Ofertat dhe sharjet e trekëndëshit opozitar PDSH-BESA-RDK

U bëri ofertë për bashkëpunim, për ti sharë më pas. Në stilin e zakonshëm, kreu i PDSH-së Menduh Thaçi në një deklaratë të tij tha se është i gatshëm të bashkëpunojë edhe me Lëvizjen Besa dhe RDK-në, me qëllim që të rrëzojë BDI-në nga pushteti.

“Të dy partive të vogla opozitare, Besës dhe RDK-së i dëshiroj shumë sukses dhe kjo aspak nuk na shqetëson që ata të kenë angazhim të vërtetë opozitar. Jam i gatshëm të flas me ata të gjithë ata që janë dakord se për t’u ndryshuar pozita e shqiptarëve në Maqedoni, të gjithë së bashku në prillin e ardhshëm duhet të votojmë kundër BDI-së dhe Ali Ahmetit”, deklaroi Thaçi me rastin e përvjetorit të PDSH-së, Menduh Thaçi.

Thaçi refuzohet

PDSH-ja njihet tashmë për dështimet në bashkëpunimin me partitë e tjera. Dy herë radhazi në të kaluarën filloi bashkëpunimin me RDK-në dhe të njëjtin e prishte në periudhë të shkurtë kohore. RDK refuzoi ofertën duke u shprehur e gatshme vetëm për koalicion me Selën dhe lëvizjet e reja politike shqiptare në Maqedoni.

“PDSH-ja e Menduh Thaçit ka marrë përgjigjen prej nesh, e ajo përgjigje është se PDSH-ja është një kapitull i mbyllur për RDK-në” tha lideri i saj Vesel Memedi.

Ndërsa Lëvizja “Besa” e cilëson joserioze dhe të dëmshme ofertën për bashkëpunim të kreut të PDSH-së Menduh Thaçi.

“Në parim ne nuk e dimë se kreu i PDSH-së a është serioz kur thotë se ne jemi tradhtarë apo kur na dëshiron sukses dhe kërkon bashkëpunim. Jo-konsistenca e tij nuk na bën të sigurt që ne t’i hapim dyert e bashkëpunimit me një lider të tillë partiak. Në parim, Lëvizja “Besa” ka hapur një shteg të veprimit politik te shqiptarët dhe ne në plan të parë kemi artikulimin e interesave të shqiptarëve dhe në këtë drejtim do të bashkëpunonim me secilin për të arritur këto interesa, por nëse hyjmë në këto aventura ne jemi të bindur se mund të dëmtojmë edhe interesin shqiptar edhe subjektin tonë”, deklaroi për Alsat-M, Afrim Gashi.

PDSH shan Lëvizjen Besa dhe RDK

Partia Demokratike Shqiptare ka reaguar ndaj refuzimit të Lëvizjes Besa dhe RDK-së për bashkëpunim.

“Oferta për bashkëpunim” nga ana e Kryetarit tonë ishte me të vetmin qëllim, zbulimin e fytyrës së vërtetë të atyre që sot reaguan! BESË-s (Aseb-alepo Siri)dhe RDK-së DR-Mr (Strumica Makedonija). Edhe një herë u vërtetua se ju nuk jeni opozitë shqiptare por opozitë e projektuar në kuzhinat antishqiptare të partive maqedonase. Kështu si ju, skena politike shqiptare në Maqedoni nga viti 1996 e këndej, ka pare me dhjetëra “parti” dhe të gjithë kanë përfunduar atje, ku shumë shpejtë do ta shihni veten edhe ju, në theqafje!”, thuhet mes tjerash në reagimin PDSH-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button