Të kuptosh agjërimin!

(përkthime, përshtatje, persiatje)

Agjërimi është fuqi, privilegj, mundësi dhe nder. Por vetëm ata që e kanë provuar mund ta kuptojnë agjërimin në këtë mënyrë. Forcat metafizike dominojnë mbi qeveritë, bizneset, argëtimin, arsimin dhe masmediat. Agjërimi është një mënyrë në të cilën Zoti i jep fitore edhe viktimës.

Gjatë muajit të nëntë të kalendarit islamik Hixhri që quhet Ramazan, miliona myslimanë të moshës madhore në mbarë botën agjërojnë gjatë orëve të ditës. Qysh kur Hixhri ekziston si kalendar hënor, Ramazani paraqitet në kohë të ndryshme të vitit duke kaluar kështu një cikël prej 33 vitesh rrotullimi. Ai nënkupton abstenimin nga ushqimi, lëngjet, duhani, kafeina e kështu me radhë, nga koha e paralindjes së diellit e deri në perëndimin e tij. Disa kategori të caktuara që kanë probleme të ndryshme shëndetësore, janë të liruar nga ky obligim.

Agjërimi ndër kultura

 Si një praktikë e shpirtërore, agjërimi ka qenë i aplikuar nga shumë grupe fetare që nga kohët e lashta. Historikisht, egjiptianët e lashtë, grekët, babilonasit, dhe mongolët besonin se agjërimi ishte një ritual i shëndetshëm që mund të detoksifikojë trupin dhe të pastrojë mendjen. Në epokën moderne, tri fetë monotesite më të mëdha në botë gjithashtu këshillojnë agjërimin në disa kohë si: Hebraizmi gjatë Jom Kippur-it, Krishterimi gjatë periudhës së Kreshmës, dhe Islami gjatë festivalit të Ramazanit. Besimet e tyre janë se agjërimi është një mënyrë për të komunikuar me Zotin duke pastruar trupin dhe mendjen. Fetë e tjera të mëdha, të tilla si Budizmi dhe Hinduizmi, gjithashtu e rekomandojnë fort këtë praktikë. Përveç kësaj, vendasit amerikanë të Meksikës dhe inkasit e Perusë gjithashtu e shohin agjërimin si formë të pendesës të perëndive të tyre. Kështu, gjatë gjithë historisë, agjërimi është parë gjithmonë si një formë e pastrimit të mendjes me një qëllim shpirtëror apo fetar.

Pikëpamja biblike dhe kuranore

Në Testamentin e Vjetër, kishte vetëm një ditë agjërimi, Dita e Shlyerjes (Lev 16:29). Më vonë, agjërimi u bë praktikë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme ose në përvjetorin e një tragjedie kombëtare (Zak 7: 3-4). Agjërimi ishte një përpjekje për t’i dhënë fund një rrethanë të tmerrshme.

Në Besëlidhjen e Re, erdhi një mënyrë tjetër agjërimi, siç ishte të agjëruarit pas një dasme apo gazmendi familjar. (Mk 2:20). Ky lloj agjërimi bëhej jo vetëm për t’i dhënë fund tragjedisë, por për të filluar shërbesën. Jezusi agjëroi për 40 ditë për të filluar shërbesën e tij publike (Mt 4: 2). Kisha e Antiokisë agjëroi për të filluar udhëtimin e parë misionar (Veprat e Apostujve 13: 2). Mësuesit e Antiokisë agjëronin, dhe Pali, i cili ka shkruar pjesën më të madhe të Dhjatës së Re, tha se ishte “shpesh herë agjërueshëm” (2 Korintasve 11:27 NKJV).

Jezusi vendosi shembullin e agjërimit dyzet ditësh pas pagëzimit të Tij. Për Jezusin kjo ishte një çështje e tipit se kur besimtarët do të agjërojnë, jo nëse ata do ta bënin këtë. Ai foli me këto fjalë: “Kur të japësh lëmoshë … kur ju luteni … kur të agjëroni” (Mateu 6: 2,5,16).

Papa Gjon Pali II ka thënë: “Vetë Jezusi na ka treguar me shembullin e Tij se lutja dhe agjërimi janë armët e para dhe më të efektshme kundër forcave të së keqes (krh Mt 4: 1-11). Agjërimi na çliron (Is 58:6). Edhe Ashabi, mëkatari më i keq në botë, u lirua përkohësisht nga shkatërrimi duke u kthyer për të agjëruar (1 kg 21: 25-29). Ninivasit u liruan nga shkatërrimi i pashmangshëm me anë të agjërimit (Jon 3: 5-10). Agjërimi i Esterit ndihmoi kombin hebre nga shfarosja (Est 4:16). Joel njoftoi thirrjen e njëjtë (JL 02:15). Të gjithë këta njerëz e dinin sekretin”.

