Trajektore mbi politikat moniste

Gjatë lëvrimit përmbajtjesor të materialeve, dokumenteve dhe dosjeve komuniste të sajuara në Maqedoni, në funksion të hartimit të librit publicistik të titulluar “Viktimat e monizmit”, që kishte të bëjë me ngjarjet tragjike, diskriminuese, denoncuese, denigruese dhe fyese mbi shqiptarët gjatë dekadash, me një fokusim të veçantë për periudhën e viteve 1981-1990, e njohur për nga fushata e egër e instrumentalizuar e sistemit komunist nëpërmjet një procesi të paparë të diferencimit ideopolitik antishqiptar, doli konstatimi se kësaj periudhe të errët komuniste i kishin paraprirë një sërë sajesash antishqiptare që ishin projektuar në sallonet e akademive të shkencave të boshtit ortodoks Shkup-Beograd. 

1.

Në diskursin gjeostrategjik të Ballkanit, shqiptarët si komb i ndarë në disa pjesë administrative-shtetërore, gjatë gjithë shekullit XX kanë qenë në njëfarë dore faktorë të strukturimit të kufijve në rajonin e quajtur “Fuçi baroti”, gjithnjë në mbrojtje të qenies dhe identitetit të tyre. Historia njeh faktin e padrejtësive që u janë bërë shqiptarëve, me pasoja të rënda dramatike e tragjike nga kancelaritë e vendosjes politike në Evropë, në dekadën e dytë të shekullit të kaluar, kur pjesa dërrmuese e tyre  mbeti jashtë kufijve të shtetit amë (Shqipërisë), pjesë kjo e mbetur dhe e mbërthyer brenda një krijese artificiale, etatiste, të sllavëve të jugut, në shtetin e quajtur Jugosllavi, në një sistem të ndërtimit shtetëror monarkist, më vonë edhe socialist, pa të drejta të plota kombëtare për shqiptarët.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në shtetin e ri të Jugosllavisë së AVNOJ-it, statusi i Kosovës mbeti i pa definuar konform aspiratave të shqiptarëve, të cilët ishin vazhdimisht në kërkim të shtegdaljes për liri e barazi kombëtare brenda krijesës jugosllave të Titos, ndërsa shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës mbetën nën një robëri të kamufluar etatist, me boshtin dirigjues hegjemonist të kryeqendrave republikane. Kjo Jugosllavi socialiste, e krijuar nga partizanët, qëndronte në shtylla të qelqta të konstituimit federativ, me gjashtë republika dhe dy krahina autonome, përderisa ishte gjallë vetë krijuesi, Josip Broz Tito. Me vdekjen e tij, më 4 maj të vitit 1980, profecitë e qarqeve diplomatike evropiane e amerikane për shpartallimin e këtij shteti, konglomerat kombesh, me një hegjemonizëm të hapur serb, dolën si të sakta. Hapat e parë të shpërbërjes së këtij shteti, pas vdekjes së Titos, u bënë nga vetë shqiptarët, si kombi më i shtypur në mesin e kombeve që bashkëjetonin në këtë shtet, në saje të një ideologjie të imponuar bolshevike, tërësisht të huaj për ta. Shqiptarët në Kosovë, të prirë nga studentët e Universitetit të Prishtinës, filluan rrënimin  e këtij shteti me demonstratat që i organizuan më 11 mars të vitit 1981.

Demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981 në Kosovë, ishin një pretekst i fuqishëm për boshtin ortodoks Beograd-Shkup, për të ushtruar një presion gjenocidal ndaj shqiptarëve, në fillim, sidomos në Maqedoni, si poligon eksperimentimi, me forma dhe mënyra të sajuara që më parë në elaboratet famëkeqe të Andriqit-Çubrilloviqit. 

2.

Shumë shpejt pas demonstratave të studentëve në mars të vitit 1981 në Prishtinë, në Maqedoni, në qershor të po atij viti fillon një fushatë e egër, e paparë deri atëherë, antishqiptare, antinjerëzore e diskriminuese, me qëllimin final të presionit për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Sulmi mbi indin kombëtar shqiptar, me pretekstin e diferencimit ideopolitik nga ana e komunistëve ndaj shqiptarëve në Maqedoni, që ishte justifikuar me marrjen e “masave preventive”, fillon pas një “heshtjeje” disamujore latente të nomenklaturës pushtetmbajtëse komuniste në Maqedoni.

Me pretekstin e  “luftës kundër nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, komunistët pretendonin se ruajnë rendin dhe sistemin shoqëror-politik e kushtetues të vendit, si dhe marrëdhëniet ndërnacionale. Ky proces i goditjes më të egër të mundshme të komunistëve ndaj kulturës, arsimit, traditës dhe historisë shqiptare, me qëllim të thyerjes së dinjitetit, krenarisë dhe identitetit të tyre të lashtë ilir, do të vazhdojë me intensitet të shtuar deri në vitin 1989, ndonëse edhe më vonë, me forma më të sofistikuara politike, kur u dukën shenjat e para të shpartallimit të vërtetë të një shteti të përbashkët, siç ishte federata jugosllave, njëra ndër republikat e së cilës ishte edhe Maqedonia konstituive. Fokusi i trysnisë së komunistëve të Maqedonisë mbi shqiptarët ishte përqendruar në radhë të parë në Tetovë, si kryeqendër e shqiptarëve të këtij vendi, me më shumë banorë dhe si bastion politik e historik i tyre, ku emancipimi kulturor-arsimor ishte një hap para sesa në qytetet e tjera shqiptare. Në këtë qytet, komunistët kishin arritur që në strukturën e LKM-së të fusin shumë shqiptarë, duke arritur një raport të barabartë, që shërbente si një instrument perfid për t’i qëruar hesapet me shqiptarët, me dorën e zgjatur të tyre.

