Presidenti i Izraelit në përvjetorin e sulmeve ndaj Gazës: Lufta ishte e drejtë

Presidenti i Izraelit Reuven Rivlin aksionin ushtarak të vitit të kaluar ndaj Gazës, kur janë vrarë mbi dy mijë civilë, e quajti “të drejtë dhe të barabartë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë gjë Rivlin e tha në ceremoninë përkujtimore për 66 ushtarë izraelitë të cilët janë vrarë gjatë ofensivës së ashpër në Rripin e Gazës. Në tubim morrën pjesë zyrtarët më të lartë të vendit si kryeministri Benyamin Netanyahu, ministri i Mbrojtjes Moshe Ya’alon dhe presidenti i Izraelit Reuven Rivlin.

“Ky aksion i drejtë dhe etikë është kryer në një vend sovran duke mbrojtur qytetarët e vetë. Në atë periudhë pjesa jugore e vendit tonë ishte i ekspozuar ndaj dhjetëra sulmeve raketore, ndërsa gratë, fëmijët dhe të moshuar ishin të ekspozuar ndaj tronditjeve të shumta”, ka thënë Rivlin në fjalimin e tij para të pranishmëve.

Rivlin vuri në dukje se detyrimet e Izraelit nuk do të jenë të përmbushura deri sa trupat e dy ushtarëve të vrarë Oran Shaul dhe Hadar Goldin të kthehen në vend. Ai gjithashtu theksoi se populli izraelit nuk është “komunitet lufte”.

“Me qëllim për të ruajtur kufijtë dhe ekzistencën tonë nuk do të hezitojmë të përdorim armët nëse do të jemi të detyruar. Çdo konflikt i ri do të jetë më i rëndë se ai më parë. Është e qartë që kjo lloj lufte kërkon një vendim ambicioz dhe të rëndë. Banorët e Gazës dhe liderët e tyre duhet të kuptojnë se qytetet tona që janë hambaret e drithërave për ne janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj sulmeve”, ka thënë Rivlin.

Më 7 korrik 2014 ushtria izraelite ka nisur sulmet ndaj Rripit të Gazës. Sulmi ka zgjatur 51 ditë, ku jetën e kanë humbur 2.157 persona, kryesisht gra dhe fëmijë. Gjithashtu janë plagosur mbi 11.000 persona.

Janë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Janë shkatërruar 17.200 godina banimi, 73 xhami dhe 24 shkolla si dhe mijëra objekte tjera janë dëmtuar.

Ndërkohë nga radhët e Izraelit ka pasur 71 viktima në mesin e të cilëve 66 ishin ushtarë, katër civilë dhe një shtetas i huaj i cili ishte duke punuar në Izrael.

Lajme të ngjashme

Back to top button