Gjithashtu edhe Kur’ani na e jep këtë urdhër, por njëkohësisht duke dëshmuar se agjërimi nuk është një praktikë e re që u  takon vetëm besimtarëve post-kuranorë:”O ju që keni besuar ju është bërë juve obligim agjërimi (i muajit të Ramazanit) sikur që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm” (Kur’an, 2:183). Profeti Muhamed ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin e Zotit do t’i falen  mëkatet e kaluara, poashtu kush falet në Ramazan me besim të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin e Zotit do t’i falen mëkatet e kaluara, dhe kush falet natën e Kadrit me besim të plotë dhe duke shpresuar shpërblimin e All-llahut do ti falen mëkatet e kaluara.”

Përmes viteve, është mësuar se shumë njerëz që kanë vajtur në kishë, kurrë nuk kanë qenë të informuar në lidhje me agjërimin dhe lutjen, dhe për këtë arsye shumë prej tyre kurrë nuk agjëruan dhe nuk u lutën. Si rezultat i kësaj, ata nuk e dinë se përse agjërimi dhe lutja janë të rëndësishme. Për shumë njerëz, agjërimi tingëllon si punë e rëndë. Njerëzit kanë tendencën që të tronditen përpara atyre që kanë agjëruar për disa javë. Ata mendojnë: “nëse unë do të agjëroja për aq kohë, mund të kisha vdekur! Mbase unë nuk mund ta bëjë këtë!” Ndërkaq myslimanët janë më të prirur t’i përgjigjen kësaj ftese, pa u shqetësuar shumë.

Çfarë thonë autorë të ndryshëm mbi agjërimin?

Agjërimi dhe lutja nuk janë pjesë e një metode të “njeriut të projektuar” i cili nuk di të mendojë e logjikojë. Përkundrazi, këtu bëhet fjalë për një njeri shumë racional, i vetëdijshëm për atë se çfarë kërkon dhe kurioz për të kuptuar dobitë që mund të vijnë nga agjërimi nga pikëpamja empirike.

Sipas Bill Bright, agjërimi na sjell këto dobi:

  • Na mundëson të menaxhojmë më kollaj me problemet që kemi, duke rezultuar në qetësi të brendshme dhe vetë-kontroll.
  • Rinovon vizionin shpirtëror dhe besimin.
  • Frymëzon vendosmëri për të ndjekur revelatën hyjnore dhe planin që ka ajo për jetën tonë.

Në librin e tij “Agjërimi”, autori Derek Prince, e përshkruan atë si një leksion të jashtëzakonshëm  në vendosjen e pikëpamjes në mes rolit të mjeshtrit dhe shërbetorit, duke thënë se trupi është një rob i mrekullueshëm por një mjeshtër i tmerrshëm. Ama natyra trupore gjithmonë tenton të dominojë atë shpirtëroren. Duke agjëruar, ti i tregon trupit se ku e ka vendin.

Edith Schaeffer në librin e tij “Jeta e lutjes” thotë: “Çështja e agjërimt serioz dhe lutjes si shenjë përulësie përpara Zotit me pendim dhe shqetësim për mëshirën e Tij, u zhvillua në kontekstin e nevojës praktike, gjegjësisht për mbrojtje dhe udhëzim, për ndihmë në zgjedhje dhe për furnizimin e gjërave materiale.”

Efektet e agjërimit në organizëm

Fusha shkencore e përkufizon mendjen si njohje. Ajo përbëhet nga proceset mendore të përfshira në fitimin e njohurive dhe të kuptuarit, duke përfshirë të menduarit, të diturit apo dijen, kujtesën, gjykimin, dhe zgjidhjen e problemeve. Këto janë funksione të nivelit të lartë dhe përfshijnë gjuhën, imagjinatën, perceptimin, dhe planifikimin (Wagner 2009). Këto funksione janë të përpunuara në tru. Truri përbëhet prej miliarda qelizave nervore. Ashtu si llojet e tjera të qelizave në trup, qelizave nervore u duhet energji e mjaftueshme për të punuar. Kjo energji vjen nga glukoza. Prandaj, për të kryer detyra të caktuara, ta zëmë të mësuarit përmendësh, truri i njeriut ka nevojë për glukozë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën e saj të lartë të energjisë.

