Ahmeti: liderët maqedonas t’i tejkalojnë dallimet

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në selinë partiake në Tetovë ka takuar ambasadorin e Norvegjisë në vend, Nils Ragnar Kamsvag.

Ahmeti ka njoftuar ambasadorin norvegjez mbi qëndrimet rreth krizës politike, duke theksuar se BDI kërkon zgjidhje të qëndrueshme për të gjithë qytetarët dhe për vendin.

“Të gjitha reformat e dakorduara nga liderët vendorë do ta bëjnë shtetin më të përafërt me standardet evropiane, por edhe do t’i bëjnë institucionet e vendit më të besueshme për qytetarët”- ka thekuar Ahmeti.

Gjithashtu, liderët janë pajtuar edhe mbi Marrëveshjen e Ohrit, marrëdhëniet ndëretnike dhe integrimin euroatlantik.

Prandaj, siç citohet të ketë deklaruar Ahmeti, përgjegjësia e dy liderëve maqedonas është shumë e madhe dhe të gjithë qytetarët presin që ata t’i tejkalojnë dallimet midis vete sa më shpejt, në mënyrë që vendi të ecë përpara.

Bashkëbiseduesit me këtë rast u pajtuan se zgjidhja e shpejtë e krizës e ndihmon edhe rikthimin e fokusit në agjendën euroatlantike.

Lajme të ngjashme

Back to top button