miratuara janë përcaktuar me “qarkore buxhetore.”

Një sërë vërejtjesh revizioni ka edhe në adresë të një pjese të shfrytëzuesve buxhetorë të cilët janë të obliguar që në afate të caktuara të dorëzojnë plan strategjik, plan për furnizime publike, plan për vendet e plotësuara të punës, dhe qarkoren e nevojshme buxhetore, e cila përmban të dhëna për mjetet e përcaktuara dhe të planifikuara për harxhim.

“Një pjesë e shfrytëzuesve buxhetorë nuk kanë dorëzuar plane strategjike trevjeçare të cilat janë bazë për përgatitjen e buxhetit. Plani për vendet e sistematizuara dhe të plotësuara të punës, si dhe plani për furnizime publike nuk janë dorëzuar nga ana e një pjese të shfrytëzuesve buxhetorë”, thekson revizori.

Pagesa më të mëdha për subvencione, investitorë, zgjedhje…

Konstatimet e revizorëve për atë se si është mbushur dhe si është zbrazur buxheti kanë qenë si rezultat i kontrollit të revizorëve në Arkën kryesore të shtetit. Kështu, analiza tregon se shpenzimet e përgjithshme në vitin 2014 kanë qenë 1,87% më të ulëta se sa ato që janë planifikuar. Ja se si është ndarë buxheti i vjetshëm: pjesa më e madhe e parave ose 22,8% kanë përfunduar si transfere nëpër fonde, 18,9% janë harxhuar për rroga dhe kompensime, 13,4% e parave janë dedikuar për transferet aktuale deri te njësitë e vetëqeverisjes lokale. Më shumë se 9 për qind e buxhetit është harxhuar për pagesën e subvencioneve dhe për transfere dhe pothuajse 10 për qind për shpenzime kapitale. Për pagesën e borxheve dhe të kamatave janë shpenzuar rreth 13 për qind.

Raporti i revizorëve thekson se fondi shtetëror për sigurim shëndetëror, fondi për sigurim pensional dhe Agjencia për punësime, gjithnjë e më shumë e rrisin varshmërinë nga buxheti. Madje 84,4% e parave të dedikuara për fondet, përfundojnë vetëm në adresë të Fondit për sigurim pensional. Në krahasim me vitin 2013, transferet e përgjithshme buxhetore vitin e kaluar janë rritur për 9,09%, që kryesisht ka qenë pasojë e pensioneve të rritura për 5%. Rritje në nivel vjetor ka edhe te përqindja për rroga dhe kompensime e cila është rritur për 2,27%. Vitin e kaluar janë rritur edhe mjetet buxhetore që janë transferuar në emër të vetëqeverisjes lokale për 2,28%, që sipas revizorit ka qenë rezultat i të ardhurave më të mëdha nga TVSH-ja.

Rrritje të madhe prej 15,2% ka edhe te shpenzimet për subvencione dhe transfere.

“Kjo rritje është rezultat i mjeteve të paguara për shkak të subvencionimit në shumë fusha edhe atë për përkrahjen e bujqësisë, përkrahjen e kompanive në zonat e lira ekonomike, realizimin e projektit “Blej shtëpi – blej banesë”, si dhe mjeteve për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale”, thuhet në raport.

Përderisa te këto shpenzime shënohet rritje, revizori konstaton se zvogëlim prej 1,72% ka edhe te shpenzimet kapitale në krahasim me vitin 2013.

Nga tetë rekomandimet e dhëna revizore në vitin 2013, revizori shtetëror informon se Ministria për Financa ka zbatuar katër, një rekomandim nuk është zbatuar, ndërsa tre të tjera kanë qenë në fazën e implementimit. Pas raportit të revizorit për buxhetin e vitit 2014, Ministria për financa ka dërguar vërejtje, një pjesë e të cilave janë pranuar, një pjesë janë pranuar pjesërisht dhe një pjesë janë refuzuar.

“Transparencë Maqedoni” kërkon transparencë në financimet publike…

Pas publikimit të raportit të revizorëve reagoi “Transparencë Maqedoni”. Nga kjo OJQ kërkojnë përgjigje në disa pyetje:

“Qeveria dhe Ministria për Financa përsëri treguan se aspak nuk janë të interesuara të flitet për gjendjen faktike me shpenzimet publike në vitin 2014, Kjo vetëvetiu e tregon deficitin e madh demokratik të këtij pushteti. Në këtë kuptim, ajo që duhet të theksohet është raporti i ESHR-së për harmonizimin e buxhetit themelor për vitin 2014. Mendimi është ky: “Sa i përket kornizës ligjore, dokumenteve strategjike dhe ekzekutimin e buxhetit, shprehim mendim me rezervë, si dhe për planifikimin, evidentimin dhe realizimin e shpenzimeve, të ardhurave dhe të hyrave të tjera në buxhet dhe për funksionimin e procedurave kontrolluese të sistemeve të TI-së” – thuhet në buletinin e fundit të organizatës joqeveritare, transmeton Portalb.

Lajme të ngjashme

Back to top button