Disa prej komunistëve shqiptarë kuptuan më herët e disa të tjerë më vonë, se duhej flakur kjo “luftë ideologjike” kundër popullatës shqiptare, që kishte për qëllim ta vërë atë nën pranga dhe kontroll të hekurt. Një numër i tyre tentonte që ta kundërshtojë këtë zullum të madh, por pjesa dërmuese zgjodhi rrugën e heshtjes, si formë të rezistencës, por edhe kjo kategori njerëzish u etiketua si oportuniste, ndërsa denoncimet nuk dallonin prej atyre që kundërshtonin hapur. Në fakt, kjo mund të shihet edhe nga dokumentet për diferencimin ideopolitik të shqiptarëve, ku komunistët shqiptarë,  pavarësisht se si u sollën dhe kur e kuptuan djallëzinë që po i bëhej popullit, u njollosën, u diskredituan, u sulmuan dhe u përjashtuan nga radhët e organizimit politik monist, por shumë sish edhe nga puna.

Në ish-sistemin komunist “shtet-parti”, ku partia ishte mbi shtetin, nëpërmjet mekanizmave të saj të presionit dhe represionit mbi tërë popullatën shqiptare në Maqedoni, u ushtrua një gjenocid i paparë represiv, me metoda të ndryshme të veprimit diskriminues. Në procesin e diferencimit ideopolitik, që filloi në gjysmën e dytë të vitit 1981 dhe që vazhdoi deri në shembjen e këtij sistemi, vetëm në Tetovë, deri në vitin 1990, kaluan mbi 3.000 komunistë shqiptarë, të cilët, pa justifikime të fuqishme, u akuzuan nga komunistët e tjerë që mbetën në vijën e partisë dhe, në këtë proces të egër antinjerëzor, ata u dënuan me metoda të ndryshme ideopolitike dhe me izolim nga shoqëria.

 

3.

Komunistët ishin shumë të ashpër dhe të pa kompromis ndaj anëtarëve të grupeve të ndryshme ilegale shqiptare që kishin vepruar pas Luftës së Dytë Botërore e deri në vitet e ’80-ta, të cilët ndiqeshin, arrestoheshin dhe përjashtoheshin nga puna. Në qëndrimet e të gjitha organizatave shoqërore-politike, në krye me LKM, ishte instaluar një vlerësim i vetëm për shqiptarët, që ishte shndërruar në një mostër universale, e përsëritur si refren: “Veprimtari armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”. Çdo veprim e nismë, mendim dhe shprehje verbale, që kishte lidhje me ruajtjen, mbrojtjen dhe avancimin e elementeve, veçorive dhe të trashëgimisë kulturore e kombëtare shqiptare, cilësohej si “veprimtari armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, që dënohej në çdo instancë partiake, shoqërore dhe institucionale, ndërsa parapëlqehej që dënimi të bëhej nga vetë shqiptarët, sipas parullës: “Secili duhet ta luftojë nacionalizmin e vet”.

Të gjithë ata patriotë shqiptarë  janë njollosur e përbaltur pa të drejtë nga strukturat e Lidhjes së Komunistëve të Maqedonisë (LKM)  dhe shërbëtorët e saj në sytë e popullit shqiptar, një pjesë e të cilit  ishte manipuluar në mënyrën më perfide të mundshme, për të besuar se këta shqiptarë vërtet ishin armiq të shtetit, se ishin nacionalistë e separatistë dhe kundër vëllazërim-bashkimit dhe bashkëjetesës. Në fakt, puna dhe veprimtaria e tyre, qëndrimi dhe sjellja konsekuente ishte atdhetare dhe kombëtare, që ka bërë në aspektin moral të ngadhënjejnë para hordhive komuniste, duke sakrifikuar veten dhe familjen për të mirën e gjithëmbarshme të kombit, ndaj dhe si të tillë meritojnë të hyjnë në historinë kombëtare.

Është fjala për atdhetarë shqiptarë, të cilët, shpesh, edhe për pretekste banale janë persekutuar nga pushteti monist, por që në mënyra të ndryshme sfiduan pushtetin e egër komunist. Është fakt i pamohueshëm se ata kanë merita të mëdha për të sotmen tonë, ata kanë vërë një gur me peshë në themelet e tabanit kombëtar, si shqiptarë me shpirt patrioti.

Në listën e gjatë të “Viktimave të monizmit” janë strukturuar tri kategori të veprimtarëve: ata që janë marrë me veprimtari ilegale kombëtare; ata që kanë kundërshtuar procesin e diferencimit ideopolitik dhe; ata që kanë rezistuar me heshtje. Të gjithë këta, pa dallim, janë denoncuar nga pushteti komunist, qoftë me masa ideopolitike e qoftë me përjashtim nga puna. Kjo luftë ideopolitike ishte imponuar me instrumente të frikësimit dhe kërcënimeve vetëm ndaj shqiptarëve. Me përmbysjen e LKJ-së e me këtë edhe të LKM-së, shqiptarët përfundimisht hodhën prangat komuniste nga trupi liridashës dhe demokrat, për t’u futur në pluralizëm dhe për t’u mishëruar me parimet demokratike evropiane dhe aleancave të tjera perëndimore e veri-atlantike.

Lajme të ngjashme

Back to top button