Brenda 20 korrikut, konstituohen të gjitha bashkitë e reja

Drejtori i Agjencisë së Zbatimit për Reformën Territoriale, Artan Shkëmbi, tha sot se brenda datës 20 korrik pritet të konstituohen kryetarët e të 61 bashkive të reja të dala nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit, transmeton Koha Jonë.

Ai foli për riorganizimin e ri të pushtetit vendor, në kuadër të reformës territoriale, ndërsa theksoi se shërbimet ndaj qytetarit do të vazhdojnë të kryhen në të njëjtat zyra, si edhe më parë.

“Çdo banor i kujtdo zone qoftë do të shkojë të marrë shërbimet atje ku i ka marrë edhe më parë, me ndryshimin e vetëm se atje ku lexohej tabela ‘komunë’ tani do të jetë ‘njësi administrative’, ndërsa administratori do të jetë zëvendësuesi i kryetarit të komunës, që me ligj, është i detyruar të pranojë çdo kërkesë të banorëve të zonës”, shpjegoi Shkëmbi.

Drejtori i AZRT-së tha se ky organizim i ri i pushtetit vendor do të shoqërohet me reduktimin e një numri funksionesh.

“Nuk ka pse të ketë juristë në komunë dhe juristë në bashkinë në qendër, apo dhe financiare, shoferë, sekretarë, etj. AZRT ka përcjellë një propozim për strukturën, duke përcaktuar qartë kriteret se kush duhet të qëndrojë në punë dhe kush duhet të largohet prej saj”, tha Shkëmbi. Lëvizjet e para në stafet e njësive vendore, shtoi ai, pritet të ndodhin në ditët e para të gushtit, menjëherë pas konstituimit të 61 bashkive të reja.

“Faza e parë do të jetë shkurtimi i punonjësve në njësitë administrative, ndërsa faza e dytë do të jetë shtimi i tyre në qendrat e bashkive. Natyrisht, shkurtimet do të jenë më të mëdha se sa punësimet”, nënvizoi Shkëmbi.
P

Për vënien në zbatim të reformës së re të territorit, AZRT do të ketë koordinatorët dhe inspektorët që do të mbulojnë çdo bashki.

Lajme të ngjashme

Back to top button