Jahjaga: Drejtësi për viktimat e Srebreniës

Presidentja Atifete Jahjaga, në mesin e shumë liderëve të rajonit dhe të botës, e ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës në 20 vjetorin e saj dhe e ka cilësuar si brutal sulmin ndaj myslimanëve të Bonjës nga forcat serbe në vitin 1995.

“Sot kujtojmë ata që u vranë në mënyrë brutale edhe ata që u varrosën pas 20 vjetësh të aktit më të errët të njerëzimit dhe gjithashtu kujtojmë mijëra të zhdukur, nga një vepër mizore në përpjekje per të shkatërruar jetë njerëzish”, ka thënë Jahjaga.

Ajo ka thënë se për viktimat e Srebrenicës, duhet ndëshkuar kriminelët.

“Viktimat e masakrës në Srebrenicë kërkojnë drejtësi edhe 20 vjet pas masakrës dhe ne duhet të sigurojmë se ata do të pushojnë të qetë, kur shkaktarët e vrasjes së tyre të jenë përballur me forcën e ligjit. Duhet të kujtojmë që të mos përsëritet më krimi ndaj njerëzimit, të mësojmë se gjenocidi i kryer në Srebrenicë nuk mund të pushojë e të heshtet pa dënim”, thuhet në deklaratën e presidentes.

Jahjaga ka thënë se që të hapet rruga e pajtimit në Ballkan, drejtësia duhet të vihet në vend, në mënyrë që edhe popujt që kaluan histori të rënda të pajtohen mes vete.

Presidentja ka shprehur solidaritetin e Kosovës me familjet që i humbën më të dashurit e tyre, në një kohë kur edhe vendi po kalon në periudhën e shërimit të plagëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button