Dy muaj pas përleshjes së armatosur, reportazhë nga ‘Lagjia e Trimave’ (VIDEO)

Sot, dy muaj pas ngjarjeve tragjike në Lagjen e Trimave të Kumanovës, vërehet mungesa e shumë prej shtëpive të dëmtuara, pothuajse të gjitha shtëpitë e djegura tashmë janë rrënuar e në vend të tyre aktualisht shihen  punëtorë ndërtimi e kamionë.

Banorët që nga dita kur u kthyen në lagje ishin organizuar në një lloj këshilli, apo siç e quajnë vetë ata, në “shtabin e krizës”, për të menaxhuar me situatën e krijuar, respektivisht për të ndarë ndihmat që arrijnë. Kështu Shaban Demiri, anëtar i kryesisë së shtabit na informoi hollësisht “Që nga fillimi kanë arritur ndihma humanitare me produkte ushqimore e higjienike po edhe ndihma të tjera, këto sigurisht janë të mirëseardhura por fatkeqësisht nuk mjaftojnë. Siç e dini dhe vetë gjithçka është e shkatërruar dhe ka nevojë për më shumë.”

“Banorët janë shpërndarë, disa janë vendosur te familjarët e miqtë, disa banojnë me qira. Qendrat e paraparë për pranim, pra dy hotelet “Kristal” dhe “Kuba” nuk funksionojnë, pasiqë nuk janë në gjendje të përshtatshme. Nga Qeveria pati një ndihmë urgjente prej 100.000 den. Por, ajo nuk mjafton për familjet që u është djegur gjithçka që kanë pasur.”-theksoi ai.

Ai sqaroi se pranojnë donacione të shumta nga Struga, Dibra, Kërçova, Tetova, Gostivari, Shkupi, po edhe nga diaspora. Sipas tij banorëve u kanë ndihmuar edhe shumë shoqata, duke theksuar Kryqin e Kuq, që siç thotë Demiri, “ka qenë këtu që nga dita e parë”.

“Bashkëpunojmë me të gjitha organizatat aktuale. Vijnë përfaqësues të OSBE-së, Komitetit të Helsinkit… Para disa ditëve erdhi një ekip nga SHBA, me projekte për të ndihmuar lagjen.”- tha dhe shtoi se EVN, NP për Pastrim Gjelbërim dhe Blizoo kanë zvogëluar dhe shlyer taksat për periudhën pas 9 majit.

Demiri dhe Sefer Seferi, nga kryesia e shtabit sqaruan se të dëmtuara kanë qenë 69 shtëpi, 127 familje apo gjithsej 549 banorë.

Demiri shtoi se lagjen e kanë vizituar mbi 100 000 njerëz deri sot. E për më tepër, ai deklaroi “Kumanova është qyteti më multietnik në Maqedoni. Ne si kumanovarë dijmë mirë si të bashkëjetojmë, dijmë të ulemi së bashku nëpër kafiteri të përbashkëta, të dëgjojmë muzikën e njejtë e të shikojmë të njejtat filma. As para 9 majit nuk kemi pasur ndonjë konflikt ndëretnik a ndërfetar, po as pas 9 majit raporti mes nesh nuk ka ndryshuar aspak.”

Shumë nga familjet po fillojnë me ndërtimin e shtëpive të reja, por jo të gjithë banorët e kanë një fat të këtillë. “Unë isha me fëmijët te nëna më 9 maj, por bashkëshorti ishte në shtëpi. Atë e kishin marrë në stacion policor atë natë e unë për 24 orë nuk kam ditur asgjë për të. Fëmijët sa nuk u çmendën kur u kthyem dhe e gjetëm shtëpinë të dëmtuar. Vërtetë e kemi pasur shtëpinë të vjetër, por kur u kthyem aq keq ishte e dëmtuar sa që nuk mund të qëndronim më në të. U vendosëm këtu të shtëpia e kunatit, ndërsa e rrënuam shtëpinë tonë nga frika se mos shembet shtëpia derisa mund të ndodhen fëmijët brenda. Se ata janë të vegjël, e tërë kohën thonin: ‘Ne e duam shtëpinë tonë! Duam të rrijmë në shtëpinë tonë’. Për ta rrënuar e rrënuam, por me çka ta ndërtojmë se?! E vlerësuan dëmin vetëm me 1200 euro. Po edhepse e vjetër ne kishim tre dhoma lartë mbi podrumin, kurse me kaq para çfarë të ndërtojmë?! Edhe këtë shtëpinë e kunatit duhet ta lëshojmë së shpejti. Bashkëshorti është i papunë, ndërsa vajzën e kam të sëmurë. Vërtetë nuk dij se çfarë të bëj.”- hapi zemrën për Portalb banorja e shqetësuar.

“Siç mund ta shihni, po rrënohet e po ndërtohet, por këtu më nuk do të jetë kurrë si më parë. Pas 9 majit, pavarësisht se lagjia mbushej përplot me vizitorë, ndjeja se tashmë ishte një varrezë e i vinte era ‘vdekje’. Edhe sot ende nuk mund ta marr veten: Trishtohem nëse dëgjoj sirenën e ambulantës, nëse shoh ndonjë polic rrugëve, por edhe nëse plas ndonjë balonë…menjëherë më kujtohet gjithçka, që po mundohem ta harroj.”- u shpreh një tjetër që takuam në lagje./Portalb.mk

Lexo: Pakënaqësi në mesin e banorëve të “Lagjes së Trimave” të Kumanovës, ndihmat keqpërdoren!

Lajme të ngjashme

Back to top button