Avokati i Popullit i ik përgjegjësisë

Derisa parimet e gazetarisë profesionale u japin të drejtë gazetarëve që të kërkojnë përgjegjësi nga bartësit kompetent të funksioneve, më së paku nga Avokati i Popullit (si mbrojtës i të drejtave të njeriut) pritet që t’ua cenojë atyre këtë të drejtë. Megjithatë më shumë se një javë që kur gazetarët e Portalb pritën të caktojnë një takim të shkurtër me Avokatin e Popullit apo të paktën t’u kthehet përgjigje në mënyrë elektronike (pasi paraprakisht nga zyra e tij kërkuan t’u dërgohen pyetjet me e-mail).

Jo vetëm kaq: në të njejtën kohë që vetë Avokati deklaroi se është në pushim, nga zyra e tij njoftojnë se ai është i zënë me punë. Por injorimi i këtillë nuk parashikohet as në natyrën e punës së këtij institucioni e as në rregullat e Bontonit, pavarësisht se përmbajtja e pyetjeve të gazetarëve në këtë rast ishte e lidhur me raportin më të fundit të KE-së, të përpiluar nga ekspertët e udhëhequr nga drejtori i drejtorisë për Ballkanin Perëndimor, Rejnahrd Pribe.

Në raportin në fjalë ndër tjera thuhet: “Ombudsmani duket sikur ngurron ta shfrytëzojë mandatin e tij plotësisht, ndoshta pasiqë po balancon mes përpjekjes për të mos i shqetësuar shumë instituconet në lidhje me rastet konkrete dhe aftësisë së tij për të kryer hetimet në rastet më pak të politizuara. Për më tepër, duket sikur mjedisi i tensionuar politik po kontribuon që të zhduket respekti ndaj punës dhe fuqisë së tij kryesore. Mirëpo janë pikërisht këto kohëra krizash, atëherë kur një mbikëqyrje e fortë nga ana e Ombudsmanit është thelbësore për sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rivendosjen e besimit të publikut në institucionet shtetërore.

Në raport thuhet se ankesat ndaj gjyqësorit, pranohen shumë shpesh nga Ombudsmani. E poashtu se Ombudsmani ka informuar se Zyra e tij, aktualisht, është duke hetuar një rast në lidhje me skandalin e përgjimit, por hetimet po përparojnë ngadalë.

Teoritikisht asgjë nuk mund ta parandalojë ombudsmanin të reagojë më fuqishëm në lidhje me shkeljet e mundshme, si një roje e vërtetë edhe përkundër presioneve politike të dukshme ( të drejtpërsëdrejta ose të tërthorta) me të cilat ai ballafaqohet.”-theksohet në raport.

Sqarohet se, Ombudsmani është kompetent që të reagojë mbi ankesat e qytetarëve e poashtu edhe të marrë iniciativa personale.

Ndonëse Ombudsmani nuk mund të përpilojë vendime të detyrueshme, ai “ka disa fuqi hetimi sikurse: të kërkojë shpjegime, informata dhe evidencë; të hyjë në lokalet zyrtare dhe të marrë në intervistë personat e zgjedhur apo ndonjë bartës tjetër të funksioneve zyrtare. Kështu duke iu referuar Nenit 32 të Ligjit mbi Avokatin e Popullit, në qoftë se në ndonjë rast has në shkelje të të drejtave kushtetuese dhe ligjore, ose parregullësi të tjera, ai mund të ngrejë iniciativë për fillimin e procedurës disiplinore kundër personit zyrtar ose të dorëzojë një kërkesë te Prokurori Publik kompetent për ngritjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë penale.”-thuhet në raport.

Sipas raportit, Ombudsmani nga shumëkush konsiderohet si një institucion i pavarur në një mjedis të vështirë jetësor, që bart me vete funksion delikat. Mirëpo për shkak se vendimet e tij nuk janë ligjërisht të detyrueshme, Ombudsmani e ka informuar grupin punues se sistemi jo gjithmonë pajtohet me vendimet e tij, se komunikimi i tij disa herë injorohet dhe se autoritetet publike nuk po bashkëpunojnë.

Rekomandimet nga KE në këtë fushë kanë të bëjnë me: forcimin e pavarësisë dhe efektivitetit të Ombudsmanit, (me anë të ndarjes së mjeteve të mjaftueshme financiare); si dhe forcimin e kompetencave (me sanksionimin e autoritetet publike nëse nuk bashkëpunojnë; të kërkojë nga Parlamenti që të formojë komisione të specializuara, të përkohshme të hetimit në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut apo të iniciojë çështjen para gjykatave kundër autoriteteve që nuk pajtohen me rekomandimet e tij.)

Ombudsmani, respektivisht Avokati i Popullit në Maqedoni është funksion zyrtar që nga viti 1991, sipas Nenit 77 të Kushtetutës. Ligji i parë mbi Ombudsmanin u miratua në vitin 1997, ndërsa më vonë pësoi ndryshime. Ombudsmani i parë u zgjodh në vitin 1998.

Ombudsmani aktual, Ixhet Memeti është duke ushtruar mandatin e tij të dytë dhe të fundit (secili mandat zgjat 8 vite). Ai u rizgjodh në vitin 2012./ Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ombudsmani aktual, Ixhet Memeti është duke ushtruar mandatin e tij të dytë dhe të fundit (secili mandat zgjat 8 vite). Ai u rizgjodh në vitin 2012 :O

Back to top button