Agjërimi është një kusht kur ka mungesë të përkohshme në marrjen e glukozës në trup. Vetë glukoza është lëndë djegëse kryesore e trurit. Prandaj është e logjikshme të supozohet se njerëzit kanë performancë më të dobët të kujtesës kur janë agjërueshëm. Megjithatë, të dhënat tregojnë se mungesa e glukozës gjatë agjërimit nuk e pengon disponueshmërinë e glukozës në tru. Kjo është e mundur për shkak se organizmi ynë ka një sistem shumë të sofistikuar të përpunimit të energjisë dhe posedon mekanizma për të balancuar sistemin tonë fiziologjik nëpërmjet një procesi të quajtur homeostaza. Pra, kur trupi zbulon një mungesë të glukozës, ai përpiqet të prodhojë glukozë nga burime të tjera brenda trupit, të tilla si glykogjeni dhe proteina. Ky formacion i ri i glukozës (gluconeogenesis) mund të balancojë disponueshmërinë e glukozës në tru për 24 orë. Bëhet fjalë për një mekanizëm të vështirë, sidomos gjatë atmosferës në punë, prandaj duhet pasur mirëkuptim për personat të cilët agjërojnë gjatë muajit Ramazan.

Një studim i realizuar në Gjermani theksoi efektin e dëmshëm që agjërimi mund të ketë tek punëtorët myslimanë që kryejnë punë fizike të lehta në një mjedis industrial (Schmahl et al, 1988). Në studim janë marrë 32 meshkuj, kryesisht me origjinë turke, duke punuar në një fabrikë kimike në Gjermani të cilët agjëronin gjatë muajit të Ramazanit në qershor të vitit 1983, në kohën kur agjërimi zgjaste 18 orë të ditës (aq sa zgjat tani në 2015-n). Këta punëtorë humbën një mesatare prej 3.6 kg të masës trupore gjatë muajit të agjërimit dhe disa nga parametrat e tyre biokimike sugjeruan se ata ishin të hipohidruar në mënyrë të konsiderueshme. Pesë nga këto punëtorë kishin probleme të rënda shëndetësore sa që ishin të detyruar të ndërprisnin agjërimin, sepse nuk mund të vazhdonin punën normalisht. Në rastet kur personat nuk kanë mundësi agjërimi për arsye shëndetësore, ata janë të lirë nga ky veprim.

Me fjalë të tjera, kur ju agjëroni, e detyroni trupin tuaj që të fillojë të shikojë diku tjetër për yndyrë dhe të bëhet më efikas në përdorimin e tij të energjisë që ju keni në dispozicion. Duhet pasur parasysh se trupi juaj do të jetë pa shumë ushqyes të rëndësishëm për të paktën një periudhë të shkurtër kohore dhe kjo mund të shkaktojë disa dëme. Nga ana tjetër të agjëruarit mund të rezultojë në disa përfitime shëndetësore të tilla si përmirësimin e funksionit mitokondrial, uljen e rreziqeve të sulmit në zemër, pastrimin e mëlçisë,  pauzat e gjata të punës së lukthit, humbjen në peshë e kështu me radhë.

Nga pikëpamja morale…

Ka shumë arsye të mira që burojnë nga agjërimi, duke përfshirë:

  • Të qenurit i bindur ndaj Perëndisë;
  • Mësimi i vetë-kontrollit;
  • Duke u bërë shpirtërisht të fortë;
  • Duke vlerësuar të mirat e Zotit që i ka falur për ne;
  • Bashkëndjesia e vuajtjeve me të varfërit dhe zhvillimin e empatisë për ta;
  • Të kuptuarit e vlerës së bamirësisë dhe bujarisë;
  • Të falenderuarit e Zotit për shpalljet e tij dhe leximin e tyre;
  • Afrimi dhe respekti i ndërsjelltë në mes njerëzve.

Në rrafshin moral dhe të sjelljes, agjërimi nënkupton edhe shmangien e të gënjyerit, thashethemeve, sharjeve, fyerjeve si dhe përdorimin e fjalëve boshe. Agjërimi është parë edhe si një mjet për të kontrolluar dëshirat e njerëzve (nga uria, etja, seksualiteti, zemërimi) dhe duke u fokusuar më shumë në kërkesat e Zotit që ka ndaj nesh. “Sawm” (agjërimi) gjithashtu mbart një kuptim të rëndësishëm shpirtëror. Ai na mëson parimin e dashurisë . Kur dikush agjëron, ai është bërë pjesë e dashurisë së thellë të Zotit. 

Linqe: 

http://www.jyi.org/issue/fasting-and-the-human-mind/#

http://www.bbc.co.uk/religion/religions/islam/practices/sawm.shtml#

http://www.geocities.ws/leahdyanne/Effectsonhealthoffluidrestrictionduringfastingin.pdf

http://www.healthguidance.org/entry/15649/1/The-Pros-and-Cons-of-Fasting.html#

http://blogs.transparent.com/arabic/ramadan-and-fasting

http://unityinchrist.com/prayer/print/fasting.htm#

http://www.cbn.com/spirituallife/prayerandcounseling/intercession/hickey_prayerfasting06a.aspx

http://drita-islame.org/di2/cms/index.php/aktuale-mainmenu-28/177-si-ta-presim-muajin-e-ramazanit#

http://www.presentationministries.com/brochures/SecretFasting.asp#

Lajme të ngjashme

Back to top button