Ankesat e testimit ekstern refuzohen, askush nuk merr përgjegjësinë!

Prindërit e dëshpëruar dhe të brengosur nuk dinë se si të veprojnë për të mbrojtur fëmijët e tyre nga efektet e testimit ekstern i cili thonë se ndikon dukshëm në të ardhmen e shkollimit të tyre. Ata thonë se sipas shembullit të Kosovës, do të shohin mundësitë për të paditur Ministrinë e Arsimit.

Ata thonë që tani më disa vite janë ankuar për gabimet e shumta me të cilat janë ballafaquar nxënësit, por disa drejtor nuk kanë pranuar ankesat kurse ato pak që janë pranuar sërish janë refuzuar nga Qendra për Provime Shtetërore.

“Nuk e di se çfarë të bëj kam kërkuar që të takohemi edhe me prindërit tjerë dhe të marrim masa, sepse disa vite radhazi ekzistojnë këto pyetje skandaloze në testimin ekstern, dhe ankesat tona nuk pranohen. Fëmijët kanë fakte, kanë fotografuar pyetjet të cilave u mungojnë përgjigjet dhe automatikisht ato hynë tek pyetjet e pasakta. Është në lojë shkollimi i ardhshëm i fëmijëve tanë, ky testim qesharak duhet të tërhiqet”, tha Ahmet Zyberi, prind.

“Si është e mundur që askush të mos mbajë përgjegjësi dhe të mos rishikohet rezultati. More a jeni duke pa që po shkatërroni arsimin me këto reforma paushalle që po bëhen vetëm për përfitimin e fondeve dhe parave. Si mund të thuhet se kishte disa probleme teknike, kur të gjithë më jemi duke parë që pyetjet janë në shqip, përgjigjet në maqedonisht, si dhe përkthimi jo i përshtatshëm nuk mungon, risi kësaj radhe ishin pyetjet pa përgjigje, a thua çfarë risi na presin në të ardhmen?!”, tha Afrim Tahiri, prind.

Ata madje thonë që do interesohen për kushtet që duhet plotësuar për të paditur këtë institucion.

Juristi Osman Kadriu, bën të ditur se mund të intervenohet me ndihmën juridike të shqyrtohet problemi i prindërve lidhur me testimin ekstern dhe të gjithë kanë të drejtë për mbrojtje juridike.

“Për të paditur apo për të nisur një proces juridik ndaj një institucioni duhet të përfundohen disa faza. Së pari duhet të bisedohen me MASH dhe me Avokatin e Popullit që të shqyrtohet problematika dhe nëse ata mendojnë se këto institucione sërish veprojnë në dëm të tyre, atëherë mund të ankohen ndaj procedurave dhe komisioneve sepse është e drejtë e secilit të ankohet dhe të gjithë kanë të drejtë për mbrojtje juridike”, tha për Portalb, Kadriu.

Drejtoresha e këtij institucioni Mirushe Ahmeti kohë më parë për Alsat M tha se mbetet në qëndrimin se institucioni që ajo drejton nuk ka lidhje në përgatitjen e pyetjeve, dhe se ata janë vetëm realizues teknik të testimit. Kjo, sipas saj, e shfajëson nga skandali Qendrën për provime shtetërore dhe atë si drejtuese të këtij institucioni.

Ndërkaq Qendra shtetërore për provime njofton se në sesionin e qershorit u parashtruan 2855 ankimime, gjegjësisht u ankimuan vetëm 0,7% e testeve. U pranuan 17,09%, pjesërisht u pranuan 26,34% e ankimimeve, kurse më tepër se 50% e ankimimeve ishin të pabaza. Një pjesë e vogël e ankimimeve (rreth 40) kanë të bëjnë me procesimin e paplotë të rezultateve dhe ata akoma po shqyrtohen në komunikim me shkollat.

Numri më i madh i ankimimeve janë parashtruar për lëndët: matematikë, gjuhë maqedonase, informatikë dhe biologji. Pyetjet për të cilat janë konstatuar se janë problematike nga aspekti teknik ose karakteri përmbajtjesorë, e për të cilat edhe u pranuan një pjesë e ankimimeve, do të korrigjohen ose do të fshihen nga baza e pyetjeve.

Ndryshe në Kosovë një profesor ka paditur Ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për vonesë nostrifikimi të diplomë, raporton Telegrafi.

Kurse sa i përket testimit ekstern edhe këtë vit nxënësit u ballafaquan me probleme dhe gabime skandaloze./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button