Protestë, grekët kundër planit të Tsipras: Masat e reja më të ashpra se të vjetrat

Paketa e re e reformave ka rritur pakënaqësinë e popullit grek ndaj kryeministrit Aleksis Tsipras, të cilin e votuan masivisht në referendumin e 5 korrikut. Qindra njerëz kanë protestuar kundër paketës së re, duke u shprehur se masat janë akoma më të ashpra se ato të vjetrat.

Qindra qytetarë grekë protestuan jashtë parlamentit të Greqisë kundër planit të ri të reformave të propozuar nga kryeministri i vendit, Aleksis Tsipras, i cili përfshin shkurtim të pensioneve dhe rritje të taksave, transmeton OraNews.

Protestuesit, shumica e tyre punëtorë ose pensionistë, mendojnë se reformat e reja tashmë do të ulin standardin e tyre të jetesës.

“Ne jemi këtu për të protestuar kundër planit të reformave tre-vjeçare të qeverisë greke. Me këto reforma populli grek do të humbas një buxhet prej 13 miliardë eurosh, gjë e cila do të ndikojë shumë tek shtresat e varfra dhe pesnionistët. Jeta bëhet shumë e vështirë për ta”, thotë Nikos, një protestues.

Ndërkaq shumë të rinj, të cilët mbështetën kryeministrin Tsipras në referednumin e 5 korrikut, duke votuar kundër kreditorëve ndërkombëtarë, u mblodhën në qendër të Athinës për të protestuar paketën e reformave greke pas miratimit në parlament.

Sipas tyre, Tsipras ka tradhëtuar Greqinë, duke iu nënshtruar kreditorëve.

“Protestojmë sepse paketa është akoma më e ashpër se ajo e propozuar më parë. Kjo paketë merr 7 miliard euro më shumë nga xhepat tanë”, thotë Kokaus, duke shtuar se në familjen e tij mosha mesatare është 54 apo 55 vjeç dhe shanset që ata të gjejnë punë janë të pakta pasi i konsiderojnë të moshuar, por edhë për të dalë në pension duhen shumë vite me paketën e re.

Lajme të ngjashme

Back to top button